Gazeta Shqiptare

Dje do të kishin seancën e parë për divorc, flet vëllai i Hasan Bilbilit, që dogji gruan në makinë dhe vari veten

“U zunë për një sallatë, trupat nuk janë varrosur akoma”

-

DURRËS - Vëllai i Bilbil Shirjas tregon për marrëdhëni­en e çiftit, që humbën jetën në ngjarjen tronditëse të 10 prillit, në Golem të Durrësit. Tre muaj më parë Fëllënxa kishte bërë kërkesë në gjykatë për t’u ndarë ligjërisht nga bashkëshor­ti dhe dje do të ishte seanca e parë. Sipas Hasan Shirjas, vëllait të Bilbilit, çifti “nuk kishte probleme aq serioze sa për të arritur në këtë pikë”.

“Ka pasur disa kontradikt­a, por jo deri në këtë shkallë. Bashkëshor­tja ishte te baba i vet, ky ishte këtu me ne, i qetë fare, nuk kishte asnjë problem. Të gjithë ishim dakord për t’u pajtuar, se nuk ka pasur probleme nderi apo ekonomike, vetëm disa probleme në çift. Ajo ishte në punë të vet, te babai, punonte në një fasoneri. Ky i ka thënë ‘të jap hyrjen, ti rri me fëmijët’”.

Sipas tij, Bilbili nuk ishte dakord për divorc. “Bilbili nuk ishte dakord. Sherri i këtyre është për një sallatë, ‘më bëj një sallatë, nuk e bëj’, dhe aty plasi sherri. Erdhi babi e mori Fëllënxën”.

Ai tregon çfarë ndodhi në 10 prill. “Ka dalë në mëngjes rreth orës 5 e ca, kur më merr çuni më pyet ‘a di gjë ku është Bilbili’. Po digjej një makinë. Mora vesh pastaj që e shoqja ishte djegur, ai ishte varur me rrobat e trupit. Çuni pardje mbushi 18 vjeç, vajza tani mbaroi shkollën e lartë. Nuk ta merrte mendja, ka qenë si të gjithë njerëzit e tjerë. Trupat nuk janë varrosur akoma, po presim vajzën”.

Sipas tij, xhelozia nuk ishte shkak i krimit makabër. “Nuk është e vërtetë për shkaqe xhelozie. Ai ka dashur të bashkohet, e çonte me makinë, ajo nuk ka qenë ‘e hedhur’ që ai të kishte xhelozi. Ajo nuk ka bërë ndonjëherë denoncim për të”.

Fëllënxa Shirja, 45 vjeçe, u gjend e djegur brenda automjetit të familjes, ndërsa ish-bashkëshor­ti i saj, Bilbil Shirja u gjend i varur në një pemë, rreth 30 metra nga makina.

Ngjarja ndodhi në fshatin Kryemëdhen­j në Golem të Durrësit. Dyshimet e grupit hetimor janë që ish-bashkëshor­ti i saj Bilbili për shkak të xhelozisë e ka marrë bashkëshor­ten dhe e ka djegur të gjallë brenda automjetit tip “Audi”. (Marrë nga “Top Channel”)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania