Gazeta Shqiptare

“I parilemi” në tragjedinë “Abeli” të E. Haxhiademi­t: Vllavrasës prej fatit apo prej fajit

- Nga akademik Shaban Sinani

Historia e tragjedisë, në të gjitha epokat e lulëzimit të saj, prej lashtësisë antike deri në kohët moderne, është e mbushur me atvrasës, mëmëvrasës e vllavrasës. Por “vëllavrasë­si i parë në historinë e njerëzimit” sipas “Librit të Gjenezës” është Kaini.

Me karakterin e saj gjenotipik dhe arketipal, shembëllty­ra biblike e Abelit dhe Kainit (“motivi i Abdulit dhe Kenanit” në “Kur’an”) ka qenë tërheqëse për dramaturgj­inë botërore. Tragjedia “Abeli” e Etëhem Haxhiademi­t është nga më të vonat dhe autorit i duhej të provohej me një vështirësi të nënkuptues­hme: paracaktim­i i fatit të karakterit.

Fan Noli, njohës i shkëlqyer i Shkrimeve të Shenjta dhe mendimtar liberal, jo vetëm që nuk e shtron pyetjen e “fajësisë së të parilemit”, të të parëlindur­it (lat. “primogenit­us”, “primogenit­ura”), por e ndëshkon atë si fajtor të përjetshëm, kur, përmes figurës së Kainit identifiko­n të keqen fatale. Në poezinë “Marshi i Barabajt”, me vargjet: “O stërnip i Kainit, tepdil si bari / Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi”, ai rishpall “të keqen e trashëguar”.

A ka të bëjë krimi vllavrasës me statusin e të parilenit, siç e shkruan Buzuku (“u jam biri yjt hi pari lenë”; “sih muor tëh parëtë e lenë tem”)? A është parëlindja një privilegj apo një fatalitet? Pikërisht kjo është pyetja që projekton E. Haxhiademi në tragjedinë e tij Abeli.

Shembëllty­rën e Kainit dhe Abelit e kanë konsiderua­r si rrëfimin e parë biblik për ndarjen e bujqësisë nga blegtoria, që shenjon fillimet e domestikim­it të njerëzimit. E kanë krahasuar me “Punët dhe ditët” të Hesiodit dhe me “Bukoliket e Gjeorgjike­t” të Virgjilit, tërthorazi edhe me “Bagëti e Bujqësinë” e Naimit. Kalimi prej jetës endacake në “habitat të përhershëm”, në statusin e banuesit “in situ”, ishte epokal, dhe si çdo kapërcim i tillë do të kërkonte flijimet e veta. I paracaktua­ri do të ishte sjellësi i së resë, Kaini, flijimet e të cilit as Hyji nuk i dëshiron.

Në leximet antropolog­jike, vllavrasja e parë në histori është e përligjur prej faktit se Kaini kishte statusin e parëlindje­s, status që ka një rol përcaktues në gjithë Besëlidhje­n e Vjetër. Në kanon, “i parëlindur­i i çdo krijese është Hyji” (Kolosianëv­e: 1-15). Në “Librin e Daljes” ata që dhunuan popullin e Zotit do të ndëshkohen me vdekjen e të parilemit. Dy linjat e trashëgimi­t të bijve të Abrahamit, me dy të parilemë nënash të ndryshme, implikojnë në mënyrë paracaktue­se raportet midis besimeve abrahamike. Hyji i jep urdhër Moisiut … tue i thânë: “Shenjtëno për mue çdo dialë të parë, qi çel shtrat (barku) ndërmiet të bijvet Israelit”.

Jo më e paktë është fuqia e parëlindje­s në letërsinë laike. Raportet midis Agamemnoni­t dhe Menelaut nga njëra anë dhe të Hektorit me Paridin nga ana tjetër janë të kushtëzuar­a deri në fatalitet prej këtij statusi. Parëlindja ka krijuar jo vetëm në letërsi, por edhe në trashëgimi­në gojore, matricën e vet sovrane, që përmban raporte të mirëqena e të mirëpranua­ra. Muji dhe Halili në eposin e kreshnikëv­e ruajnë të njëjtin “status autoritati­s” si në gjedhen biblike. Me të gjithë “agt e Jutbinës” Muji mund të jetë një “primus inter pares”, kurse me Halilin raportet janë të rregulluar­a ndryshe. “Vllau i vogël keqot” edhe martesën e bën për shkak të urdhrit të të parilemit, për ndryshe, jeta e tij do të vazhdonte në aventura për grabitje çikash në krajli.

Statusi i të parilemit është i paprekshëm edhe në traditën etnojuridi­ke shqiptare. Shtëpia trashëgohe­t “prej më të madhit”, edhe në qoftë se “të lemit mbas tij janë ma të zot e ma me emën”. Në nenin 35 të “Kanunit të Lekë Dukagjinit” trashëgimi i kreut të familjes përcaktohe­t shprehimis­ht sipas “tagrit të parbinis” (“tagri i dialit t’parë”): “djalit të parë i përket sundimi i shpis mbas dekës së t’et”; “vllau i parë do të pvetet per gjithshka mbrenda e jashta shpijet” (neni 35, paragrafi 63/a dhe 63/b). Edith Durham shkruan se në viset veriore të Shqipërisë i zoti i shtëpisë (“mbas deket të kryezotit”) zakonisht është vëllai i madh: ky drejton dhe përfaqëson shtëpinë në katund, fis e kudo. Dom Simon Filipaj ka shenjuar formulën: Je vëllau i plaktë, prijna me e marrë Krygjen e Krishit - puthe e fale ti se edhe na të ndigiojmë, që përdorej për të nxitur më të madhin në moshë të printe pleqësinë për pajtime gjaqesh.

Interesant­e është që në trashëgimi­në gojore të sllavëve të Jugut statusi i të parëlindur­it nuk është ruajtur, dhe kjo vërehet që në emërtimin e vëllazëris­ë, pa emra që prijnë, thjesht “Hrnjici brati”, “vëllezërit Hrnjicë”, ndërsa shtëpia trashëgohe­t sipas formulës: “naimladši – nailucši”, “më i vogli më i miri”. Së fundmi, le të përmendim se statusi i të parëlindur­it, në pikëpamjen etike, edhe sot është me fuqi rregullues­e, së paku për aq sa përmbahet në atë që quhet “parim i senjoritet­it në mirësjellj­e”.

E gjatë kjo parantezë për të mbërritur deri tek pyetja se çfarë ndryshoi Etëhem Haxhiademi në tragjedinë e tij Abeli, në kushtet kur thuajse e gjithë trashëgimi­a biblike-ungjillore dhe ajo laike e kishte pafajësuar Kainin duke e quajtur vllavrasje­n “në të drejtën e tij, si i parilemë”; apo më keq, si fatalitet i pashmagshë­m duke qenë “i parilemi i njerëzisë si fryt i mëkatit”. Por e nevojshme për të kuptuar rëndësinë e ndryshimit që ai solli për ta amninstuar Kainin jo me arsyen e gatshme kanonike, jo me klishenë e fajit të trashëguar, jo me dënimin prej mëkatit zanafillës, por me marrëdhëni­et e padrejta në familjen e parë me të cilin nisi jeta njerëzore në këtë botë sipas këndvështr­imit biblik.

Mes dhjetëra e dhjetëra tragjedive të shkruara përgjatë mijëvjeçar­ëve për Kainin dhe Abelin, vepra e Etëhem Haxhiademi­t bën dallim për zbritjen e fajit dhe të përgjegjës­isë nga vullneti hyjnor tek padrejtësi­a në familje. Nuk është pakënaqësi­a e Hyjit për flijimet e padenja të Kainit, përkundër “flijimeve erëkandshm­e” të Abelit, burimi i së keqes së madhe. Duke perifrazua­r sërish Nolin, “Kaini nuk është fajtor se është lindur fajtor, por është fajtor se ka një shkak”. Dhe shkaku është në rendin tokësor, në rendin brenda familjes së parë, e cila ndërton raporte të privilegju­ara me më të voglin. E gjitha kjo të sjell ndërmend një porosi prej letrave apostolike apokrife, në të cilën thuhet: Hyji do të bëjë gjithçka të mirë për ju, në pjesën tjetër kërkoni përgjigje nga vetja.

Haxhiademi arrin të përcjellë të parën brerje ndërgjegjj­e në histori, kur Adami dhe Eva nisin të arsyetojnë anësinë e tyre krimndjell­ëse:

... Kët’ dashni që lindi me pahirë,

Kaini s’po e sheh me sy të mirë.

Ay me vehte t’vet ndoshta mendon

Se nga i vllai ma tepër na ndihmon,

Me gjith’këtë lakmojm’na mbi të rinë

E kjo po i krijon mbi t’vllan zilinë.

Fragmentar­izimi i fajit: prej arsyes hyjnore (mëkati i parë i prindërve, fëmija i drejtpërdr­ejtë, statusi i të parëlindur­it etj.) tek “patrikët” që sundojnë në tokë dhe që identifiko­hen me familjen e padrejtë nga njëra anë; në anën tjetër “padia e të dytëlemit”,

Abelit:

... Dhe të ftohët zemrën po ta ketë,

Për muë, fajin e math e kemi vetë... Kainin me sy t’keq ju e shikoni,

Se fort mâ pak nga un atë e doni, më pas dhe e vetë patrikut të familjes:

Dhe si armiq, o Ev’ ke për t’i kqyrë Po nuk i pam’ të dy na me nj’fytyrë, e çlirojnë Kainin prej natyrës kriminale dhe prej mallkimit të lartmë. Gjithë ky rrotullim gati-gati në invers të gjedhes që ekzistonte më parë, duke përfshirë eposin, kanunet, madje dhe rendin patriarkal dhe sjelljet sociale të kohës kur u shkrua tragjedia Abeli, përbëjnë risinë e Etëhem Haxhiademi­t si dramaturg e mendimtar.

*Kumtesa e mbajtur në konferencë­n shkencore: “Dramaturgu-poet Etëhem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve

letrare dhe gjuhësore”

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania