Gazeta Shqiptare

“Zhbërja e kufirit” e Martin Berishës

- Nga Romeo Gurakuqi

Monografia e prof. Martin Berishaj, “Zhbërja e Kufirit”, është një studim krejt i veçantë në llojin e vet, që synon të depërtojë jo vetëm në historinë e ndarjes së kufirit në mes trevave të banuara nga shqiptarët në Gadishulli­n Ballkanik, por para së gjithash ai merret me vlerësimin e fenomeneve politike, kulturore, antropolog­jike, sociologji­ke, juridike dhe të ndërgjegjë­s komunitare, të prejardhur prej këtij procesi të dhimshëm, të imponuar historik nga faktorë madhorë dhe i kryer me disa vijëzime në hartë dhe në terren, më 1913-1914, më 1921-1925, 1999.

Prej më shumë se 140 vitesh, nga Kongresi i Berlinit e këndej, çështja e kufirit në mes tokave të banuara nga shqiptarët dhe fqinjëve të tyre veriorë dhe jugorë, mbetet një nga temat e nxehta të diskutimev­e politike, shoqërore dhe shkencore. Është rasti i një kombi të lashtë, por vështirësi­sht të ngjizur në pikëpamje kulturore në kohën moderne, që ndërtimin shtetëror në territorin e banuar nga populli i vet, nuk e arriti në mënyrë të menjëhersh­me. Madje, mbas çdo krize ballkanike dhe europiane, segmente territoria­lë u shkëputën në mënyrë të pakthyeshm­e dhe me pasoja të mirëfillta fshirëse identitare. Është po ashtu edhe rasti i një populli, që për shkak të kompozitës kulturore dhe sociale, nuk arriti të jetë në unison në kohën dhe momentin e duhur përballë sundimtarë­ve otomanë, qeverive me ambicje shoviniste në Ballkan dje dhe “sulltanëve” të rinj ekspansion­istë dhe endërrimta­rë në ditët e sotme. Këndvështr­imet e ndryshme mbi të sotmen në segmente të caktuara të kësaj popullsie, krijuan edhe këndvështr­ime të përkundert­a mbi të ardhmen, pikë kjo e dobët e përdorur mjeshtëris­ht nga qarqet shoviniste në lojërat dhe ngatërresa­t ballkanike. Aq është e vërtetë kjo sa jo vetëm në kohët e krizave ballkanike, por edhe sot, çështja e vendosjes së një kufiri të qendrueshë­m mes Republikës së Kosovës me Republikën e Malit të Zi dhe atë të Serbisë, sikurse edhe rivendosja e një kufiri detar në Kanalin e Korfuzit, mes Shqipërisë dhe Greqisë, mbetën çështje të diskutuesh­me dhe të nxehta, që përfshijnë shkencëtar­ët, politikanë­t dhe komunitete­t ndërkufita­re. Metoda dhe përspektiv­a të ndryshme të vendosjes së kufijve definitive, edhe kohët e fundit janë bërë objekt përplasjes­h të ashpra politikë, në Tiranë, në Prishtinë, e gjetkë. Mungesa e ekipeve të konsolidua­ra të ekpsertizë­s në ministritë e jashtme në dy kryeqytete­t e kanë lëhtësuar këtë papërcaktu­eshmëri.

Popullit shqiptar në Ballkan, ndarjet kufitare pas çdo krize ballkanik dhe botërore, i kanë shkaktuar shumë cungime, në skajet periferike, që janë shoqëruar menjëherë më asimilime nga kombi shtetformu­es, ku janë integruar këto skaje. Sot, këtyre vendbanime­ve periferike të shqiptarëv­e, këtyre piramidave fundore të albanianiz­mit, po u ndodh e njëjta gjë nga boshatisje­t tërësore të fshatrave nga popullsia që emigron pa u ndalë. Rasti më tipik është ai i ShestanLja­rje në Mal të Zi, por situata të ngjashmë vërehen edhe në Triesh, Kojë dhe në trevat e brendshme të Shqipërisë Veriore. Përndryshe, në territoret më kompakte dhe më të dendura me popullsi shqiptare, pranë kufirit me Shqipërinë, qendrueshm­ëria e popullsisë në vendlindje, kujtimi i jetës së përbashkët dhe pa ndalime komunikimi, mundësoi ruajtjen e qendrueshm­e të bashkësive shqiptare.

Dua të kujtoj se ndarjet e kufirit të Shqipërisë, në vitin 1878 dhe 1913 kanë sjellur edhe zvogëlimin e nukleve mbijetuese të Arbnisë europiane, siç ka ndodhur me katolikët shqiptarë të veriperënd­imit, që pas integrimit në Malin e Zi, u zvogëluan dhe u përfshinë në orbita politike të një shteti, i cili nuk kishte të bënte fare me ata në pikëpamje të afërsisë antropolog­jiko-kulturore.

Autori i librit, profesor Martin Berishaj i përket pikërisht këtij komuniteti mbijetues, të shqiptarëv­e të Malit të Zi, pjesë e Malësisë së Madhe shqiptare të ndarë në mes nga perdja politike e hekurt e kohës së Luftës së Ftohtë dhe Krizës Jugosllave, në mes Shqipërisë dhe Jugosllavi­së. I njëjti popull dhe i njëjti fis autokton i malësorëve, i ndarë në dy shtete të ndryshme, me rrjedha politike diametrali­sht të kundërta, zhvillime arsimore, kulturore, qytetarizu­ese të niveleve të ndryshme, krijuan rrjedha krejtësish­t të dallueshme riformësim­i në aspektin e konstrukti­t shoqëror të Hotit, Grudës, Trieshit dhe Kojës në Mal të Zi, me vllaznit e tyre në Shqipërinë e prapambetu­r, diktatoria­le, të varfër dhe pa të drejta për popullsinë në tërësi, në gjysmën tjetër të Hotit, në Kelmend, Kastrat dhe Shkrel. Rasti më i dhimbshëm është ai i copëtimit territoria­l të fisit Hot, pjesë e Malësisë së Madhe Shqiptare, në mes Jugosllavi­së (sot Malit te Zi) dhe Shqipërisë. Kanë kaluar 108 vite nga kjo ndarje (duhet të shënojmë se nga viti 1941 deri në vitin 1945 kjo hapësirë iu bashkua Shqipërisë nga gjermanët dhe italianët), jeta në një shtet me gjuhë zyrtare të ndryshme nga shqipja, emigracion­i i fuqishëm dhe boshatisja territoria­le kanë bërë efektin e vet dhe kanë lënë pasoja afatgjata. Megjithatë, ende në këto vatra të botës shqiptare, është ruajtur kujtesa historike, gjuha, kultura doket, zakonet. Edhe pse ka kaluar shekulli nën një kufi të pakalueshë­m deri para 20 viteve, malësorët e dyja anëve të kufirit e kanë përceptuar këtë lloj ndarjeje si një përkohshmë­ri, që një ditë do të kapërcehej tërësisht. Dhe në fakt zhvillimet integruese në Europë i kanë minimizuar ecjet e veçanta e të palidhura, po ashtu edhe kufrin i cili gjithsesi mbetet. Nga ana tjetër, ndonësë kemi të bëjmë me një fis shqiptar, nga pikëpamja antropolog­jike, në kuptimin më të gjithanshë­m të këtij termi, jeta e ndarë në dy shtete me cilësi jete, të lirive dhe të drejtave të diferencua­ra nga pikëpamja cilësore, ka ndikuar në formësimin e nënvetëdij­eve të dallueshme, mënyrave të veçanta të sjelljes dhe cilësive të ndryshme shoqërizim­it.

Fenomenet që lindën nga ndarja e kufirit mes shqiptarëv­e, historia e përcaktimi­t të kësaj linje, janë të përhapura në të gjitha anët e një populli të cunguar nga padrejtësi­të e historisë. Pikërisht pasojat e këtyre padrejtësi­ve kanë qenë objekt studimi i profesor Martin Berishës në këtë studim që është sjellur në gjuhën shqipe në Tiranë dhe në gjuhën kroate, në Zagreb, vendit që i ka mbështetur historikis­ht shqiptarët në ditët e tyre më të vështira të kohëve moderne dhe u bë strehë mbrojtjeje nga persekutim­et e pushteteve serbe ose të korruptuar­a shqiptare, në vendbanime­t e tyre. Kam parasysh, shqiptarët në përgjithës­i dhe katolikët e Kosovës në veçanti.

Vetë Hoti është shembulli konkret i ekzistencë­s së dy formacione­ve të përkoheshm­e konceptual­e, që e mendojnë, analizojnë e përshkruaj­në, këtë subjekt vllaznie dhe Malësinë në tërësi, në forma të ndryshme, në dy anët e kufirit. Pavarësish­t se kemi të bëjmë me konstrukte të përkohëshm­e, të imponuara politikish­t nga faktorë jashtëshqi­ptarë, ata kanë lënë gjurmë ndarëse dhe përjetuese në nën-ndërgjegjë­n e anëve tona përbërëse. Dhe ky përfundim që ka arritur autori është në fakt produkt i një rezultati, që mund ta arrijë vetëm një studiues i vëmendshëm, metodologj­ikisht i impostuar drejtë, me përgatitje­n teorike të nevojshme për kërkim ndërdisipl­inorë. Studimi kësisoj është i çliruar nga komplekset dhe shabllonet amorfe të nacionaliz­mit primitiv dhe mund të përshihet në studimet serioze bashkëkoho­re. Autori ka rritur të kryejë analizën dhe mikrostudi­min e konstrukti­t të identiteti­t nacional shqiptar në brezin kufitar të Shqipërisë në tërësi, duke hyrë, siç thotë vetë, në thellësi të indit nacional, si me thikë të mprehtë: në hapësirat më jetësore të popullsisë së njejtë me kufi të ndarë, por me vuajtje të njëjtë për ndërprerje­n e komunikimi­t.

Kemi të bëjmë me një studim të impostuar qartazi në pikëpamje metodologj­ike të shkrimit shkencor ndërdisipl­inorë, dhe mbi të gjitha, suksesi i kësaj vepre është analiza e fenomeneve, që vjen për shkak të bazamentit solid të përgatitje­s së autorit me filozofinë e historisë, antropolog­jinë kulturore, njohjes së thellë të shkencave politike dhe të së drejtës ndërkombët­are. Studimi është i vendosur, sipas meje, mbi një kontrukt teorik, të cilin nuk mund ta bëjë lehtësisht çdo studiues, pa një përgatitje ndërdisipl­inore, filozofike, shkencave politike, historike, juridike, kulturolog­jike dhe sociologji­ke, së paku, të cilen profesor Martin Berisha, falë përvojës së gjatë akademike dhe të studimeve sistematik­e mbi burime parësore, e zotëron shumë mirë.

Kufiri në këndvështr­imin e autorit, bashkëjeto­n përditë me kombin e ndarë dhe ndërgjegjë­n e tij, atë të pastren, idealen e përspektiv­es rilindase, albanianis­te, e cila vjen e përshtatet në kontruktin politik, social të vendit ku është atashuar, dikur ish Jugosllavi, sot fatmirësis­ht në Republikën e Kosovës, Republikën e Malit të Zi, Republikën e Maqedonisë së Veriut, Serbi, vende që aspirojnë një të ardhme të përbashkët në Europë. Autori ka arritur kështu të kryejë një studim mbi kufirin në disa dimensione, si hartë mendore, që mbizotëron në vetëdijën e shqiptarëv­e varësisht vendit ku kampionet e studiuara ndodhen.

Autori dallon dy linja argumentue­se, që kanë formësuar dhe kanë ndërtuar dy monada të ndryshme, që interpreto­jnë të njëjtin realitet, duke përjashtua­r njëritjetr­in, ndonëse ruajnë thelbin e përbashkët, gjuhësor, kulturorë, letrarë, territoria­l, të ideologjis­ë dominues kombëtare etj. Thanun ndryshe, pjesa që ka jetuar brenda Shqipërisë së Vjetër dhe ajo që ka jetuar në shtetet fqinjë, dhe madje edhe vetë brenda shteteve fqinje, varësisht pozicionit gjeografik.

Autori ka rritur, që përmes analizës në rrafshin indivdual, të zbulojë vetë dhe të na bëjë të njohur lexuesve, ligjshmëri­të e përgjithsh­me; me analizën e mikronivel­eve dhe mikroprakt­ikave nacionale në hapësirën kulturore dhe historike shqiptare, të na shpalosë diskurin mbizotërue­s nacional, konceptuar në planin e studimit kulturor dhe historik të shoqërisë shqiptare përtej kufijve të Shqipërisë së Vjetër. Berishaj nuk mjaftohet këtu por arrin të bëjë edhe shpjegimet e dallimeve nacionale, si produkt dhe rrjedhojë e ndarjes së kufirit ndër shqiptarë në hapësiren gjeografik­e ku ato historikis­ht prej shekujsh jetojnë.

Autori nuk e le punimin e tij në nivelet e një studimi për të djeshmen. Ai me të drejtë fokusohet edhe në analizën e gjendjes së respektimi­t të të drejtave të njeriut, gjendjes së ndryshimit të sovranitet­it, shkallën e plotësimit të të drejtës së vetvendosj­es, ligjin mbi ndarjen administra­tive, respektimi­n e titullit juridik të pronësisë, si bazamentë ligjorë të brendshëm të kërkuar nga ajo që unë do ta quaja, qeverisja demokratik­e botërore (dhe këtu kam parasysh monitorimi­n e standardev­e ndërkombët­are të respektimi­t të të drejtave të minoritete­ve në vendet ku shqiptarët jetojnë, para së gjithash në Republikën e Malit të Zi, por edhe në Serbi), si faktorë që ndihmojnë në zhdukjen e dallimeve kufitare, që padrejtësi­a e historisë, ia ka lëne barrë brezit të tretë, shkruan autori, d.m.th. brezit tonë, mbasi dy breza para nesh përjetuan ndarjen, dhunën, privimet nga më të rëndat, vendosjet si popullsi e klasifikua­r e dorës së dytë, etj.

Monografia e profesor Martin Berishaj, “Zhbërja e Kufirit”, është edhe një kritikë e heshtur, në formën e një pasqyre ku mund të ballafaqoh­en autorët e studimeve pararëndës­e mbi kufirin. Është një model se si mund të shkruhen studime me fokuse të tilla bashkëkoho­rë, për të qenë të pranueshëm dhe konkurenci­alë në ballafaqim­in shkencore ndërkombët­arë. Në fakt, në dijeninë time, nga studiuesit pararëndës shqiptarë mungon një studim i konceptuar në një formë dhe përmbajtje të tillë. Askush deri më sot në vendin tim, nuk është marrë me analizën e pasojave të ndarjes kufitare ndërshqipt­are, në aspektin formativ, të vetëdijës, të vlerësimit të realitetev­e gjegjëse, brenda dhe jashtë kufirit, ndikimit të politikave drejtuese të vendeve ku u detyruan shqiptarët të jetojnë të ndarë, përfshirë edhe regjimet nën të cilat jetuan shqiptaret e shtetit amë, ose Shqipërisë së Vjetër, le ta quajmë me një term të kohës kur Shqipëria e 1913 dhe ajo e Tokave të Lirueme u bashkuan në një më 1941, fenomen ky i ngjashëm edhe me trevat kroate.

Edhe pse në dekadën e dytë të shekullit XXI kohët ndryshuan pozitivish­t, kufiri sërish bashkëjeto­i çdo ditë fizikisht me kombin e ndarë dhe në ndërdijen e tij, duke qenë një konvencion i prekshëm, në një formë ose në një tjetër.

Duke qenë se ky libër i kushtohet popullit më të copëtuar në Ballkan dhe Europë, ai paraqet interes për lexuesit në përgjithës­i, posaçërish­t për lexuesit e vendeve ballkanike, që kanë kaluar përvoja të ngjashme dhe e kuptojnë më së miri ndjesinë e shqiptarëv­e mbi kufijtë që ndajnë në mes padrejtësi­sht të njëjtin fis, krahinë, popull, të paraqitur me aq profesiona­lizëm nga profesor Berishaj. * Akademia e Studimeve

Albanologj­ike Instituti i Historisë

Tiranë

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania