Gazeta Shqiptare

EUROSTAT/ 234 mijë shqiptarë kërkuan azil në BE që nga 2008-ta. Gjermania, vendi kryesor ku ikin

-

Q ë nga janari i vitit 2008 deri në korrik 2021 janë rreth 234 mijë shqiptarë që kanë kërkuar azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas statistika­ve të publikuara nga EUROSTAT dhe të përpunuara nga "Monitor". Gjermania është vendi kryesor ku janë drejtuar ata që ikin në kërkim të një jete më të mirë. Sipas EUROSTAT-it, kërkesat gjithsej për azil në Gjermani për periudhën në fjalë ishin rreth 95 mijë, ose rreth 40% e totalit. Shteti i dytë më i preferuar është Franca, me rreth 63 mijë kërkesa gjithsej për azil, ose 26% e totalit. Më pas renditet Mbretëria e Bashkuar, me 21 mijë kërkesa gjithsej (rreth 9%). Për Mbretërinë e Bashkuar të dhënat janë raportuar deri në fund të vitit 2020. E katërta është Greqia, me 16.5 mijë kërkesa (7%), e ndjekur nga Suedia, me 4.5% të totalit. Sipas viteve, numri më i madh i aplikimeve për mbrojtje ndërkombët­are (azil) është shënuar në vitin 2016, me gati 69 mijë, ku gati 80% kishin destinacio­n Gjermaninë. Vitet e mëvonshme, aplikimet u përgjysmua­n, ndërsa në 2019-ën u shënua një tendencë rritëse e lehtë. Nga viti 2017, vëmendja u zhvendos nga Gjermania drejt Francës, që në 2019-ën kishte gati gjysmën e kërkesave. Në 2020-ën, pandemia i frenoi përkohësis­ht aplikimet për shkak të karantinav­e dhe kufizimeve të udhëtimeve, por nuk i ndali tërësisht. Ndërsa në verën e këtij viti po konstatohe­t sërish rritje e kërkesave për azil, ndonëse ende mbetet poshtë niveleve të parapandem­isë. Sipas EUROSTATit, në korrik 2021 kishte 735 kërkesa për azil nga Shqipëria, niveli më i lartë që nga fillimi i pandemisë, me rritje prej 24% në krahasim me muajin e mëparshëm. Shifra mund të jetë edhe më e lartë, pasi për korrikun nuk kanë raportuar ende të gjitha shtetet. Gjithsesi, në raport me janarin 2020, kur nuk kishte filluar ende pandemia, kërkesat për azil mbeten pothuajse të përgjysmua­ra. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët vijojnë që të kenë vrullin më të lartë për t'u larguar, duke pasur në qershor trefishin e kërkesave të Serbisë, që renditet e dyta pas nesh. EUROSTAT-i bëri të ditur se këtë vit dy shtetet më të preferuara nga azilantët janë Franca, që ka parë një rritje të fortë në korrik me 650 kërkesa, nga 270 muajin e mëparshëm. Ndërsa në qershor, pas Francës renditej Greqia, me 165 kërkesa (ky shtet nuk ka raportuar ende për korrikun).

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania