Gazeta Shqiptare

“Dëmtuar gjatë rrugës” dhe pse?

(Rreth romanit me të njëjtin titull të Besnik Mustafaj)

- Nga Artur Spanjolli

Indoktrini­m, shpëlarje trushë dhe frikë janë veç disa nga elementët që përbëjnë masën tregimtare të shkrimtari­t Besnik Mustafaj te romani “Dëmtuar gjatë rrugës”. Që në rrjeshtat e parë ndjehet emocioni me të cilin autori ka dashur të impostojë historinë. Sinqeritet, ndershmëri, dhe bindje naive në një ideologji, e cila dukej sikur i kish hedhur trutë e gomarit mbarë popullit. Kjo për dy arsye. E para, pjesa dërrmuese e popullit vinte nga injoranca feudale kur përqafoi çështjen e sovjetikëv­e, duke menduar se ajo ishte rruga e drejtë e së ardhmes. E dyta, me shtypjen e intelektua­lëve. Terrori, vrasjet, burgjet, internimet dhe poshtërime­t, që njeriu i ri komunist i bëri pjesës më të ndritur të kombit, duke mbledhur rreth vetes vetëm të paditurit, kokëgdhëtë.

Më shumë se kryqi, ku i tërë populli u gozhdua për 45 vjet, në romanin “Dëmtuar gjatë rrugës” ndjehet fryma e imponuar komuniste, e cila me mjete në dukje “demokratik­e”, (ajo proklamont­e çlirimin e popullit nga skllavëria e bejlerëve) ushtronte veç dhunë mbi psiqikën e njeriut. Kjo del qartë te personazhi kryesor i romanit, shoqja S, të cilën Partia, dashur pa dashur, e tërheq nga anonimitet­i i amvisës së sapo martuar dhe, për çështjet e larta të Idealit të Njeriut të Ri, e përdor gjithkund. Dhe fare pa respekt për intimiteti­n e saj. Ironia e autorit tek tregon absurdin e njeriut të ri komunist, luftën e klasave dhe tërë aparatin e pështirë politik te viteve ’60 të shekullit të kaluar arrin deri në sarkazëm. Autori shpalos me elegancë dhe zgjuarsi ç‘ishte mbrapshtia e madhe komuniste në vend. Shoqjes S., e paraqitur te njeriu më i fuqishëm i qytetit, do të duhej të vuante shumë, deri sa t’a merrte vesh pse e kishin sjellë në Komitet. Në këtë ankth gati kafkjan, ku kishte të ngjarë të të ikte edhe koka, asaj i ngarkohet një detyrë fare e çuditshme dhe e papritur për një nënë të re, e cila do thjesht të rrisë fëmijën e saj dhe të merret me punët e shtëpisë. Detyra e thërret dhe ajo duhet të bindet. Partia mbi të gjitha.

Autori, edhe pse ngjarja është fare e thjeshtë dhe e kursyer me intriga apo koklavitje njerëzore, di ta mbajë lexuesin të gozhduar. Dhe kjo falë zhbirimit psikologji­k, që ai i bën personazhi­t kryesor. Krijueses dhe prodhueses së opingave, të cilat do t’i shkonin si dhuratë liderit më të pushtetshë­m bolshevik.

Mëdyshjet, ankthet, frikërat, pasiguritë, tronditjet dhe troket e zemrës së saj, autori na i jep me një mjeshtëri të pashoq. Dhe ndërsa historia ecën përpara, Mustafaj na fut në një botë, të cilën kemi arritur t’a mposhtim me mundim. Një botë më absurde se ajo e Vëllai të Madh, ku edhe vetë Orwell-i do të tmerrohej nga larmija e absurdit. Nga indoktrini­mi dhe besimi idiot, në një nga ideologjit­ë më të mbrapshta, e cila mashtroi për gati njëqind vjet pothuajse gjysmën e botës.

Jam i sigurt se brezat e ardhshëm shqiptarë do të ulërasin: “ç’kemi bërë!” dhe do të venë duart në kokë nga tmerri. Por edhe pse e keqja erdhi nga Rusia, ajo para së gjithash do gjetur në mendjen e mbrapshtë të vetë popullit shqiptar. Te cenet e tij, tek injoranca, tek ideja e sundimit me kërbaç, te helmi për njëri tjetrin, te spiunllëqe­t dhe tek inati atavik i trashëguar nga vetë njeriu ballkanas.

Te bota shqiptare, doktrina gjeti terrenin e duhur për t’u zbatuar. Doktrinë, e cila kishte nevojë për një popull pa një ndërgjegje kulturore; por edhe pa një botkuptim civil dhe europian, i cili jo vetëm e besoi Gënjeshtrë­n e madhe, por luftoi me naivitet, për t’a mbrojtur atë.

Atë botë Mustafaj ka ditur ta pikturojë aq bukur te ky roman, ku vërtet nuk ndodhin shumë gjëra, por me ato pak gjëra që ndodhin, ai arrin të zbulojë saktë dinamikat e fëlliqura, të cilat e mbanin gjallë, e ushqenin dhe e forconin sistemin e “njeriut të ri”. Faqe të bukura në roman janë raporti intim i nënës së re me fëmijën e saj të sapolindur. Shoqja S. (nëna e narratorit) arrin përherë t’i flasë foshnjës së saj. Ajo është e bindur se ai jo vetëm e kupton, por edhe e mbështet. Dhe kjo është një linjë tjetër e bukur e historisë. Bashkë me qumështin e gjirit, ajo duket sikur i fut atij në shpirt edhe një pjesë të shpirtit të vet prej nëne, e cila kujton ato të baladave të veriut shq i p t a r. K j o e t a n i s h m j a i s h t e një botë e thjeshtëzu­ar, e panjohur, plot me të papritura. Duke depërtuar në këtë raport misterioz nënë – fëmijë, autori arrin të hulumtojë thellë në lidhjen e pazgjidhsh­me të dy krijesave. Një lidhje embrionale dashurie pa skaje, e cila do të determinoj­ë edhe njeriun e së ardhmes me tërë vetitë e tij.

Mustafaj është mjeshtër në përdorimin e fjalës shqip. Ai arrin të pikturojë një mikrokozmo­s nën diktat, ku gjithçka shëmbëllen si bindje e sinqertë, si zgjedhje e vetdijshme, por mjafton pak, fare pak, një fjalë, një pëshpërimë pakënaqësi­e, një ofshamë më shumë dhe njeriu mund t’i hapë varrin vetes. Kjo duket qartë te personazhi i Selmanit. Zhgënjimi i tij është zhgënjimi i shumë njerëzve, të cilët patën një ideal në gjoks. Po bukur jepen edhe detajet me komunistet entuziaste si Kumrija apo Rushja, të cilat duke lozur me sedrën dhe ndjenjat e njerëzve, impononin lojën e pushtetarë­ve.

Brenga e shoqes S., dyshimi i saj se mos akuzohej si bashkëpunt­ore e armiqve vendit mbas faktit absurd të ngjarë në OKB, është edhe brenga e qindra mijë shqiptarëv­e, të cilët jetonin nën frikën e ujkut të veshur me lëkurë qengji. Hipokrizia e komunistëv­e, të cilët proklamoni­n diktaturën e proletaria­tit, ishte hipokrizia e vetë sistemit. Një sistem i mjerueshëm. Me vlera fare mediokre. Ky ishte edhe krimi më i madh i komunizmit budalla shqiptar. Një politikë pa mendim, pa largpamësi, veç e veshur me një ideologji, imponuar ndaj një populli lënë në mjerim dhe varfëri si shirtërore ashtu edhe materiale.

Ankthi nuk do t’i shqitet kurrë shoqes S. - punuesja e opingave. Shumë vite më vonë, kur vendi ishte i lirë, ajo do t’i kërkonte të birit, tashmë burrë dhe me funksione të larta shtetërore, detaje mbi ndodhinë e Hrushovit në OKB. Detaje të cilat ajo i kishte merak dhe peng t’i dinte si duhej.

Në roman autori na vjen me një shqipe të kthjellët, të saktë dhe të mrekullues­hme. Një gjuhë, e cila hulumton me kujdes çdo palë, çdo centimetër të shpirtit të protagonis­tes. Ndaj dhe libri është një këngë e thellë dashurie, mirënjohje­je dhe falenderim­i që shkrimtari, (personazh në djep gati gjatë gjithë librit) i thur jo vetëm nënës së tij, por shumë e shumë nënave shqiptare që rritën fëmijë nën diktaturë.

Një roman dinjitoz, i cili do t’u duhet brezave të ardhshëm për të kuptuar absurdin e sistemit të centralizu­ar, njeriun e ri komunist, frikën e njerëzve të indoktrinu­ar dhe sidomos, për të njohur më mirë njeriun shqiptar dhe të shkuarën tonë të hidhur, me qëllim që mos të përsëritet akoma i njëjti gabim.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania