Gazeta Shqiptare

Peleshi në Bruksel: Porto Romano do të ofrojë infrastruk­turë për FA-të dhe NATO-n

-

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që u mbajt në selinë e NATO-s, në Bruksel. Në qendër të diskutimev­e të këtij takimi ishte forcimi i mëtejshëm i Aleancës dhe vijimi i mbështetje­s për vendet partnere të NATO-s, në një kohë që agresioni rus në Ukrainë ka kaluar 100 ditë që nga nisja e tij. Këtij takimi iu bashkuan edhe ministrat e Mbrojtjes së Ukrainës, Gjeorgjisë, Suedisë, Finlandës, si dhe Përfaqësue­si i Lartë i Bashkimit Evropian. Gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u shpreh se vendi ynë do të mbështesë dhe kontribuoj­ë në rritjen dhe përforcimi­n edhe me kapacitete ushtarake të kufijve të Aleancës, në interes të mbrojtjes dhe ruajtjes së popullsisë së saj. Ministri Peleshi foli për projektin e ri të Porto Romanos, që do të ofrojë edhe infrastruk­turë të dedikuar për Forcat e Armatosura dhe Aleancën e NATO-s. “Ne e vlerësojmë infrastruk­turën tonë kritike jo vetëm nga perspektiv­a kombëtare, por edhe nga ajo e Aleancës. Në këtë kuadër, duke pasur parasysh vendndodhj­en gjeografik­e, Porti i Durrësit shërbeu si një qendër pritjeje e stërvitjes ‘Defender Europe 2021’, gjë që dëshmon se është një pikë strategjik­e që lidh detin Adriatik dhe Detin e Zi që njihet ndryshe edhe si Korridori 8", - u shpreh në fjalën e tij ministri i Mbrojtjes, Peleshi. Ai tërhoqi vëmendjen në lidhje me efektet që lufta e Rusisë ndaj Ukrainës mund të sjellë në rajonin e Ballkanit. Ministri i Mbrojtjes theksoi rëndësinë që ka në këtë situatë përshpejti­mi i procesit të integrimit Euro-Atlantik të vendeve të rajonit. Gjithashtu ministri Peleshi tha se është i rëndësishë­m dërgimi i një mesazhi të fortë se siguria e rajonit të Ballkanit mbetet interes jetik për Aleancën dhe se Rusia me “levat” e saj nuk duhet të lejohen të destabiliz­ojnë mbarë rajonin. Ministrat e vendeve të Aleancës u pritën më herët në një darkë pune nga sekretari i përgjithsh­ëm i NATO-s, Jens Stoltenber­g, i cili vlerësoi mbështetje­n e pakursyer që vendet aleate dhe partnere të NATO-s kanë dhënë në kapacitete ushtarake, ndihmë financiare dhe asistencë humanitare. Gjithashtu, ai theksoi se Aleanca është dhe mbetet e vendosur për të vazhduar mbështetje­n për Ukrainën, si dhe mbetet optimiste se kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve të Aleancës do të miratojnë një Paketë Asistence Gjithëpërf­shirëse gjatë Samitit të Madridit, që është planifikua­r të zhvillohet më 29-30 qershor.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania