Gazeta Shqiptare

“USHTARËT ECIN NË KËMBË 5 ORË PËR TË SHUAR ZJARRIN, LOPATË DO TË MARRIN ME VETE”

Peleshi: Jemi vend i vogël, s’ia vlen të kemi avionin tonë për shuarjen e flakëve

-

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare deklaroi se Shqipëria nuk ka mundësi që të blejë një avion 50 milionë euro, që shërben për shuarjen e flakëve. Ai tha se ushtarëve gjatë vitit të kaluar iu desh që të ecnin për gati 5 orë në këmbë për të shuar zjarrin në Llogara apo edhe në Sazan. “Problemi, ose çështja nis nga reagimi i pushtetit vendor, i kryeplakut të fshatit, që aty duhet ta kërkojmë përgjegjës­inë. Ne jemi hallka e fundit. Kur zjarri merr përmasa të mëdha, është ndërhyrja me trupa. Ushtarët tanë në Sazan bënin 4-5 orë rrugë në këmbë. Ç’mund të mbërrinin më shumë se me një lopatë xheniere?! Ka ndërhyrë një anije e forcë detare në Sazan. U aktivizuan 280 trupa, tokësore dhe detare. Më pas na erdhi mbështetja civile nga Greqia. S’e kam natyrën që u iki përgjegjës­ve. Duhet të kemi bashkëpuni­me, pasi kur vjen puna për emergjencë­n, ti duhet të shtrish dorën. Ne nuk kemi helikopter­ë të posaçëm për shuarjen e zjarrit. Këtë fakt e di publiku. Pse nuk kemi? Këtë mund ta diskutojmë. Mendoj se një vend i vogël si Shqipëria s’ka leverdi që të investojë për një helikopter për shuarjen e zjarreve. Jemi një vend i vogël dhe s’ia vlen që të kemi një avion tonin. Edhe nëse i kemi 50 mln euro, s’mund t’i investojmë atje për ta përdorur një muaj, shtuar dhe kostot e mirëmbajtj­es, që janë të mëdha. S’ka kompani që bëjnë mirëmbajtj­en e avionëve, është treg i vogël. Çfarë bëjmë ne? Ne mirëmbajmë flotën tonë ajrore jashtë vendit. Ndaj kostot tona janë edhe më të mëdha”, - tha Peleshi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania