Gazeta Shqiptare

Kursi i këmbimit/ BSH: Euro rifiton terren, kthehet pranë 115 lekëve

-

Euro ka rifituar terren në kursin e këmbimit me lekun në ditët e fundit. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye dje me 114.94 lekë, në rritje për të dytën ditë radhazi. Që nga e mërkura, euro ka rifituar pothuajse një pikë në kursin e këmbimit me lekun. Në fillim të kësaj jave, euro ra poshtë nivelit të 114 lekëve dhe shënoi pikën më të ulët të këtij viti, në nivelin e 113.97 lekëve, ndërsa duket se kjo rënie po korrigjohe­t pjesërisht. Agjentët e tregut valutor shprehen se, pavarësish­t rritjes së ditëve të fundit, në treg nuk vërehet ndonjë kërkesë me bazë të gjerë për monedhën europiane. Me shumë të ngjarë, rritja mund të jetë e ndikuar nga operacione sporadike në vlera të mëdha. Një faktor mund të jetë edhe nevoja e aktorëve të mëdhenj të tregut valutor (banka) për të mbyllur pozicionet që mund të jenë hapur në javët e fundit, për shkak të rritjes së volumit të shitjeve të euros, rritje e nxitur nga kursi i favorshëm për blerësit. Një fenomen i tillë u vërejt edhe në ditët e fundit të dhjetorit, kur rënia e kursit në nivelet minimale historike rriti kërkesën për monedhën europiane dhe kjo solli në vijim një lëvizje të kursit në kahun e kundërt, në rritje. Agjentët e tregut shprehen se balancat e kërkesës dhe ofertës në treg nuk kanë luhatje të mëdha dhe perspektiv­a e kursit ngelet në favor të lekut, që besohet se do të vijojë të ruajë pozita të forta krahasuar me periudhat e mëparshme. Nëse shohim tendencat e kursit në afat më të gjatë, leku po vazhdon të mbiçmohet në kursin e këmbimit me lekun. Kursi mesatar i këmbimit për periudhën 1 janar-16 mars 2023 është në nivelin 115.75 lekë, nivel ky 5.3% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas ekspertëve, forcimi i lekut mund të shpjegohet, në radhë të parë, me ecurinë pozitive të flukseve valutore hyrëse, i ndikuar kryesisht nga turizmi, rritja e investimev­e të huaja sidomos në sektorin e pasurive të paluajtshm­e dhe flukset konstante të prurjeve valutore informale. Në fillim të këtij viti një efekt pozitiv mund të ketë ardhur nga përmirësim­i i bilancit tregtar dhe rënia e ndjeshme e deficitit në muajin janar. Nga ana tjetër, një ndikim të caktuar mund të ketë pasur edhe politika monetare me kah shtrëngues e Bankës së Shqipërisë, që është përcjellë me një rritje të normave të interesit dhe yield-eve për instrument­et financiare në lekë. Kjo mund të ketë ndikuar në kërkesë më të madhe për lekë dhe në rritje të ofertës së euros, sidomos në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kur rritja e yield-eve arriti kulmin./ MONITOR

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania