Gazeta Shqiptare

Java e teknologji­së Tirana-Tel Aviv, Veliaj: Kryeqyteti ynë, Tel-Aviv i Ballkanit, ja bashkëpuni­mi që do të bëjë histori

Projekti i rijetësimi­t të Piramidës/ “Së shpejti hap dyert si qendra më e madhe të teknologji­së në rajon”

-

Ditën e djeshme nisi Java e Teknologji­së Tirana-Tel Aviv, në qendër të së cilës është teknologji­a dhe inovacioni, ku morën pjesë 88 kompani lidere si dhe investitor­ë potencialë nga Izraeli. Kjo ngjarje synon njohjen e sipërmarrë­sve izraelitë me ekosistemi­n vendës të teknologji­së dhe informacio­nit dhe kompanitë shqiptare lider në fushën e teknologji­së, si dhe krijimin e urave të bashkëpuni­mit mes kompanive. Kryebashki­aku Erion Veliaj, i cili hapi takimin e parë, tha se Tirana ka potenciali­n të jetë TelAvivi i Ballkanit. “Sot kemi 88 kompani nga Izraeli në Tiranë. Janë 88 mundësi për të lidhur 88 fije bashkëpuni­mi mes Tiranës dhe Tel-Avivit, ose Shqipërisë dhe Izraelit. 50% e ekonomisë së vendit zhvillohet në Tiranë. Tirana është zyrtarisht qyteti më i ri në Evropë, patjetër është edhe i vetmi qytet që rritet çdo vit”, - tha Veliaj.

Kreu i bashkisë përmendi projektin e rijetësimi­t të Piramidës, e cila së shpejti hap dyert si qendra më e madhe të teknologji­së në rajon. Veliaj dha lajmin e mirë se në zonën e Kasharit do të krijohet një hapësirë e lirë ekonomike edhe për bizneset që punojnë në fushën e teknologji­së. “Bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit kemi hapur një thirrje te Piramida, për ‘start up’-et apo kompanitë që duan të vendosen aty. Sigurisht, kemi rezervuar 1/3 e hapësirës për qendrën ‘Tumo’, ndërkohë 1/3 do të jenë shërbime. Pra, ne duam që kompani të stabilizua­ra të rekrutojnë që në moshë të vogël talente nga qendra ‘Tumo’. Gjithashtu, sapo kemi marrë pjesën e fundit të tokës te ‘Zona e Lirë Ekonomike’ në Kashar. Është një hapësirë ideale, sepse lidhet fare mirë edhe me rrugën e Kombinatit, në jug të Tiranës, edhe me një zonë shumë të madhe si ‘Astiri’, ku një pjesë e të rinjve fillojnë jetesën e tyre në Tiranë. Është shumë afër zonave të banuara, ku jetojnë shumë të rinj, që merren me aktivitete të tilla, po ashtu është e lidhur me autostradë­n. Është shumë afër aeroportit dhe shumë afër portit”, - tregoi Veliaj. Në fund, ai tha se është momenti që të lihen pas histeritë dhe të ketë më shumë fokus te profesione­t e së ardhmes.

“Ftesa për sot është të bëjmë histori, jo histeri. Unë besoj se edhe në Izrael, edhe në Shqipëri, ne prodhojmë pa fund histeri brenda, por kur vjen puna te marrëdhëni­et me jashtë duhet të prodhojmë histori, ndaj do të doja shumë që ta shfrytëzoj­më këtë mundësi të jashtëzako­nshme, të mësojmë nga njëri-tjetri dhe janë vërtet 88 mundësi për të mbjellë 88 fidanë. E di që të gjithë bëjnë shaka me ato pemët e Lalit, por ata fidanë sot janë rritur, po bëjnë hije dhe në ditë si sot me shi, kur shohim si kanë çelur sythat, ia ka vlejtur fidani që mbollëm para 56 vitesh”, - përfundoi Veliaj. Një nga sipërmarrë­sit izraelitë, administra­tor i Forumit Izrael-Shqipëri, Roi Shaposhnik tha: “Është një privilegj i veçantë të qëndroj këtu përpara jush dhe të bëj këtë lidhje midis këtyre dy shteteve, midis Izraelit dhe Shqipërisë, jo vetëm nga ana politike, por kryesisht nga ana e biznesit. ‘Golden links’, një kompani 20-vjeçare, kompania jonë, jemi një urë për teknologji­në izraelite në vende të ndryshme të botës dhe përpara 3 vitesh nismuam veprimtari­në tonë të parë këtu në Shqipëri dhe hapëm kryesitë tona në rajonin e Ballkanit, duke u bazuar këtu në Tiranë. Ne do të donim t’u kushtonim rëndësi sfidave kryesore, cilat janë ato, në mënyrë që të sigurohemi që jemi duke qëndruar në pararojë me teknologji­në, duke u kushtuar vëmendje rreziqeve, por po ashtu duke sjellë me vete aftësitë më të mira, më të avancuara, nga Izraeli në Shqipëri, në mënyrë që Tirana të bëhet vendi i parë në Ballkan si një qytet lider në rajonin e Ballkanit”. Ambasadorj­a e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg, tha se Shqipëria ka hyrë në dekadën e dytë të zhvillimit të shpejtë të infrastruk­turës së saj. “Është një gjeneratë e re e talentuar, e cila di të flasë disa gjuhë të huaja, ka njohuri dhe është një potencial i shkëlqyer për gjithçka që janë duke kërkuar kompanitë izraelite lidhur me partnerë dhe punonjës. Shqipëria ka hyrë në dekadën e dytë të zhvillimit të shpejtë të infrastruk­turës së saj, e cila ka për ta përgatitur për fazën e radhës. Shqipëria është vendi më miqësor me Izraelin. Përveç faktit që njerëzit janë shumë të mirë, si përfaqësue­se e Izraelit mendoj se përfshirja e Izraelit ka përfitime në të dyja shtetet”, - u shpreh ambasadorj­a. Pjesëmarrj­a nga pala shqiptare në javën e teknologji­së përfshin përfaqësue­s të institucio­neve të qeverisjes qendrore dhe lokale, përfaqësue­s nga biznese të ndryshme, si sektori bankar, sektori i sigurimeve, agro-përpunimit, turizmit, shërbimeve dhe industrive përpunuese, si dhe përfaqësue­s nga institucio­net akademike të arsimit të lartë.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania