‘Skenar’: Shoqëria civile, mosbesuese ndaj politikës për reformën zgjedhore
Komisioni i reformës zgjedhore po bllokohet nga mosmarrëveshjet politike “Mungesë dëshire për ndryshime thelbësore”
Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore dështoi të martën që të realizonte një mbledhje ku ishin ftuar organizatat e shoqërisë civile për shkak të konfliktit politik për përfaqësimin e opozitës në përbërjen e këtij komisioni. Shumica e deputetëve të opozitës kërkojnë zëvendësimin e bashkëkryetarit të tyre në komision, pas prishjes së balancave politike në grupin e PD-së, por kërkesa e tyre ka rënë në vesh të shurdhër. Ndërsa përfaqësuesit e organizatave prisnin jashtë dyerve të sallës “Pjetër Arbnori” ku do të mbahej mbledhja, deputetët e Partisë Demokratike u përplasën me oficerët e shumtë të Gardës për të hyrë në sallë. Oficerët kishin bllokuar derën dhe nuk lejonin ata që rezultojnë në listën e deputetëve të përjashtuar nga Komisioni i Etikës. “Po e shndërrojnë nga Republikë parlamentare në Republikë të Gardës”,- u ankua deputeti Flamur Noka duke folur për mediat. Ndërkohë, vetë Noka tentoi të bllokonte bashkëkryetarin socialist të komisionit, Damian Gjiknuri për të hyrë në sallë, duke e akuzuar atë se po “emëronte” përfaqësuesit e opozitës në këtë komision. Gjiknuri u tha mediave se i vinte keq që mbledhja nuk u bë dhe fajësoi opozitën për bllokimin e punimeve duke bërë të pamundur që të shprehen organizatat. “Të dyja palët, të dyja opozitat që duhet jenë më të interesuara me çuarjen para të reformës nuk janë aty”,- tha ai duke shtuar se “mazhoranca është komode me kodin aktual”. Bashkëkryetari demokrat, Enkelejd Alibeaj, i cili nuk u duk në sallën e tensionuar, e quajti teatër protestën e kolegëve të tij opozitarë dhe i akuzoi ata se ashtu si mazhoranca, nuk e duan këtë reformë. Komisioni i ngritur që para dy vitesh nuk
ka bërë asnjë përpjekje serioze për adresuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet dhe ka shkelur afatin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese për të garantuar nëpërmjet ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të drejtën e votës së emigrantëve. Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se mungon vullneti politik për të kryer reformën dhe se proces përjashton aktorët e tjerë të shoqërisë.
“Kuvendi nuk ka një qasje reale për të pasur reformë zgjedhore, pasi palët po e keqpërdorin konfliktin për të pamundësuar reformën”,- i tha BIRN-it Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike. Sipas tij, vetë komisioni ka probleme të legjitimitetit, duke iu referuar situatës së krijuar që bllokoi mbledhjen.
Krasniqi po ashtu e quan një “proces informal” konsultimin me shoqërinë civile, i cili sipas tij, bëhet pa një kalendar dhe pa një agjendë mbi diskutimet e mundshme. Ndërsa për Rigels Xhemollarin, drejtor ekzekutiv i “Qendresa Qytetare”, tensionet dhe krizat politike janë një traditë sa herë lind nevoja për reformë zgjedhore dhe për shkak të tyre përjashtohet roli i shoqërisë civile.
“Palët politike i kanë zgjidhur krizat orët e fundit me marrëveshje, duke pamundësuar një proces ku aktorë të tjerë si rasti i shoqërisë civile të kontribuojnë”,tha Xhemollari. Sipas tij, “nga momenti që ky komision nuk ofron garanci për të zhvilluar një mbledhje është e tepërt të pretendohet se ky komision mund të sigurojë për të marrë parasysh rekomandimet tona”. Edhe Xhemollari thekson se transferimi i konfliktit politik në reformën zgjedhore tregon se ka mungesë vullneti për përmirësime ligjore. “Legjitimiteti politik i komisionit arrihet me konsensus më të gjerë”,- tha ai duke shtuar se Kuvendi është në limitet kohore të parashikuara me ligj për të kryer këtë reformë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që mbahen pas 1 viti. Ndërsa Krasniqi sugjeron që pavarësisht funksionimit ose jo të komisionit, Kuvendi duhet minimalisht të adresojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për votën e emigrantëve që është i detyrueshëm për të. Krasniqi shtoi, gjithashtu, se “duket se ekziston një skenar” për të mos e kryer këtë reformë, e cila sipas tij, duhet të jetë tërësore duke prekur financimet e partive dhe përdorimin e parave në fushatë, mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve dhe sistemin zgjedhor, zgjerimin e votës për kategori që ligji nuk ua mundëson, etj.. “Fatkeqësisht, ajo çfarë partitë duan bie në kontrast me atë çfarë qytetarët presin nga parlamenti”,- përfundon Krasniqi.