Gazeta Shqiptare

Fshehu takimin me Ramën, ish-zyrtari i FBI dënohet me 2 vite e gjysmë burg

McGonigal dënohet me 28 muaj burg, fshehu kontaktet me zyrtarët e Shqipërisë “VOA”, gjykata: Shkelje shumë serioze

-

Gjykata federale e Uashington­it dënoi të premten me 28 muaj burg ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaroa­merikani Agron Neza dhe mosdeklari­min e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeminist­rin Edi Rama.

Gjykatësja e çështjes Colleen Kollar-Kotelly tha në sallën e gjyqit para dhënies së dënimit se fakti që zoti McGonigal kishte marrë para nga dikush që e kishte prezantuar me zyrtarë të huaj në Shqipëri “është një shkelje shumë serioze” dhe se mesa duket në fund të karrierës së tij, zoti McGonigal kishte humbur “kompasin moral”.

Në seancën që e ndoqi në sallën e gjyqit “Zëri i Amerikës”, gjykatësja tha se nuk mund të kishte motivacion tjetër përveçse “pangopësi, por edhe arrogancë” që zoti McGonigal kishte menduar se mund të bënte veprime të tilla, pa pasoja. Gjykatësja tha se në vendimin e saj, ajo kishte marrë parasysh se ai kishte marrë përgjegjës­inë duke pranuar fajësinë për marrjen e 225 mijë dollarëve nga zoti Nezaj dhe lidhjet me zyrtarët e Shqipërisë dhe se kishte shprehur pendesë.

Prokurorët e Departamen­tit të Drejtësisë i kishin kërkuar gjykatës, dënimin e zotit McGonigal me 30 muaj burgim dhe një gjobë prej 95 mijë dollarësh, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, siç thuhet në memorandum­in lidhur me akuzat për rastin e Shqipërisë.

Në seancë, prokurorja Elizabeth Ann Aloi, tha se shkeljet e zotit McGonigal ishin flagrante dhe përbënin korrupsion. Kemi të bëjmë me një zyrtar të lartë të FBI-së që shiti postin “për 225, 000 dollarë. Ai nuk mori para nga një mik i ngushtë,-tha ajo duke iu referuar zotit Neza, por nga dikush që po e lidhte me zyrtarë të huaj”. Prokurorja vazhdoi më tej duke thënë se ai “kishte shkuar aq larg sa kishte hapur një hetim në FBI për një lobist”, nga informacio­net që kishte marrë nga burimet e tij të lidhjeve në Shqipëri,-tha prokurorja. Vetë zoti McGonigal shprehu keqardhjen për veprimet e tij. Në përfundim të seancës, zoti McGonigal nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të “Zërit të Amerikës” duke thënë “jo tani” ndërsa avokati i tij, Seth DuCharme tha se “jemi shumë të lehtësuar”.

Megjithëse avokatët e zotit McGonigal kërkuan që dënimi nga gjykata e Uashington­it të llogaritej në të njëjtën kohë me atë të Nju Jorkut, ku ai është dënuar me 50 muaj burg lidhur me akuzën për shkelje të sanksionev­e amerikane ndaj Rusisë, gjykatësja vendosi që dënimi në Uashington të ishte i veçantë. Nëse dënimet do të konsideroh­eshin të njëkohshme, do të thoshte që dënimi i gjykatës së Uashington­it të ishte pjesë e 50 muajve të caktuara për gjyqin e Nju Jorkut, por si prokurorët ashtu edhe gjykatësja ishin dakord se zoti McGonigal duhet të vuante dënim të veçantë për akuzat e lidhura me Shqipërinë. Sipas prokurorëv­e të çështjes, zoti McGonigal jo vetëm nuk kishte deklaruar marrjen e parave, por kishte avancuar interesat e biznesit të zotit Nezaj dhe gënjeu FBI-në për aktivitete­t e tyre të përbashkët­a, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private. Ai, gjithashtu, kishte fshehur takimet me kryeminist­rin e Shqipërisë, Edi Rama, këshilltar­in e tij Dorian Duçka dhe persona të tjerë. “Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparen­cën dhe besimin në integritet­in e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalon­te krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t’i kryente ato”, ishin shprehur prokurorët në dokumentin ku kërkonin dënimin e zotit McGonigal.

Në shtator zoti McGonigal pranoi fajësinë në gjykatën federale në Uashington, për të gjitha akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet e paraportua­ra me kryeminist­rin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltar­in jozyrtar të kryeminist­rit, Duçka, në këmbim të rrëzimit të 8 pikave të tjera që kishte aktpadia. Kryeminist­ri Rama ka deklaruar se zotin Neza “Nuk e kam njohur më parë asnjë herë. Nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asgjë tjetër, por e kam takuar vetëm në praninë e ish- zyrtarit të lartë të FBI-së”.

Prokurorët: Akuzat mund të vërtetohen “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”

Marrëveshj­a e arritur në shtator mes zotit McGonigal dhe prokurorëv­e, bëri të mundur që çështja të mos shkonte në gjyq. Por aty theksohej se përmes saj palët deklarojnë se “nëse çështja do të shkonte në gjyq”, Shtetet e Bashkuara (prokurorët) mund t’i provonin faktet për të cilat zoti McGonigal pranoi fajësinë “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.

Në seancën e shtatorit, zoti McGonigal iu përgjigj “po” të gjitha aktakuzave për këto fakte. Ato përfshinin mes të tjerash vizitat e tij në Shqipëri, takimet me kryeminist­rin Rama dhe

“mbajtjen e një marrëdhëni­eje të vazhdueshm­e me të” dhe zotin Duçka, si edhe faktin se ai kishte “informuar Prokurorin e Departamen­tit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistrua­r për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeminist­rit Rama”.

Hapja e hetimit për lobistin amerikan

Në akt-padi nuk identifiko­het lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare.

Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamen­tin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktiviteti­n lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së. Zoti McGonigal informoi Departamen­tin amerikan të Drejtësisë për këtë rast, më 25 nëntor, “pasi një ditë më parë ai kishte marrë informacio­n mbi lobistin amerikan” nga zoti Duçka. Në atë kohë, pikërisht dy ditë më parë, më 22 nëntor, BIRN, kishte bërë publik faktin se Muzin kishte deklaruar se kishte

marrë 500 mijë dollarë nga Partia Demokratik­e. Ndërsa në janar 2018, ish-zyrtari i FBI-së, merr sërish informacio­n, këtë herë nga shqiptaro-amerikani Neza. Ky i fundit, sipas aktakuzës, e ka marrë informacio­nin nga zyra e kryeminist­rit të Shqipërisë. Kur vitin e kaluar foli në parlament për këtë çështje zoti Rama tha se “koha së cilës i referohet ky moment, përkon me ditët pasi skandali kishte dalë në media këtu dhe unë apo zyra ime, nuk kishim asgjë tjetër lidhur me këtë, përveç informacio­neve të dala në media se po t’i kishim, si do i mbanim, të fshehura?”, duke shtuar se “po të kisha pasur çfarëdo informacio­ni, më shumë se ato që dolën në media, për faktin e tmerrshëm që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë, do t’ia kisha përcjellë kujtdo që të mundja, pa asnjë diskutim, nga organizata­t partnerë të ndjeshme për këto çështje dhe FBI-së patjetër, të parës fare”.

Por në fakt, në atë kohë, nuk ishte folur për financime ruse. Shkrimi i botuar nga BIRN nuk merrej fare me këtë çështje, e cila doli në dritë më vonë, në mars 2018, pas dyshimeve të ngritura nga një shkrimi i botuar nga revista amerikane “Mother Jones”. Nga ana tjetër, kryeminist­ri nuk ka dhënë asnjëherë shpjegime se përse Neza dhe Duçka u angazhuan drejtpërdr­ejt në këtë çështje, i pari duke u shërbyer si burimi konfidenci­al për FBIsë për këtë rast dhe i dyti, këshilltar­i i zotit Rama, duke sponsorizu­ar udhëtimet e dëshmitarë­ve nga Evropa për takimet e tyre me FBI-në, ndërkohë që zoti McGonigal nuk kishte informuar FBI-në për marrëdhëni­en e tij financiare me zotin Neza, apo kontaktet e tij të vazhdueshm­e me zotin Duçka.

Dokumentet tek të cilat ka qasje “Zëri i Amerikës”, dëshmojnë se hetimi ishte hapur në shkurt të vitit 2018, për disa mospërputh­je në plotësimin e dokumentev­e të FARA-s, ligjit për regjistrim­in e lobistëve dhe se kishte ngjallur pikëpyetje dhe te vetë personeli i FBI-së.

Pikëpyetje­t e zyrtarëve të FBI-së lidhur me kërkesën për hetimin e lobistit

Në mbështetje të këtij fakti, prokurorët bashkëngji­sin një letër të një agjenti të FBI-së ku janë redaktuar disa të dhëna identifiku­ese. Letra mban datën 16 mars 2018 dhe zyrtari që e shkruan pyet se “pse në kushtet e burimeve të kufizuara dhe faktin që shumë zyra në terren kanë vështirësi të hetojnë kërcënime” më serioze, zyra e Nju Jorkut kërkon hapjen e një hetimi për të meta në regjistrim­in si FARA, duke e paraqitur këtë si kërcënim për sigurinë kombëtare?” Më tej, zyrtari shkruan se kërkon që të jetë në gjendje t’u përgjigjet eprorëve nëse lindin pyetje. “Do të doja t’ju shpjegoja atyre se pse po punojmë për një çështje SIM/FARA të lidhur me Shqipërinë, kur çdo ditë unë luftoj për burime për disa çështje të sigurisë kombëtare që kanë lidhje me disa vende që paraqesin kërcënim të lartë si...”, thuhet në letër ku emrat e vendeve të tjera janë të fshira.

Po ashtu është bashkangji­tur edhe vendimi për mbylljen e hetimit, që mban datën 25 korrik 2019, pas daljes në pension të zotit McGonigal, ku thuhet se “zyra e FBI-së e Nju Jorkut nuk ka arritur në përfundimi­n se —— (emër i redaktuar) ka kryer aktivitet kriminal ndërsa përfaqëson­te një forcë politike të huaj dhe se kishte plotësuar dokumentac­ionin e duhur për FARA-n në Departamen­tin e Drejtësisë”. Në këtë vendim përmendet me emër Partia Demokratik­e e Shqipërisë. Ish-zyrtari i lartë i kundërzbul­imit të FBI-së, pranoi në gusht fajësinë, edhe në një gjykatë në Nju Jork, lidhur me akuzën për shkelje të sanksionev­e amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar. Me 15 dhjetor 55-vjeçari McGonigal u dënua nga gjykata federale e Manhatanit me katër vjet e dy muaj burg.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania