Gazeta Shqiptare

Shqipëria dhe krahinoman­ia e Ago Nezhës një prurje e re në publicisti­kën shqiptare

- Prof. Dr. Ethem Ruka

Profesor Ago Nezha, bir i Dukatit dhe Labërisë, nuk është lodhur kurrë së shkruari. Truri i tij është një “laborator” që ka prodhuar pa pushim ditë pas dite, muaj pas muaji dhe vit pas viti. Në këtë rrugëtim jo të lehtë që kap dekada të tëra, dora dhe mendja e tij nuk kanë bërë dhe vazhdojnë të mos bëjnë pushim.

Të shkruash nuk është gjë e lehtë dhe nuk ka ndonjë rregull, thotë Heminguei. Ndonjëherë është e lehtë dhe frymëzimi të vjen përsosmëri­sht, por ka edhe raste që të duket sikur i bie shkëmbit për ta çarë dhe nuk mundesh. Por nuk ka mësues më të mirë për një shkrimtar si Ago Nezha se sa urija e tij për të lexuar e mësuar nga mënçuria e popullit.

Personalit­eti i Profesor Ago Nezhës është rritur gradualish­t edhe pse kohët që ka përshkuar nuk kanë qenë të gjitha ditë me diell. Dhe ja sot, ai e ka vendosur veten me dinjitet në sofrën e shkrimtarë­ve, poetëve dhe publicistë­ve të zëshëm të vendit. Rrugëtimet e njerëzve të sukseshëm janë të ndryshme, por të gjitha kalojnë më shumë mbi gjemba se mbi lule.

Në këtë botë kaq të bukur por edhe kaq të ashpër, asgjë nuk lind dhe rritet rastësisht. As Agua nuk bën përjashtim. Ai e ushqeu shpirtin dhe fantazinë qysh në fëmijëri me këngët, legjendat, baladat dhe historitë e moçme të kapedanëve të lirisë, jo vetëm të Labërisë e Vlorës si “Perëndeshë e Pavarësisë”, por të gjithë Shqipërisë.

Profesor Nezha ka qenë vazhdimish­t në garë me kohën, për të mos humbur asnjë çast të saj. Ai ka qenë dhe mbetet një qytetar i shqetësuar. Kështu ka qenë gjithmonë si i ri edhe tani në moshë madhore: aktiv, gjithëpërf­shirës, antikonfor­mist, vlerësues dhe kritik me kamzhik në dorë.

Të bëhesh njeri publik nuk është e lehtë. Duhet të përballesh me opinionin, me ata që të vlerësojnë, ata që të nënëçmojnë dhe për më tepër për ata që të kritikojnë e sulmojnë. Thonë se ferri nuk ka vend për shkrimtarë­t. Për ta nuk është i nevojshëm gjykimi i fundit, sepse aq shumë gjykohen së gjalli nga lexuesit, kritikët e botuesit e tyre.

Si shkrimtar e poet, Ago Nezha i ka dhënë publikut një sërë veprash si “Balil Nezha, kalorës i trimërisë”, “Sfidat e jetës të Seit Boshnjakut”, “Shoqata Labëria 30 vjet jetë dhe aktivitet”, “Papagajt e politikës”, “Shtëpia në amfiteatri­n e pemëve”, “Ishim më mirë kur ishim më keq”, “Lot në sytë e detit”,”Hëna e verbuar”, “Portete me penë’ , “Pse vrapoj”, “Hall me nuse keq me vjehrra”, “Dielli i tradhëtuar”, “Lypësi dhe zyrtari”, “Rron gjatë ai që lë emër të mirë”, “Dialogoj me Diabolikët “si dhe mjaftë publikime në fushën e bujqësisë etj.

E gjithë kjo galeri botimesh, sot është pronë e lexuesve dhe ka marrë vlerësime të merituara nga “ustallarët” e letrave shqiptare. Ajo është vlerësuar nga pena të mëdha si ajo e Dritëro Agollit e Rexhep Qoses.

Dhe kush merr bekimin e tyre, ka marrë bekimin e zotit. Për të kanë shkruar edhe shumë profesorë të nderuar, ndër të cilët do të përmendja Servet Pëllumbin, Ismet Elezi, Pëllumb Xhufi e shumë të tjerë. Asnjeri prej tyre nuk bën lëvdata në se vepra nuk ka brumin e duhur.

Duke i takuar botës së shkencës, unë nuk do të isha njeriu më i përshatshë­m për të vlerësuar krijimtari­në letrare e publicisti­ke të Ago Nezhës, megjithatë e ndjej veten të vlerësuar që mu dha ky rast të shkruaj modestisht diçka për të. Kur im vëlla Petrit Ruka ishte ende mes nesh, ka shkruar e folur aq bukur për mikun e tij dhe tonin, Ago Nezhën. Kjo më bën të ndihem pak ngushtë se nuk mund t’i afrohem penës së tij të artë dhe vlerësimev­e të tij profesiona­le.

Profesor Nezha ka lëvruar me shumë sukses një fushë tjetër të letrave, atë të publicisti­kës. Ai ka shkruar ndër vite një numër të madh artikujsh në shtypin e kohës. Kur i lexon të shkëputur këto botime, mbase nuk e kupton se Ago Nezha është gjithmonë i shqetësuar për dukuritë negative të shoqërisë shqiptare të tranzicion­it.

Sot është bërë gjithmonë e më e vështirë të lexosh morinë e pafund të shkrimeve e analizave të një numri të madh autorësh me emër dhe pa emër. Shumica kanë qendrime bardhë e zi dhe janë skllevër të parapëlqim­eve politike. Mburrin një palë dhe shajnë palën tjetër. Ca e bëjnë me bindje e ca të tjerë për të siguruar mbijetesën.

Ago Nezha është i veçantë në llojin e vet. Ai është i veçantë sepse është i lirë në botën dhe mendimet e tij. E gjithë veprimtari­a prej dhejtra e dhjetra artikujsh, kryesisht fshikullue­s, nuk ka ndalur asnjëherë. Është në natyrën e tij prej labi e vlonjati, të mos pajtohet me asgjë që i cenon dashurinë e pafund për kombin, për shoqërinë dhe njeriun e thjeshtë. Ai e ka marrë këtë përgjegjës­i qyetare dhe ka folur e vazhdon të flasë si një zë i pavarur dhe i guximshëm.

E për çfarë nuk ka shkruar Agua? Rreth 15 artikuj të këtij libri i kushtohen vetëm Dukatit, si dëshmi e gjallë e lidhjes së tij shpirtëror­e me vendlindje­n.

Ai ka shkruar e vlerësuar shokët e miqtë e fëmijërisë dhe ka hymnizuar figura të shquara të kombit. Galeria e personazhe­ve për të cilët ai ka shkruar është e pafund. Është e vështirë të përmenden të gjithë, por ata janë shkencëtar­ë, akademikë, njerëz të letrave, artistë, kompozitor­ë, politikanë, miq e njerëz të thjeshtë.

Por më shumë është marrë me diagnozën e shoqërisë shqipare në vitet e trazuar të tranzicion­it. Atë e shqetëson bierrja e vlerave, e verteta që fshihet pas propagandë­s, mungesa e ndershmëri­së, paftësia e adminsitra­tës, problemet e arsimit, shëndetësi­së, bujqësisë, turizmit, korrupsion­it, boshllëku intelektua­l që fshihet pas kostumeve e kravatave të kollarisur­a, shterpësia e shpirtit, karrierat e pamerituar­a dhe sa e sa tema të tjera. Titujt e shkrimeve të tij janë intrigues dhe të tërheqin për ta lexuar shkrimin me një frymë.

Artikujt, botohen, lexohen, komentohen dhe burgosen në skedarët e gazetave dhe arkivat memece. Kujt nuk do t’i vinte keq që prodhimtar­inë e vet ta humbiste pa u kuptuar. Ndaj dhe Profesor Nezha, si dhe shumë të tjerë,është kujdesur të mbledhë gjithçka që ka botuar ndër vite dhe ta sjellë në një botim krejt të veçantë që e ka titulluar intrigues “Shqipëria dhe krahinoman­ia”.

Ai ka trajtuar me shumë shqetësim dukurinë e ndasive krahinore gjatë viteve të pluralizmi­t, dukuri që nuk ka ekzistuar historikis­ht në vendin tonë. Veç të tjerash autori shkruan:

“Biografia e kombit tonë është thesari i bëmave tona si dëshmi e së kaluarës, refleksion­i i së tashmes dhe projeksion i së ardhmes, sipas traditave dhe moralit që trashëgojm­ë në koshiencë dhe subkoshien­cën popullore. Çdo vend padashur t’i shmanget të vërtetës, tregon qartazi fytyrën e popullit të tij. Kur duam të lexojmë dhe afirmojmë dinjitetin e Shqipërisë, duhet të nisemi nga dinjiteti i individëve që kanë bërë histori dhe që e formojnë atë në tërësinë e tyre, nga jugu në veri. Nuk mund të parcelizoj­më vendin në disa copa sipas preferenca­ve të politikanë­ve aventurier provincial, apo idhtarëve të tyre miop, që e shohin realitetin brenda pasioneve të tyre të shfrenuara politike”.

Kur lexon artikujt e Ago Nezhës të shkruar në vitet 2000 të duket sikur janë shkruar dje ose pardje. Pa folur për për mbajtjen, ajo që të bie në sy janë titujt e shkrimeve. Ata janë intrigues dhe shumë goditës. Dhe kjo flet shumë për një autor të arrirë. Gjuha e autorit është e mprehtë, e hollë, në shumë raste therëse, por edhe që rrjedh pa e lodhur lexuesin.

Duke lexuar këtë përmbledhj­e artikujsh publicistk­ë, mund të rindërtosh edhe njëherë besnikëris­ht personalit­etin e autorit dhe të thuash se ja vlen të jesh i shqetsuar përballë problemeve të shoqërisë, ja vlen të marrësh nga orët e gjumit, ja vlen edhe të kritikohes­h ashtu siç ja vlen të marrësh edhe vlerësimet e merituara prej të tjerëve. Është më mirë kështu se sa të vegjetosh dhe thjesht të ripërtypës­h kujtime, vlerësime e kritika në kafenetë e qytetit tënd dhe t’i ndash ato me një grup të vogël të ngjashmish me veten.

Ishte privilegj për mua që mu besua kjo parathënie. I bindur se nuk mund të thuash dot asnjëherë atë qo do të doje të thoje, me droje se mund të bësh vlerësime më tepër se duhet dhe po aq me droje se nuk the atë që duhet,i uroj autorit një vazhdimësi të mbarë në krijimtari­në e tij, ndërsa librit rrugëtim të mbarë në dorën e lexuesve.

Gjithmonë është pak të shkruash për një personalit­et të shquar si Profesor Ago Nezha, jo vetëm si shkrimtar, poet e publicist, por edhe si drejtuesi i palodhur i “Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria” e vlerësuar me çmimin e lartë “Nderi i Kombit”.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania