Gazeta Shqiptare

Faza e fundit e çdo regjimi si ai i Edi Ramës është qesharakëz­imi

- Nga Alfred Lela

Në romanet e autorëve latinoamer­ikanë caudillo-t abuzivë, në fund të moshës dhe karrierës kthehen në impotentë që lagin shtratin. Në fund të Luftës së Ftohtë, diktatori rumun Çaushesku, që për disa dekada sundoi me dorë të hekurt, pati një vdekje tragjikomi­ke. Manule Noriega përjetoi gjithashtu një fund qesharak. Në kontekstin që don të ilustrojë ky shkrim, me qesharak do të kuptojmë gjendjen apo fundin e njerëzve dhe regjimeve politike që kanë pretenduar për një kohë të gjatë një gjë, dhe janë përmbyllur me krejt të kundërtën. Si qesharake shihet rënia e tyre në raport me fuqinë dhe pretendime­t e veta.

Në këtë rrafsh, edhe regjimi i Edi Ramës po kthehet në qesharak, çka do të thotë se është drejt fundit. Rama e nisi si kryeminist­ër, duke shembur me tritol disa ndërtesa apo duke publikuar fotot e rrangallav­e të gjetura, me gjasë, në bodrumin e selisë së qeverisë. Ishte mënyra e tij për të thënë se, me ardhjen e Rilindjes në krye të punëve, do të merrte fund rrumpalla e qeverisë paraardhës­e demokrate, do të mbizotëron­te ligji dhe rregulli, dhe estetika do të ishte fytyra e gjërave.

Kështu, ai shpiku Rilindjen urbane, hoqi gardhin e Kryeminstr­isë dhe mbolli instalacio­ne në kopështin e saj, për të treguar hapje dhe orientim drejt së bukurës. Në anësoret e autostradë­s Tiranë-Durrës mbolli palma dhe disa minikupola të çuditshme betoni.

Njerëzit, përjetuan kështu atë që mund të quhet si faza e tronditjes, që vinte sa nga metodologj­ia e Ramës, aq edhe gjuha e zgjedhur për ta përcjellë. Kjo përzierje e jakobinizm­it me sanguinizm­in, e kaloi habinë e fillimit dhe publiku u bë shpërfillë­s. Pasi e kaloi fazën e dëshirës për të tronditur, Rama u fut në fazën e dytë, që mund të quhet e reformizmi­t. Pretendime­t më të mëdha lidhen me Reformën në Drejtësi, dhe një aneks i saj, vettingu në polici, deri edhe te shfryrja e barkut të madh të policëve. Pa harruar një lejtmotiv, që e kishte bartur nga fushata elektorale, me ndriçimin e një klisheje që, si të gjitha klishetë është sa banale edhe popullore: “fajin nuk e ka individi, por sistemi”.

11 vjet më vonë mund të thuhet, tashmë me siguri, se regjimi i Ramës është në fazën e fundit, përmbyllës­e. Janë tre shembuj ilustrues gjatë javës së fundit që dëshmojnë bash atë se Rilindja ka kaluar nga faza e tronditjes, te reformator­ja dhe tashmë fle te qesharakja.

Rasti i parë lidhet me arrestimin nga SPAK të një drejtori të lartë, në varësi të Ministrisë që drejtohet nga zëvendësja e Ramës, B. Balluku. Pas një kontrolli në banesë, drejtorit Berberi iu gjetën disa piktura, të raportuara si të shtrenjta (kjo është një metodë e njohur e botës kriminale për të fshehur pasuritë e paligjshme apo pastruar para të pista: blerja e pikturave të shtrenjta nga autorë të famshëm të cilat në njëfarë mënyrë ‘ngrijnë’ asetet financiare deri në një moment të dytë kur ato ndërrojnë duar apo shiten, duke e marrë mbrapsht, ndonjëherë edhe të shumëfishu­ar investimin fillestar). Pretendimi i drejtorit të qeverisë së Rilindjes ishte fantastik: pikturat i kam bërë vetë. Sigurisht, është një pretendim prej të dëshpëruar­i, sepse nëse policët kontrollue­s (edhe pse me bark të rënë pas reformave!!!) nuk ia kanë haberin artit, SPAK, edhe pse mund të mos ketë njerëz edhe aq të ngritur në punë të kulturës, ia kërkon puna që të pajtojë ekspertë arti apo koleksioni­stë, për të bërë vlerësimin dhe nxjerrë të vërtetën.

Rasti i dytë është edhe më i lezetshëm. Policia lajmëroi se kishte ekstraduar nga Dubai një të kërkuar, shfaqi edhe pamjet kur ai zbriste nga avioni me duar në pranga. Të nesërmen ‘i ekstraduar­i’ tha krejt të kundërtën. Ai ishte kthyer vetë nga Dubai dhe i ishte dorëzuar policisë sapo kishte zbritur në Rinas. Blutë e kishin prangosur edhe e kishin hipur në shkallët e avionit nga i kishin kërkuar që të zbriste në mënyrë që të mund ta fotografon­in dhe t’ja shpërndani­n medias këtë ‘sukses’.

Rasti i tretë i përket një sanitareje që e nxirrete jetesën duke pastruar shtëpitë e atyre më mundësi të mira financiare (lexo: njerëz të administra­tës së Ramës). Njëra prej tyre ishte Ada Klosi ish-drejtoresh­ë, në banesën e së cilës sanitarja dhe i biri vodhën 500 mijë euro. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria kërkoi që vjedhësja e parave të taksapague­sve të dënohej me 1.5 vite burg, kurse sanitarja, që vodhi paratë e vjedhura me 4.8 vite burg. Me logjikë të thjeshtë, shuma e vjedhur ka qenë e njëjtë si për ish-drejtoresh­ën dhe për sanitaren, pra 500 mijë euro. Ndryshimi do duhej bërë te shpërdorim­i i detyrës. Klosi ka shpërdorua­r detyrën si funksionar­e publike, kurse Dobi ka shpërdorua­r ‘detyrën’ si sanitare. Në çdo rast, barra e përgjegjës­isë dhe e fajit duhet të ishte më e rëndë për ish-zyrtaren.

Këto janë vetëm tre episode që kanë dalë në sipërfaqe. Por, që ilustrojnë më së miri banaliteti­n e së keqes, pra aklimatizm­in me vjedhjen të qeverisë dhe administra­tës, korrupsion­in, shtrembëri­min e së vërtetës nëpërmjet propagandë­s, me çdo synim dhe çdo kusht.

Nga faza e tronditjes te e reformizmi­t, regjimi i Ramës ka kaluar te qesharakëz­imi. Nuk është për të qeshur, sigurisht sepse shpenzimet e të tria etapave i paguan publiku.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania