Gazeta Shqiptare

Hasie dhe Spaç

- Nga Edison Ypi

Për ta variacionu­ar vajtjen, unë dhe nëna ime Hasia, iknim në Spaç për të parë vëllain Eduardin, veç e veç. Këtë herë unë, pas gjashtë muajsh Hasia.

Deri në Milot shkonim me tren. Nga Miloti në Spaç dhe kthim në Milot, udhëtonim me kamionët që transporto­nin bakër nga burgu i Spaçit.

Në distancën Milot-Spaç, kamionat e bakrit, nga një katund në tjetrin, merrnin banorët lokalë, me të cilët edhe njiheshin.

Duke qarkulluar me vite në atë rrugë, shoferat e bënin mirë dallimin mes banorëve të zonës dhe armiqve të partisë dhe popullit ardhur nga larg, kërrusur me një trastë në dorë ose në sup me ushqime për të afërmit në burg.

Në kushtet e këtij diskrimini­mi negativ, nga Tirana në Milot vinim me tren.

Për të vajtur nga Miloti në Spaç prisnim me orë derisa dikush nga shoferat e kamionave të na merrte për një arsye të dyfishtë sa dramatike dhe qesharake: me pare dhe për mëshirë njëkohësis­ht.

Gjatë një vajtje të tillë në një dite dimri me erë, shi, dhe acar, një kamionist mëshiroi dhe mori Hasien nga Miloti në Spaç. Ku Hasia, priti disa orë para postblloku­t kafkian të burgut. U çmall me djalin. U nis për kthim. Për Fat, një tjetër mëshirëmad­h e zemërmirë e mori nga Spaçi në Milot, ku arriti pas disa orësh.

Mirpo treni i pasdites kishte ikur.

Priti për ndonjë makinë për Tiranë, a të paktën pak kilometra deri në Laç ku mund ta kalonte natën te disa kushurinj kolonjarë, edhe jeta e tyre plot burgje dhe internime.

Prit e prit Hasia me të zeza ulur mbi një gur të bardhë për ndonjë makinë. Hiç. Asnjë makinë nuk e mori Hasien. Asnjë shofer nuk e mëshiroi tek kthehej nga burgu ku i kishin mbyllur djalin. Syshkabat që vinin nga Spaçi, Mirdita, Mati, jo e jo. Por as vigjilentë­t që vinin nga Lezha, Shkodra.

U err.

Trafiku qesharak i biçim kamionave u paksua, derisa u asgjësua. Hasia hodhi sytë rrotull.

Një rimorkjo e shkatërrua­r, një depo drithi si hangar aeroplanas­h, kamion i vjetër i braktisur, traktor i shpartallu­ar, plug i ndryshkur, mbi kodër ca shtëpi fshati nga vinin të lehura, dhe dukej ndonjë tym që herë trashej, herë hollohej, por kurrrë nuk zhdukej.

Pa-ç’pa u afrua te ura e madhe aty afër, te Ura e Zogut. Zuri një qoshe. U ul. U mbështoll me veten e vet.

Heraherës i vinte në vesh një zhurmë makine që afrohej. Asgjë. Ishte vallzimi i erërave të tërbuara të grykës së lumit.

Prit e prit me shpresën se nga Shkodra ose nga Mirdita do vinte ndonjë makinë.

Vetëm ca mirazhe të turbullta rruferash të largëta me bubullima të vonuara. Asgjë tjetër.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania