Gazeta Shqiptare

Zetori përmbyset dhe përfundon në kanal në Fushë-Kuqe të Kurbinit, vdes shoferi 60-vjeçar dhe punëtori i tij 21 vjeç

-

KURBIN - Dy persona humbën dje jetën, pasi zetori me të cilin po udhëtonin doli nga rruga dhe u përmbys në një kanal. Sipas burimeve nga policia, aksidenti ndodhi në Fushë-Kuqe të Kurbinit. Viktimat janë Ismajl Ismaili drejtues i mjetit bujqësor 60-vjeç banues në Fushë-Kuqe dhe Gjin Muhaj 21-vjeç banues në Mirditë. Mësohet se shoferi dhe pasagjeri gjetën vdekjen e menjëhersh­me, pasi u zunë poshtë nga zetori i cili u përmbys në kanalin me ujë. Kanë qenë banor të zonës të cilët kanë konstatuar aksidentin dhe kanë tentuar t’iu japin ndihmën e parë dy personave, por ata u gjetën në kanal pa shenja jete. “Rreth orës 14:05, në Fushë-Kuqe, dyshohet se për shkak të humbjes së kontrollit mbi drejtimin e tij, mjeti bujqësor zetor, me drejtues shtetasin I. I., rreth 60 vjeç, banues në FushëKuqe dhe pasagjer shtetasin Gj. M., rreth 21 vjeç, banues në Rrëshen, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Dyshohet se si pasojë e mbytjes kanë humbur jetën të dy shtetasit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”,njoftoi policia. Ndërkohë trupat e dy viktimave u nxorën nga uji dhe u dërguan në morgun e spitalit të Laçit. Sipas të dhënave, Ismajl Ismaili merrej prej vitesh me bujqësi, ndërsa 21-vjeçari nga Rrësheni ishte punëtor. Ata sapo kishin konsumuar drekën dhe ishin nisur për të punuar tokën me mjetin bujqësor. Një dëshmitar ka parë të gjithë aksidentin e rëndë që ndodhi dje në Fushë Kuqe. “Sapo morëm vesh që ka rënë zetori dolën. Djali im që ka ardhur nga Belgjika u fut deri në mes në llucë e ujë, preku këmbën e njërit që ishte poshtë gomave. Zetori ishte përmbys. Ata kishte zënë përmbys. Nga shtëpia po shkonin tek toka të punonin. Ai merrej me bostan, djali ishte hallexhi, e merrte në punë”, tha banori i zonës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania