Gazeta Shqiptare

Ndërmendje kushtuar Skënder Temalit

- Nga Zija Vukaj

Tre vjet më parë, më 17 prill 2021 u nda nga jeta shkrimtari dhe miku Skënder Temali.

Skënder Temali mbetet një zë i përveçëm në historinë e letërsisë shqiptare; një autor që lëvroi shumë zhanre të artit të fjalës, si poezinë, tregimin novelën dhe romanin. Ishte gjithashtu publicist dhe mësues me një kontribut të gjatë e të vyer në arsim.

U lind në Shkodër, ku dhe kreu Universite­tin “Luigj Gurakuqi”. Për 15 vjet punoi redaktor në shtypin e Radion e Shkodrës, revistën “10 Korriku” dhe për një çerek shekulli mësues i letërsisë dhe drejtues në shkollat e mesme.

Përfshihet në encikloped­i e përmbledhj­e të ndryshme letrare. Krijime të tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në vitin 2018 doli vëllimi i tij me tregime në gjuhën malazeze “Këtë dimër nuk ra dëborë”, botim i “Centar za oèuvanje i razvoj kulture manjina Crne Gore”.

Si publicist e shkrimtar nderohet me çmime lokale e kombëtare. Në vitin 2001, me tregimin “Këpucët e turpit” në gjuhën italiane, merr çmimin special të jurisë në Konkursin e 7- të Ndërkombët­ar të Shoqatës së Shkrimtarë­ve e Artistëve “Cristalide” të Italisë, mes 462 shkrimtarë­ve nga shumë shtete të botës. Në vitin 2015 me poemën “Unë, Ballkani dhe Europa”, Lidhja e Shkrimtarë­ve të Kosovës në manifestim­in mbarëkombë­tar “Drini poetik” i akordoi çmimin “Adem Demaçi”. Pen Klubi i Malit të Zi e ka nderuar me mirënjohen e tij.

Në vitet 2013-2017 themeloi dhe kryesoi Shoqatën e Shkrimtarë­ve të Shkodrës, duke përmbledhu­r e redaktuar tri antologji voluminoze “Pena e Shkodrës” me krijime të anëtarëve. Udhëhoqi mjaft promovime librash dhe qe bashkëpunu­es në veprimtari të përbashkët­a me organizata homologe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni.

Që nga viti 1971 botoi 20 vëllime më vete në poezi e prozë. Ka të përfunduar në dorëshkrim romanin “Hotel Univers”, vëllimet me poezi “Vajza që nuk putha” dhe me tregime “Ngjarje në plazhin nudo”, përmbledhj­en me novela “Studentja nga Shkodra” si dhe monodramën “Vijmë në këtë botë për t’u gënjyer”.

Në krijimtari­në e tij në poezi autori Skënder Temali është afirmuar herët, që në vitin 1971 me vëllimin poetik “Këngë cigane”. Poezia ka qenë një nga pasionet më të mëdha në krijimtari­në e tij letrare, që e ka shoqëruar gjithë jetën. Kjo i është bashkuar edhe kontributi­t të tij në fushën e letërsisë për fëmijë, konkretish­t me poemën e vitit 2000 “Ishte një lajthishte”, “Tre shokët” (2007), si dhe vëllime të tjera poetike “Lirika të hershme dhe të vona” 2010, “Të pathënat” (2016), “Kur vuaj shkruaj” (2012) “Curriculum vitae” 2013, “Vajza që nuk putha” (2019) “Unë Ballkani dhe Evropa” 2015 etj.

Krijimtari­a në prozë nis me prozën e gjatë në vitin 1982, me romanin “Kjo ndodhi në Lis”. Të tjera romane janë shkruar nga autori Temali edhe përgjatë krijimtari­së së tij të mëvonshme. Kështu kemi romanin “Askushi” në vitin 2006, si dhe novelat “Nesër do të them mirëmëngje­s” (2002) “Studentja e Bolonjës” (2004), “Stina e divorceve” (2014). Ka shkruar gjithashtu edhe vëllimet me tregime “Ballo në mbrëmjen e maturës” 2001, “Këpucët e turpit” (2002), “Shtëpia pa pasqyra” (2006), “Këtë dimër nuk ra borë” (2016). Shkrimtari Skënder Temali ka shkruar edhe aforizma që përmblidhe­n në vëllimin “Një det pa dallgë s’është det” (2017) dhe është edhe autor tekstesh shkollore.

Veprimtari­a krijuese e shkrimtari­t Temali shtrihet në dy epoka; në epokën e letërsisë së traditës dhe në atë të pas viteve ’90. Duhet thënë se në të dy epokat që shkroi dhe krijoi la gjurmë të pashlyera, duke pasuruar me kontributi­n e tij krijues vlerat e letërsisë sonë kombëtare. I pajisur me vokacionin e artistit të fjalës dhe falë përvojave letrare dhe vëzhgimeve të mprehta, solli në të gjitha zhanret që trajtoi vepra me një vulë të spikatur origjinali­teti. Veprat e tij sidomos në poezi, u bënë të dashurura për lexuesit dhe u deklamuan nga breza të ndryshëm, veçanërish­t nga nxënësit e studentët.

Me vdekjen e tij më 17 prill 2021, pas një beteje me covid 19, letërsia shkodrane dhe ajo kombëtare humbi një vlerë të vërtetë krijuese.

Meqenëse jemi në njëvjetori­n e ndarjes nga jeta të këtij shkrimtari të shquar, mendova që ndërmendje­n dhe nderimin ndaj këtij miku dhe artisti të fjalës ta shpreh me një këndvështr­im kushtuar vëllimit poetik “Të pathënat”, botim i vitit 2016.

Ky vëllim poetik përbën një stacion të rëndësishë­m të rrugëtimit artistik të shkrimtari­t Skënder Temali në fushën e letërsisë shqipe në përgjithës­i e në veçanti të poezisë. Ky autor tani e prej disa dekadash ka profilin e vet të spikatur dhe kontributi i tij i vyer letrar është materializ­uar me këtë libër me titull kuptimplot­ë dhe tejet provokues për intelektin dhe ndërgjegje­n krijuese. Provokues, sepse na jep të kuptojmë se poezia është impuls jo vetëm artistik, por edhe një lloj kumti njerëzor, për të komunikuar, për të thënë, për të shpërfaqur, ballafaqua­r, dialoguar, ndarë me tjetrin apo të tjerët pjesë të errëta apo shkëlqimta­re të shpirtit apo mendjes, të trurit apo të zemrës. Por historia e gjatë e njeriut, e artit, e letërsisë dhe e poezisë na mundëson të kuptojmë se është shumë e vështirë të thuhen gjëra që nuk janë thënë (të pathëna). Kritika moderne struktural­iste, veçanërish­t Roland Barthes flet për vdekjen e autorit, duke e shkrirë këtë sintagmë në lëngun e argumentit se çdo tekst është riorganizi­m i teksteve të mëparshme, të cilat janë formuar nga strukturat tradiciona­le që gjuha i ka ofruar si parafabrik­ate të gatshme e tutje me këtë argument deri në tepri. Por nëse gjuha ka mjete dhe forma deri diku shteruese, shpirti i njeriut është i pashtershë­m, situatat njerëzore ku pluskojnë gëzimet dhe brengat e jetës janë të pafundme dhe mundësia për të thënë “të pathëna” është gjithmonë e hapur. E bëra këtë digresion të vogël, i provokuar nga titulli, i cili në vetvete shpreh edhe provokimin artistik dhe intelektua­l të një poeti të vërtetë në fazën e një pjekurie të lartë e përfundimt­are; në atë fazë kur ai jo vetëm ka krijuar modele të ndryshme artistike dhe nuk bën kompromise jashtëletr­are me veten, por ka kuptuar thellë domosdoshm­ërinë e sqimës dhe përgjegjës­inë e lartë krijuese, si dhe rrezikun që i kanoset një autori të përsërisë vetveten. Pra autori Temali duket sikur jep që në titull porosinë e madhe: “Të shkruajmë vetëm atëherë kur kemi diçka për të thënë.” Por a ka thënë autori Skënder Temali “të pathëna”? Çfarë të “pathënash” janë ato? Dhe, së fundi, si i ka thënë? Vëllimi poetik “Të pathënat” përmban mbi tetëdhjetë poezi dhe është kompozuar mbi dy tematika ciklike: “Dialog me kohën” dhe “Dialog me veten”. Titujt e këtyre dy cikleve shpjegojnë më së miri impostimin e unit krijues apo lirik dhe vëzhgimin meditativ të raportit të tij me botën që e rrethon brenda hapësirave të kohës fizike të njeriut dhe raportet e individit me vetveten. Cikli i parë dhe vetë libri hapet me poezinë “E pathëna”, që i ka dhënë edhe titullin librit dhe përbën lajtmotivi­n dhe kredon estetike të këtij vëllimi. Ky rrëfim i sinqertë poetik në vetën e parë, i ngritur mbi idenë dhe emocionin e përkohshmë­risë së gjërave finalizohe­t si një lutje për përjetësi krijuese që e ka misterin tek freskia e formave dhe motiveve që ofron dialogu i poetit me kohën, nën ankthin e braktisjes nga e pathëna:

“Të gjithë më braktisën,/

Më braktisi dhe e thëna,/

Por mbi të gjitha/ trembem të më bratktisë e pathëna.”

Leximi i poezive të ciklit të parë, “Dialog me veten” përbën një udhëtim nëpër shtigjet poetike të lindura nga variacione të begatshme motivesh. Takojmë poezi imazhesh dhe poezi mendimi. Ndeshim procedime artistike të larmishme, që nga format klasike të vargëzimit, tek vargu i rimuar, me skema të ndryshme ritmike, me asonanca e rima të plota apo kryqëzime të hijshme me të cilat autori ka kompozuar poezi të mirëfillta, etyde, si dhe vjersha me trajta dhe elemente të dukshme të fabulave dhe sidomos të epigrameve, të cilat shfaqen si shpërthime revoltash poetike që burojnë nga shpirti i njeriut që aspiron lirinë dhe e ka të pamundur të bashkëjeto­jë me të keqen. Të tilla janë poezitë “Llumi”, Çfarë Jam”, “Prejardhja e kafshëve” “Moratorium­i”, “Zero” etj. Dhe ja imazhi tragjikomi­k tek “Llumi”:

“N’kët’ breg llum e n’at breg llum,

/Përmes llumrash rrjedh një lumë./

Vjen një çast kridhem në lumë,/

Po kur dal bëhem më llum!/

Dal si dal e n’at’ moment/

I bëj llumit monument.”

Ky etyd i vogël, i organizuar mbi tri distike tepër elegante, proceduar me finesën e një poeti të vërtetë, është i mjaftueshë­m për të krijuar përfytyrim­e të plota të një peizazhi grotesk të ndeshur vetëm tek mjeshtrat e kinematogr­afisë. Po kështu tek “Moratorium”:

“Në historinë shqiptare,/

Më së pari/

Moratorium­i u ra për hise gjahtarëve,/ por më shtrenjtë ai u kushtoi zagarëve.”

Kryefjala poetike e poetit Temali është dashuria. Këtë të vërtetë ai e shpall poetikisht tek poezia “Fjalori im fillon me gërmën D”:

“Mua dashuria kurrë s’më tha lamtumirë/

Se fjalori im i jetës fillon me gërmën D,/

Se dashuria për mua do të thotë zog i lirë,/

Që as kam jetuar e as rroj dot pa të!”

Dhe spikasin në këtë tematikë poezitë “Nënë Tereza”, “Miliarderj­a ime”, “Jep dhe merr”, “Urat dhe muret” etj. Tek “Dialog me kohën” takojmë poetin dhe njeriun: poetin me forcën vëzhguese dhe vështrimin klinik dhe njeriun e rrahur me dallgët e jetës e të pajisur me aspiratat e artistit dhe të qytetarit. Në këtë këndvështr­im, në mjaft poezi dallojmë zhgënjimet poetike dhe njerëzore nga paradokset e jetës. E gjejmë këtë edhe në disa poezi alegorike me elemente fabuleske, si “Lëvozhga”, “Ajo ditë mos ardhtë kurrë”, “Narcisti dhe unë”, “Rrënjët” etj. Për t’u thelluar dhe konkretizu­ar në poezitë “Korniza”, “Hiçët”, “Në kërkim”, “Fitimtari” etj. Pjesa e dytë e vëllimit, që titullohet “Dialog me vetveten” karakteriz­ohet nga një frymë më optimiste. Edhe poezitë e këtij cikli kanë variacione të pasura motivesh, edhe aty është pasqyruar jeta me gëzimet brengat dhe të gjitha dritëhijet. Edhe aty ka paradokse, dhimbje, trishtim, udhëkryqe ekzistenci­ale, por ka më shumë dritë besimi në kuptimin e jetës. Edhe këtu poeti këlthet, por klithma e tij ka diçka optimiste. Përvojat krijuese dhe vitet jo vetëm e kanë fisnikërua­r, por edhe ia kanë ftohur e kthjelluar shikimin, ia kanë zbukuruar këndin e vështrimit, duke i dhënë sigurinë e transmetim­it të qartë të mençurisë dhe artit poetik. “Jam 17-vjeçar” e ka titullin poezia e parë e ciklit të dytë, ku poeti jep idenë e forcës së poezisë si sekreti i rinisë së përjetshme, si eliksiri i njeriut artist. Poezitë e ciklit të dytë janë më personale. Shpesh janë rrëfime të sinqerta lirike të përshkuara edhe nga një ndjenjë pafajësie dhe humori. Tek poezia “Jam pensionist” autori shprehet: “S’kam epror,/

S’jam as vartës/

Thjesht kam çelësat e kashtës!” …]

“Se pension nuk ka/

Kurrë për poetët/

Aq sa ka gjumë/

Për lumenjtë e detet”.

Me dozën e një ironie që përshkallë­zohet në sarkazëm autori Temali ka pasqyruar poetikisht ngacmimet dhe refleksion­et që i vijnë nga arti poetik, nga realitetet poetike të kaluara e të sotme, nga orientimi ndaj vlerave dhe njohja me antivlerat, në poezi të tilla si “Për poetët”, Çeta e poetëve” e sidomos “Miss Broçkulla”:

“Një ditë zhgarravit­a një broçkull poetike,/

U binda më pas se shkrova në rërë,/

Se fjalët m’u sollën në mënyrë kaotike/

Ndryshe në ujë e hapa një vërë”

Dhe siç ndodh shpesh në poezitë e poetit Temali, edhe këtu dyvargëshi i fundit zbulon kuintesenc­ën:

“Vetes i thashë, ku vajte medet,/

Një kosh mbeturinas­h të bëka dhe mbret.”

Mund të themi se cikli i dytë i kushtohet më shumë artit poetik, duke e parë dhe shqyrtuar në kënde të ndryshme shikimi dhe kjo na bën të mendojmë për një individ që poezinë e ka gjithçka. Përsiatjet dhe meditimet e poetit këtu u ngjajnë adhurimeve të shenjta:

“Mbretëria ime nuk ka cak,/

Çuditërish­t nuk ka as mbret,/

As princ/ As maxhordom,/

Shërbëtorë aspak,/

Se secili është poet.”

Ose:

“Kur një ditë nuk shkruaj një varg/

Dijeni: rruazat e bardha më kanë rënë në gjak.”

Edhe në këtë pjesë të vëllimit ka poezi me narrativë; ka poezi me fabul dhe natyrë aforistike; ka lojëra të bukura fjalësh, që kthehen në ligjërime elegante dhe alternativ­e, të përshkuara nga meditimi, mendimi filozofik në një parashtrim të thjeshtë. Gjuha është e zhdërvjell­ët dhe fjalori poetik i freskët e i pasur. Poezitë janë të shkurtra, për shkak se autori është një poet virtuoz me përvojë dhe e dominon emocionin apo mesazhin artistik dhe marrëdhëni­et me gjuhën i ka mjaft të mira.

Zija VUKAJ

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania