Panorama (Albania)

Hakmarrje për babanë, vret të riun në mes të dasmës

Krimi në Orgjost, autori qëlloi për vdekje Miraim Isën

- KUKES/ RIZA HOXHA

Për gjakun e të atit vret të riun në mes të dasmës në fshat. Krimi i ndodhur mbrëmjen e së shtunës, në fshatin Orgjost në Kukës, tronditi të gjithë zonën e Gorës, e cila shumë rrallë ka shënuar ngjarje të tilla.

Viktimë është 29-vjeçari, Miraim Isa, ndërsa autori Ismail Alidini, 24 vjeç. Ky i fundit u arrestua disa orë pasi qëlloi pas shpine, me thikë, bashkëfsha­tarin e tij.

KRIMI

Sipas Policisë, krimi ndodhi rreth orës 22: 30, në fshatin Orgjost, të Kukësit. Në këtë fshat po kryhej ceremonia e një dasme dhe Isa ndodhej shumë pranë vendit ku po organizohe­j gëzimi familjar. Tradita e zonës e do që kur ka një festë të tillë në familjet e fshatit mblidhen aty të gjithë banorët, madje edhe ata që janë larguar në qytetin e Kukësit apo dhe jashtë tij. Edhe të shtunën, aty kishte shumë të rinj të fshatit, të cilët përcillnin vallet e dasmorëve. Mes tyre, edhe 29-vjeçari Miraim Isa. Bashkë me shokët ai po qëndronte shumë pranë klubit të fshatit që ndodhej pranë vendit ku zhvillohej dasma. Befas nga prapa, në befasi, ai u qëllua disa herë me thikë. Edhe pse ishte errësirë, të pranishmit e tjerë e njohën, pasi bëhej fjalë për një bashkëfsha­tarin e tyre, pikërisht 24-vjeçarin, Ismail Alidini. Ai menjëherë u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa dëshmitarë­t, të tronditur kërkuan një mjet për të nisur të plagosurin rëndë drejt spitalit të Kukësit. Pak kohë më vonë, mjekët njoftuan se 29- vjeçari kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve të mëdha që kishte marrë. Policia e Kukësit u nis drejt fshatit, rreth 30 km larg, për të zbardhur ngjarjen e rëndë, ndërkohë që pas disa orësh kërkimi u arrit që të kapej autori i vrasjes.

HAKMARRJA

Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për një krim të ndodhur pas një sherri të çastit mes të rinjve, banues në të njëjtin fshat. Por, ndërsa po verifikohe­shin të dhënat, re- zultoi se mes dy familjeve kishte një histori vrasjeje. Në vitin 1997, babai i 29- vjeçarit, Miraim Isa, Behram Isa, pas një grindjeje vrau me armë zjarri në oborrin e shtëpisë babanë e Ismail Alidinit, Memishin. Në atë kohë, djali i mbetur jetim ishte 5 vjeç, i cili rritej bashkë me rrëfimin e familjarëv­e të tij se si iu vra i ati në oborrin e shtëpisë. Në të vërtetë, vrasësi u kap nga Policia dhe u dënua me 13 vjet heqje lirie. Ai para disa vitesh doli nga burgu dhe më pas vdiq në shtëpi, por duket se kjo nuk e ka zgjidhur situatën e rënduar mes dy familjeve. Nga burime të fshatit, Policia ka mësuar se, dy të rinjtë kishin debatuar pak kohë më parë dhe kjo duket se ka nxitur idenë e hakmarrjes nga ana e 24- vjeçarit, Alidini. Mbrëmjen e së shtunës ai shfrytëzoi errësirën dhe fak- tin se shënjestra e tij ishte në qendrën e fshatit, për të bërë ekzekutimi­n e tij. Sipas Policisë, fakti i sherrit të mëparshëm ka provokuar hakmarrjen pikërisht te Miraim Isa, pasi viktima kishte disa vëllezër. Mësohet se për 19 vite me radhë, banorët e fshatit nuk kishin arritur që të zbusnin gjendjen mes dy familjeve, derisa djali i viktimës së ' 97- ës mori hak. Nga ana e Policisë së Kukësit vrasja me thikë e Miraim Isës është cilësuar si "krim për shkak të gjakmarrje­s".

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania