Panorama (Albania)

Shtesa për pensionet e veçanta, përfitojnë 286 personalit­ete

-

Qeveritë prej vitesh kanë mundësi të vlerësojnë, me një pension të posaçëm shtetëror, figura të ndryshme të artit shkencës, sportit etj. Janë jo të rralla vendimet për dhënien e pensionit të posaçëm ndaj këtyre figurave. Shpesh për arsye politike, qeveritë kanë ndarë jo pak të tilla privilegje, aktualisht numërohen 286 personalit­ete. Vendimet e qeverive bazoheshin në ligjet e kohës. Kështu që figura të caktuara, edhe pse me të njëjtin vlerësim, kanë përfituar masa të ndryshme pensioni të posaçëm. Dje qeveria vendosi t’i unifikojë këto vlerësime. “Të gjitha shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, në masën e pensionit maksimal, në harkun kohor 1.10.1993– 31.12.2014, të cilat vazhdojnë të paguhen edhe sot, do të bëhen 24.872 lekë në muaj, me kusht që shuma e kësaj shtese, bashkë me masën e pensionit, të mos kalojë vlerën 49.744 lekë në muaj. Në të njëjtën masë do të kalojnë edhe shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave në harkun kohor 1.10.1993- 31.12.2014, për familjarët e personit të vdekur, që merrte ose i takonte të merrte pension të posaçëm shtetëror ose shtesë pensioni të posaçëm”. Ky është ndryshimi ligjor, që përpiqet të barazojë përfitimin nga vlerësimi qeveritar. Këto pensione kanë qenë jo të barabarta, duke qenë se në vite të ndryshme trajtimet me pensione të veçanta kanë qenë të ndryshme. Për këtë shkak, këta emra të shquar të këtyre fushave, ndaj të cilëve të gjithë kemi respekt e nderim të veçantë për kontributi­n që kanë dhënë, do të marrin tashmë pensione të barabarta. “Me anë të këtij vendimi, ne shmangim këto padrejtësi, duke bazuar trajtimin financiar përmes akordimit të shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror. Sipas këtij vendimi, parashikoh­en të përfitojnë plot 286 personalit­ete, të cilët aktualisht përfitojnë pension pleqërie, ose familjar dhe kanë kontribuar në fushat e përmendura. Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë nga data 1 gusht, edhe këto pensione do të indeksohen në masën 1.6%, si gjithë pensionet e tjera.”, theksoi dje ministri Klosi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania