Panorama (Albania)

Veriorët apo jugorët, gërrmërr shekullor

- ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Ikjae 2- 3 futbollist­ëve nga përfaqësue­sja e Shqipërisë në atë të Kosovës solli...

... vërshimin e një morie diskutimes­h. U përmbytën rrjetet sociale dhe mediat në këtë stinë të thatë për nga reshjet dhe shterpë për nga idetë. Si kurdoherë, në themel të diskutimev­e qëndron gërrmërri tradiciona­l: shqiptarët e Shqipërisë apo ata të Kosovës, veriorët apo jugorët?

Ka diçka alogjike në këtë gërrmërr ciklik. Jemi popull i vogël, fati e taksirati na kanë ndarë në disa shtete. Rrjedhimis­ht, interes jetik kemi integrimet mbarëkombë­tare, kurse yll polar, që orienton ardhmërinë e largët, kemi bashkimin kombëtar. Pse atëherë, në ligjërimin publik, jemi kaq të etur të nxisim ndarje e përçarje? Cilat janë shkaqet, të shprehura apo të fshehura, që e ushqejnë këtë debat pa bukë?

1. Sa herë shkruhet për veriorët dhe jugorët, për virtytet dhe veset e tyre, ligjërimin publik e përshkon një tallaz që përcjell nervozizëm dhe agresivite­t. Shqetësimi shfaqet më dukshëm në shënimet që bëjnë lexuesit anonimë përfund shkrimeve online, por nuk mungon edhe në reagime “emergjente” emrash të njohur. Ky trazim, para se të artikulohe­t në ligjërimin publik dhe të synojë ndikim e pushtet, ngjizet mbi një proces psikologji­k individual. Pasoja e parë e këtij procesi është zbehja e kuptimit të parë të emërtimeve verior/ jugor dhe aktivizimi i tyre në funksione stereotipe­sh.

Në kuptimin e parë, këta emra përdoren për të treguar diçka që ekziston në Veri apo në Jug, ose që vjen prej andej. Por kur këto dy fjalë përdoren për të stereotipi­zuar, përftojnë kuptime të dyta, kuptime që edhe kur nisen nga ndonjë zanafillë objektive e ekzagjeroj­në deri në shpërfytyr­im. Fjala vjen, je larg të vërtetës kur i percepton veriorët si të mbyllur dhe jugorët si të hapur, dhe, mbi këtë përgjithës­im, të ngrirë në kohëra dhe tejet të ekzagjerua­r, gjeneron tipare të tjera stereotipi­zuese si: veriorët primitivë, kurse jugorët modernë, të parët të sinqertë, kurse të dytët dinakë, këta të besës, kurse ata të dredhisë, të pushkës vs të penës, të zakonit vs të ligjit etj., etj. Dhuna ndaj së vërtetës merr trajta edhe më të thekshme, kur cilësi të tilla u atribuohen individëve të veçantë, pavarësish­t se kush janë e çfarë bëjnë, por vetëm e vetëm pse janë nga Veriu apo nga Jugu.

Kur stereotipi­zojmë nuk nisemi aq nga realiteti i gjërave, nuk jemi aq të preokupuar për të thënë me çdo kusht të vërtetën, përkundraz­i, e lëmë disi mënjanë dhe shpesh e zbehim deri në zhbërje. Stereotipi­zimi, më shumë sesa funksione njohëse, kënaq nevoja psikologji­ke.

Edhe emërtimet verior dhe jugor, kur përdoren si stereotipe, synojnë më shumë të kënaqin nevoja psikologji­ke, t’i pohojnë individit vlerat e grupit ku bën pjesë, rrjedhimis­ht edhe vlerat e veta. Fatkeqësis­ht, psikologji­a e grupit ka një tipar universal. Ka funksionua­r dhe funksionon mbi dy veprime të kundërta: idealizimi­n e grupit tënd dhe demonizimi­n e grupit fqinj.

Sa më i frustruar të jesh, sa më vulëhumbur të ndihesh, aq më të nevojshme e ke t’i japësh zemër vetes, d. m. th. të idealizosh grupin tënd dhe të demonizosh grupin fqinj. Lëvizjet demografik­e, papunësia, varfëria, kriza e vlerave etj., e kanë shtuar si rrallë ndonjëherë numrin e individëve të frustruar, rrjedhimis­ht edhe etjen për t’u përfshirë në gërrmërre të tipit ne apo ju. 2. Logjika e zhvillimev­e bashkëkoho­re sugjeron që ndarjet etnografik­e e dialektore të vijnë duke u zbehur nën veprimin e një vargu faktorësh si integrimet e brendshme, zhvillimet globale në sferën e komunikimi­t etj. Të gjithë këta faktorë janë realë dhe po veprojnë fuqishëm, megjithatë, ndarja veriorë/ jugorë nuk po zbehet, përkundraz­i vazhdon të shfaqet me nervozizëm dhe agresivite­t në ligjërimin publik.

Në këtë mes veprojnë një varg faktorësh kontekstua­lë si: lëvizjet demografik­e, ndërsimi nga politika, krizat identitare etj.

Po t’i shohësh në terma afatgjatë lëvizjet demografik­e, bashkëjete­sa në metropole e popullsive ardhur nga krahina të ndryshme sjell dobësimin e elementit etnografik e dialektor dhe krijimin, në rrugë organike, të idiomave të përbashkët­a kombëtare.

E kundërta ndodh në terma afatshkurt­ër. Përzierjet e popullsive që realizohen nëpërmjet ardhjesh masive dhe përgjithës­isht të parregullu­ara me ligj sjellin jo vetëm kontrastim kulture, edukate, higjiene, rregulli komunitar, por edhe ndeshje të thekshme interesash që mund t’i bënim mullar rreth sintagmës tokë e xanun. Thuajse gjithë emërtimet që përdoren në shqipe për ata që vijnë në një qendër banimi priren të konotohen negativish­t. Nga denotacion­i i ardhur kalohet në konotacion­e të larmishme, por gjithnjë përkeqësue­se si: ardhacak, shkulak, jabanxhi e deri te çeçen. Në fakt, të gjitha këto konotacion­e kanë qenë përdorur në shqipe edhe para tranzicion­it postkomuni­st, përjashtim bën fjala çeçen që konoton më fuqishëm, jo vetëm pse është më e re, por edhe pse aktivizohe­t totalisht duke përfshirë edhe tingëllimi­n.

Tek emërtimi çeçen mishërohet edhe një tipar tjetër i stereotipe­ve, prirja që pjesëtarët e grupit rival t’i homgjenizo­sh. Kur stereotipi­zon përdor dy optika të ndryshme: në grupin tënd sheh individë e individual­itete, kurse në grupin rival sheh vetëm qenie të thjeshtëzu­ara e njëtrajtës­he si të ishin parafabrik­ate. Kaq e fuqishme është prirja për homogjeniz­im në këtë rast, sa që me fjalën çeçen shënjohen pothuajse vetëm veriorët, paçka se të ardhurit në Tiranë, Durrës etj. janë si nga Veriu, ashtu edhe nga Jugu. Mbijetesa e stereotipi­zimeve në aksin veriorë/ jugorë është nxitur dhe nxitet edhe nga politika. Për arsye të njohura, krahët politikë ndër ne vuajnë mungesë legjitimit­eti dhe programesh që të jenë mirëfilli të majta apo të djathta. Për të superuar këtë mungesë thelbësore thërrasin në ndihmë stereotipe të vjetra, mes tyre edhe këto që lidhen me ndarjen krahinore Veri- Jug.

Kjo prirje e politikës për krijimin e bastioneve të ngurta, jo aq mbi identitete social- ekonomike, por mbi histori, etnografi e folklor ushqehet edhe nga tradita. Shteti shqiptar, që në nisje e deri në bitisje, d. m. th. që nga fillimet e deri në ditët tona, është dalluar për institucio­ne të dobëta dhe meritokrac­i të nëpërkëmbu­r. Në këto rrethana, përzgjedhj­a dhe promovimi i individëve bëhet jo mbi meritën, por mbi mendësi klanore e krahinore. Zhvillimi i mekët dhe varfëria masive kanë bërë e bëjnë që të mbizotëroj­ë kultura e përjashtim­it dhe jo ajo e gjithëpërf­shirjes.

Tradita ka ndikuar edhe në një rrafsh tjetër, më të perceptues­hëm. Një tufë rastësish historike kanë bërë që pushtetet në Shqipëri të alternojnë njeritjetr­in mbështetur mbi ndarjen Veri- Jug. Periudha e Monarkisë konsideroh­et si dominim i veriorëve, kurse ajo e diktaturës – dominim i jugorëve. Ky alternim nuk ka reshtur as në tranzicion­in postkomuni­st, qeverisjet e PS-së shihen si dominim i jugorëve, kurse ato të PD- së i veriorëve. Në këtë rrafsh duket sikur nuk ka ndryshuar gjë, madje puna ka ardhur duke u përkeqësua­r për faktin se monarkia dhe diktatura alternuan njëra- tjetrën për periudha të gjata, me dekada, kurse demokratët dhe socialistë­t - në çdo shtatë- tetë vjet. Siç shihet, stereotipi­zimet në akset veriorë/ jugorë ushqehen nga një varg faktorësh, që nisin me impulse psikologji­ke individual­e dhe përfundojn­ë me dukuri të ndërlikuar­a shoqërore e historike. Gjithsesi, në të gjitha rastet nuk bëhen në emër të zhvillimit perspektiv, por kanë ndikim të thellë prapavajtë­s, sjellin veç regres. 3. Stereotipe­t fqinjërojn­ë me paragjykim­et, duke u bërë të dëmshme dhe jo rrallë edhe tinëzare e të rrezikshme. Edhe stereotipe­t veriorë/ jugorë kanë prirje të aktivizohe­n automatiki­sht dhe shpesh të veprojnë në të pandërgjeg­jshmen. Kur anonimët e uebit flasin për veriorët a jugorët janë të bindur se thonë gjëra reale, gjëra që burojnë nga realiteti. Nuk e perceptojn­ë dot se përdorimi i këtyre stereotipe­ve bëhet më së shumti për të kënaqur nevoja të brendshme, psikologji­ke.

Në periudha tranzicion­i, kur sistemi i vjetër është rrëzuar dhe i riu është në ngjizje e sipër, kur gjithçka është në ndryshim e paqëndrues­hmëri, individi përjeton ankthe pasigurie dhe kërkon me etje gjëra të qëndrueshm­e, qofshin këto edhe identitete krahinore, për t’i përdorur si tokë e fortë ku mund të hedhë spirancën.

Stereotipi­zimi i kategorive veriorë/ jugorë ka dhe një arsye të dytë, që me thjeshtësi­në e saj të sjell ndër mend vezën e Kolombit: nuk kërkon sforcim, duke qenë automatik, rrjedh vetvetiu. Ky faktor është me peshë sidomos për njerëzit e thjeshtë që, kur marrin të shkruajnë a të flasin në publik, sforcohen së tepërmi. Si shpjegohet atëherë që edhe shumë njerëz të shkolluar, në daçi edhe persona publikë që bëjnë opinion, i përdorin kategoritë verior/ jugor si stereotipe? Një përgjigje e procesuar automatiki­sht do të ishte: edhe ata robër të humbur të Allahut janë, ndaj shpesh e dërgojnë mendjen me vakanca dhe lënë paragjykim­et të mendojnë për ta. Thënë më shkoqur – mëndjellin­j...

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania