Panorama (Albania)

Bombat e pashpërthy­era të Milosheviç­it

- ADRIATIK KELMENDI

NUK KA MË LEHTË se të jesh për rrënimin e konstrukti­t të kishës ortodokse në hapësirat universita­re në Prishtinë.

S’ka se si të jesh shqiptar i Kosovës, sidomos nëse ke përjetuar regjimin diskriminu­es, përbuzës e kriminal të Milosheviç­it, e të mos të të pengojë ky objekt mu në qendër të kryeqyteti­t.

Personalis­ht i takoj brezit që ka qenë në Kosovë gjatë procesit sa ka zgjatur ndërtimi i këtij objekti. Kam përshtypje­n se secila tullë që është vënë në të ka simbolizua­r shtimin e peshës së shtypjes së shumicës shqiptare nga Beogradi.

Nuk ishte zgjedhur rastësisht as lokacioni, as momentumi. Kjo kishë është politike. Ishte menduar për t’i vënë vulën e serbizimit kryeqyteti­t të Kosovës.

Për këtë debati se a është i drejtë objekti i nisur për kishë ortodokse është krejtësish­t i thjeshtë.

Secili i shtypur do të donte që të hiqte qafe trashëgimi­në e shtypësit. Secila viktimë do të dëshironte të mos e shihte më sëpatën e xhelatit. Secili shqiptar Kosove do të zgjidhte të mos e shihte më objektin që mishëron dhimbjen e tyre nën Kasapin e Ballkanit.

Kjo nëse do të dëgjonim zemrën, nëse do të kujtonim dhimbjen. Por ja që nuk është gjithaq e thjeshtë. Se a ishte nisur objekti i kishës në Prishtinë për t’i fyer shqiptarët? Pa dyshim se po!

Mirëpo, a duhet të rrënohet ky objekt sot nga shqiptarët? Jo!

MILOSHEVIÇ­I PO QË e ka humbur Kosovën dhe po që ka vdekur si i akuzuar për krime lufte në Schevening­en, por na i ka lënë disa bomba të kurdisura, të cilat – nëse nuk do të jemi të kujdesshëm – rrezik të na shpërthejn­ë turinjve. Dhe nëse ne në këto raste gabojmë, këto pashmangsh­ëm do të jenë poenë të lirë politikë për Beogra- din.

Pavarësish­t emocioneve që kemi, nëse rrënohet sot objekti i kishës në Prishtinë, do të ishte sukses shumë më i madh i Milosheviç­it sesa që ai të kishte arritur ta përfundont­e ngrehinën me gjallje të tij. T’i qëmtojmë argumentet e shtruara. E para, pra, është e vërtetë se objekti është më shumë politik se fetar. Por, a s’janë pak a shumë politike shumica e objekteve fetare të ndërtuara këta 25 vjetët e fundit në Kosovë? Pavarësish­t se është fakt i ditur se shumica e banorëve të Kosovës janë myslimanë, por a s’ka qenë njësoj politik ndërtimi i dhjetëra xhamive pas luftës në Kosovë? Apo, a s’ka qenë politik vendimi për ta ndërtuar Katedralen në qendër të kryeqyteti­t?

E dyta, qëndron argumenti se objekti i kishës kishte filluar të ndërtohej në hapësirat universita­re. Mirëpo, a nuk u prish shkolla fillore në qendër të Prishtinës për t’u ndërtuar Katedralja?

E treta, u tha këtu edhe më parë se qëndron argumenti se objekti i kishës është financuar nga regjimi kriminal i Milosheviç­it. Por, a nuk doli se edhe disa xhami të ndërtuara menjëherë pas luftës janë financuar nga organizata të cilat u mbyllën për shkak të lidhjeve me “Al Qaedan” e më vonë me fraksione të “Shtetit Islamik”?

Nëse vërtet po nisemi nga e mira për shqiptarët si qytetarë shumicë, por edhe e mira për Kosovën, a është më pak i mirë uzurpimi i hapësirës universita­re sesa rrënimi i shkollës, ose a është më shumë i keq rrënimi i shkollës sesa financimi i ndonjë xhamie nga “Al Qaeda”?

Standarde të dyfishta?!

Po të pyetesha unë, do të dëshiroja që në vend të secilit nga këto objekte të ndërtohej nga një shkollë. Problemi më i madh i qytetarëve të Kosovës nuk është mungesa e lirisë së ushtrimit të feve, por mungesa e arsimimit. Dhe në Kosovë, për një çerek shekulli janë ndërtuar më shumë objekte fetare sesa objekte arsimimi.

Mirëpo nuk ka ndonjë shtet demokratik sot në Evropë, sado sekular të jetë ai, që merr vendim për rrënim të objekteve fetare, pavarësish­t historisë problemati­ke që ato mund të kenë, pavarësish­t sa emocionali­sht ngarkuese për ndonjë pjesë të popullatës mund të përjetohen.

KANË KALUAR 17 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë. Në shumicën e shteteve dhe organizata­ve të rëndësishm­e ndërkombët­are sot janë në pushtet njerëz krejt të tjerë nga ata që kanë udhëhequr gjatë viteve ’ 90. Një pjesë e madhe e brezit që shikon sot CNN- in nuk i ka parë ose i ka harruar skenat e vrasjeve, dhunimeve e dëbimeve që regjimi i Milosheviç­it i ka bërë në Kosovë. Një pjesë bukur e madhe e opinionit publik sot në botë fatkeqësis­ht e ka të mjegulluar gjykimin se kush ka qenë në të vërtetë viktima e kush xhelati në Kosovë.

Në këtë logjikë, dhe mes argumentes­h të tjera, gjithmonë e kam parë të padrejtë insistimin që për shqiptarët të krijohet Gjykata Speciale. Se duke qenë në bankën e të akuzuarve vetëm shqiptarët, tash, 17 vjet pas luftës, kjo ndikon në krijimin e gabueshëm të opinionit botëror se viktima kryesore të luftës në Kosovë paskan qenë në fakt serbët dhe jo shqiptarët. Gjë që është tmerrësish­t e padrejtë dhe jo fer. Një lajm në CNN për një sh- qiptar të akuzuar për trafik organesh sot rrezikon të lërë bukur në hije një lajm për masakrën e Mejës para 17 vjetësh.

Për këtë arsye ne s’kemi pse tash vetë të krijojmë situata për autogola të këtillë krejtësish­t të panevojshë­m. Duhet pasur skajshmëri­sht kujdes në kontekstet që mund të krijohen nga një vendim i nxituar për rrënimin e objektit të kishës.

TË MOS HARROJMË, është e vërtetë se Kosova në territorin e vet është me shumicë dërrmuese myslimane, por Kosova është edhe pjesë e Evropës, e cila është në shumicë dërrmuese e krishterë.

Të mos harrojmë se Kosova është vendi me më së shumti luftëtarë në “Shtetin Islamik” për kokë banori në Evropë dhe se shumëkush mezi s’pret që këtë ta lidhë me çfarëdo veprimi që ta dëmtojë Kosovën politikish­t, e mund mezi të presin që ta bëjnë edhe me çështjen e kishës.

Të mos harrojmë se rrënimi i kishës sot do të ishte lajm ndërkombët­ar dhe konteksti i shumicës së raporteve do të ishte se një shtet i sapopavarë­suar me shumicë myslimane në mes të Evropës rrënon një objekt të krishterë ( pa dhënë hollësi të shumta për politikat e Milosheviç­it dhe kontekstin e përgjithsh­ëm në të cilin u ndërtua ajo).

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, të mos harrojmë se qytetarë me të drejta kushtetues­e të Republikës së Kosovës janë edhe pjesëtarët e komuniteti­t serb, të cilët, megjithatë, askush nuk po i pyet se çka mendojnë se duhet bërë me këtë objekt ( shumica e subjekteve politike thonë se për çështje të brendshme të Kosovës duhet diskutuar me serbët kosovarë, në mënyrë që ata të integrohen).

Ndërkohë janë dhënë shumë ide kreative se si mund të zgjidhet çështja e objektit të kishës në hapësirat universita­re pa e rrënuar atë.

Mbetet të shihet se sa mund të shohim përtej hundës!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania