Panorama (Albania)

Shoqja e Nexhmijes, mbesa: Si e gjetëm të copëtuar

"Na lajmëroi një nga pastrueset e spitalit, që priste aty se mos e hanin qentë e rrugës"

- Vijon nga numri i kaluar

Hatlije Tafani, shoqja e luftës e Nexhmije Hoxhës, që humbi pa lënë gjurmë në maj të ' 45- s, është gjetur e vdekur tre muaj më vonë.

Rrëfimi rrëqethës i mbesës së saj, Shpresa Lançe ( Tafani), zbulon për herë të parë misteret e historisë makabre, që kanë në qendër vajzën tiranase, bashkëluft­ëtaren e liderëve komunistë të viteve të para dhe shpurën e banditëve të Sigurimit, të shquar për intriga e djallëzi në emër të "idealit", por më së shumti të tekave dhe epsheve kafshërore. Në një intervistë për gazetën "Panorama", ajo përshkruan me detaje skenat mizore që ka përjetuar halla e saj, nga dita kur e kanë rrëmbyer dhe deri te momenti kur është gjetur e vdekur. "Në fakt, ditën e vdekjes s'e mësuam kurrë, pohon Lançe, se trupin e hallës e gjetëm të copëtuar në kazanin e plehrave të spitalit". Ajo çfarë ka ndodhur me Hatlijen në verë- vjeshtën e ' 45- s nuk është zbardhur asnjëherë zyrtarisht, por familjarët, sipas mbesës, kanë mundur të depërtojnë te shumë nga të panjohurat e dramës së saj, falë hulumtimev­e disavjeçar­e. E rrëmbyera tinëzisht nga "shokët e luftës", mikesha e Nexhmije Hoxhës, Liri Belishovës dhe Fiqrete Shehut, është terrorizua­r për ditë e javë të tëra në qelitë e errëta për të pohuar atë që s'i kishte shkuar kurrë në mendje: Tradhtinë ndaj regjimit komunist! Pastaj, absurdi dhe e pabesueshm­ja kanë shënjuar fatin e saj tragjik. Për aq sa ka fiksuar në kujtesë nga kjo ngjarje e frikshme, Shpresa Lançe, veçon dy momente që, sipas saj, s'mund t'i imagjinojë arsyeja njerëzore: Momentin e takimit të parë me nënën në burg, kur Hatlija i ka dhënë gërshetin e flokëve dhe dhëmbët që i kishin shkulur me forcë, si dhe çastet kur kanë mbledhur gjymtyrët e saj në kazanin e plehrave të spitalit, ku mungonte njëra këmbë. Po çfarë tregon tjetër mbesa e vajzës me gërsheta, që u masakrua në qelitë e errëta të Sigurimit të Shtetit në muajt e parë të lirisë...

Zonja Shpresa, ju jeni mbesa e Hatlijes, njërës prej viktimave që regjimi komunist e zhduku pa lënë gjurmë, si e kujtoni historinë e saj?

Unë nuk e kam njohur sepse kam lindur disa vite më vonë pas tragjedisë së saj, por historinë e kam dëgjuar nga gjyshja, ije Nadirja, e cila, derisa vdiq, na fliste orë e çast për të. Na rriti si të thuash me kujtimet dhe dashurinë për hallë Hatlijen. Aq të ndjera ishin kujtimet e saj, sa na dukej sikur ishim rritur bashkë. Derisa ija ndërroi jetë, nuk rreshti nga të qarët. Sa herë e përfytyroj tani që nuk jeton, më shfaqet vetëm me lot në sy. Ata lot nuk iu shterën kurrë. S'e kujtoj dot ndryshe. Iku e gjora, iku me një mal me brenga, që sa ishte gjallë thoshte se s'do t'ia treste dheu. Çfarë mbani mend nga kujtimet e gjyshes për Hatlijen? Hatlija ishte vajza e vetme e familjes. Ajo dhe babai mbetën jetimë në moshë fare të vogël. Gjyshi vdiq pas një atentati nga njerëzit e Zogut në Vjenë të Austrisë. I rriti ije Nadirja e vetme. I rriti në mjerim e varfëri. Kur ishin ende të rinj, të dy përqafuan lëvizjen kundër pushtimit italian. E kthyen shtëpinë në një nga bazat kryesore të grupeve ilegale në Tiranë. Ija tregonte se çdo natë strehohesh­in aty dhjetëra komunistë antifashis­të. Madje për shumë kohë edhe liderët e tyre. Pozicioni i shtëpisë në mesin e një grupi godinash përdhese dhe përshtatja e saj me pesë dyer, që komunikoni­n me pesë drejtime të ndryshme në qytet, e bënin atë sa të sigurt dhe funksional­e për misionin e mysafirëve që futeshin e dilnin ilegalisht. Po s'ishte vetëm një strehë e sigurt për mbledhje e takime të fshehta, por edhe spital për të plagosurit. Në këtë mjedis u rrit e u trimërua hallë Hatlija. Aty u njoh e u miqësua ndër të tjera me mjaft nga figurat qendrore të lëvizjes komuniste. Ija veçonte shoqërinë me "Delikaten", siç njihej asokohe Nexhmije Hoxha, me Liri Belishovën dhe Fiqrete Shehun. Ajo tregonte se për shumë kohë ato i pati si vajzat e saj... Pra, në shtëpinë tuaj është strehuar Nexhmije Hoxha...

Jo vetëm është strehuar për ditë e net me radhë, sidomos në kushtet e shtetrreth­imit, por në mjaft nga aktivitete­t që ajo zhvillonte në Tiranë merrte me vete edhe Hatlijen. Me të, kujtonte gjyshja, ndihej më e sigurt, jo vetëm pse ishte banore e zonës, por ishte dhe një vajzë e zgjuar dhe e shkathët. Ajo tregonte se shumë herë kur dilnin bashkë, maskoheshi­n me të njëjtën veshje, për të mos rënë në sy. Ishin si motra, kujtonte ija, duke pohuar se Nexhmija ka fjetur me net të tëra në krevatin e saj. Po pas luftës dhe pas arrestimit të Hatlijes, u shfaq më Nexhmija në shtëpinë tuaj?

Që nga dita kur qeveria komuniste u fut në zyrat e shtetit, ajo s'e kapërceu kurrë pragun e shtëpisë sonë. Asnjëherë të vetme. Kur arrestuan Hatlijen, as që bëhej

fjalë, por edhe më parë. Çuditërish­t, ija deri vonë besonte se ajo do të trokiste ndonjë ditë në portën tonë. Kishte një besim të verbër, sidomos kur u sqaruan disa gjëra për fatin e hallës. Nuk ka mundësi, thoshte ajo, të më harrojë Nexhmija. Kur e shikonte në televizor në tribunat e kongreseve, ngazëllehe­j dhe aty për aty përlotej. Ç'të ketë ndodhur vallë me këtë vajzë, fliste me vete dhe mallkonte nëpër dhëmbë atë që i kishte ndarë tinëzisht. Djalli vetë është futur në mes, thoshte dhe mundohej të përqaste njeriun që kishte hedhur gurin pas shpine. Për ije Nadiren, Nexhmija e ditëve të luftës mbetej një vajzë e veçantë, e zgjuar, e hedhur dhe e zonja për çdo gjë...

Po kur vdiq nënë Nadirja, erdhi Nexhmija?

Ajo e kishte harruar përfundimi­sht portën tonë. Deri në vdekjen e ijes, kishin ndodhur me dhjetëra ngjarje të tjera, po ajo s'u duk kurrë. S'erdhi as për t'i hedhur një dorë baltë ditën e mortit nënë Nadires. E vetmja nga shoqet e luftës që erdhi atë natë për kryeshëndo­shë, si i themi ne tiranasit, ishte Fiqrete Shehu. E kujtoj si tani vizitën e asaj mbrëmjeje dhe fjalët e ngrohta që ajo tha për ijen. U shtrua në bisedë si vajzë shtëpie dhe tregoi me dhjetëra ngjarje për të dhe kontributi­n e saj në ditët e luftës.

Si jua tregonte gjyshja arrestimin e Hatlijes?

Ajo tregonte se erdhën një tufë policësh dhe e rrëmbyen një natë maji, pa shpjeguar arsyet. Dikush ndër ta, kujtonte ajo, i pati thënë në vesh se bëhej fjalë për një sqarim në zyrat e Sigurimit dhe do ta kthenin përsëri. Mos e keni gabim, kishte ndërhyrë Hatlija, duke u thënë se ajo ishte anëtare partie dhe e lidhur me regjimin, për të cilin kishte luftuar që në ditët e para. Po ata s'donin t'ia dinin, e morën me forcë dhe u zhdukën. Qysh atë natë, ija kishte trokitur te të njohurit e saj, pjesa më e madhe e të cilëve ishin zyrtarë të njohur, por askush s'i dha ndonjë përgjigje. Të nesërmen po kështu. U rend sa nga njëra zyrë te tjetra, por kudo e prisnin ftohtë. Për shumë ditë e javë s'u mor vesh gjë për arsyet e arrestimit të papritur. Bile askush s'tregonte se ku ndodhej. Vonë, shumë vonë, dikush tregoi se Hatlijen e mbanin në burgun te Rruga e Barrikadav­e. Më vonë, ajo godinë u përshtat për muze lufte. Shkoi ija menjëherë aty. Kërkoi ta sqaronin e të takohej me të bijën. Askush s'i tha një fjalë. Bile e pritën me shpërfillj­e e përçmim.

Nuk e sqaruan zyrtarisht se pse ndodhej aty Hatlija?

Kur tregonte për këtë moment, ija gati shpërfytyr­ohej dhe qante me dënesë. Deri te ky çast, siç na thoshte, ajo kishte ende shpresë, duke menduar për ndonjë keqkuptim të mundshëm. Por që këtej, s'pati as dyshimin më të vogël për atë që kishte ndodhur. Çfarë kishte përjetuar atë mëngjes te porta e burgut, kishte qenë e tmerrshme.

Çfarë kishte ndodhur?

Kur tregonte ija për ato momente, ne të rinjve na dukej diçka e pabesueshm­e. Flitej për një skenë rrëqethëse, të paimagjinu­eshme për arsyen njerëzore. Kur kishte shkuar te porta dhe u lutej kapterëve t'i thoshin ndonjë gjë për të bijën, kishte dëgjuar zërin e saj nga dritarja e katit të tretë. Fol, moj bijë, pse të mbajnë aty, i ishte drejtuar. Kot, fare kot ije, por mbaje veten, i ishte përgjigjur ajo me të qarë dhe aty për aty i kishte hedhur nga dritarja dhëmbët që ia kishin nxjerrë kafshërish­t bashkë me gërshetin e prerë. Mbaji t'i kesh kujtim, i kishte thënë, se s'kam për të dalë e gjallë që këtej. Pastaj me to në duar ija ishte kthyer në shtëpi. Iku e s'ka për t'u kthyer më, u kishte treguar të tjerëve dhe kishte futur në sepeten e pajës së Hatlijes çfarë i kishte dhënë ajo nga dritarja e burgut. Çdo mbrëmje, para se të flinte, nxirrte prej andej "dhuratat" e së bijës, i mbështillt­e mirë e mirë dhe i vinte te koka. Para se ta zinte gjumi, i puthte fort e fort dhe për çaste të tëra kuvendonte me to, sikur të kishte përballë të bijën e zhdukur. Sa herë mbetej vetëm gjatë ditës, i nxirrte që aty, i vendoste para duarve dhe qante me ligje, aq sa harrohej për orë të tëra. Me këtë ritual vazhdoi deri ditën kur ndërroi jetë.

Po në gjyq mori pjesë nëna e Hatlijes?

Për çfarë gjyqi e keni fjalën? Halla u dënua me vdekje pa gjyq. Kjo e bënte më të mistershme historinë e saj.

Si u dënua me vdekje pa gjyq?

E vërteta është se ndaj saj nuk pati asnjë proces gjyqësor. Na i pohonte këtë ija dhe babai. Një fakt i tillë rezulton edhe në dokumentet e kohës, ku s'përmendet askund një proces, qoftë edhe formal, në adresë të saj. Shkurt, Hatlijen e vranë pa bërë gjyq. E vranë në rrethana që nuk u zbardhën kurrë...

Kush ju njoftoi për vdekjen e Hatlijes?

Një pastruese e spitalit të Tiranës. Lajmin e tmerrshëm e solli ajo. Bile falë saj, halla nuk mbeti pa varr...

Një pastruese e spitalit...

Po, po, një pastruese, një zonjë grua, që siç thoshte ija, familja jonë i detyrohej shumë. Është një histori tjetër kjo. Një histori e dhimbshme, makabre. Më rrëqethet mishi kur e kujtoj...

Si e kishte mësuar pastruesja e spitalit vdekjen e Hatlijes në burg?

Ajo nuk kishte asnjë lidhje me burgun dhe njerëzit e Sigurimit. Vdekjen e hallës e kishte mësuar rastësisht te puna e saj, në spital. Pastaj rendi dhe njoftoi ije Nadiren në shtëpi...

Me një fjalë, halla kishte ndërruar jetë në burgun e spitalit?

Se ku i mbylli sytë ajo, s'u mor vesh kurrë. As pastruesja që na lajmëroi s'dinte gjë për rrethanat si kishte ndërruar jetë. Ajo vetëm na tregoi vendin ku gjendej kufoma. Madje edhe për kaq, ajo grua s'u shfaq me emrin e saj. Erdhi natën vonë dhe iku po natën fshehtas.

Çfarë i tha pastruesja nënë Nadires?

Ajo i tregoi se trupin e hallës e kishin hedhur të copëtuar në kazanin e plehrave të spitalit. Shkoni sa më parë, i kishte thënë, se kanë për ta rrëmbyer qentë e rrugës. Sakaq i kishte shpjeguar se vendin aty për disa çaste e ruante një mikeshë e saj. Fill pas këtij lajmi, ija ishte nisur me vrap. E kishte mbledhur trupin e të bijës copa- copa midis plehrave. Ajo e di se çfarë ka hequr ato çaste. Kur na tregonte për këtë skenë, dridhej e tëra, sikur e kishe futur në korrent. Sidoqoftë, na thoshte, falë asaj gruaje, arritëm të kemi një vend ku ta qajmë, se ndryshe Hatlija s'do na linte asnjë gjurmë. Nga detajet e tmerrshme të atyre momenteve, ija kishte peng që në grumbullin e gjymtyrëve që mblodhi, nuk mundi t'i gjejë njërën këmbë.

Dhe nuk e mësuat asnjëherë si kishte përfunduar aty trupi i Hatlijes?

Kush të na tregonte, ata që e kishin copëtuar, apo ata që e kishin torturuar derisa u kishte mbetur në duar? Çfarë nuk bëri ija e gjorë të mësonte diçka. Të paktën, thoshte, të më kallëzojnë amanetin që ka lënë. Po ku kanë vesh kanibalët. Ku kanë vesh kriminelët.

Si jua tregonte nënë Nadirja ceremoninë e varrimit?

Nuk pati ceremoni. Çdo ritual u bë në fshehtësi. Ija tregonte se pasi i kishte mbledhur gjymtyrët e hallës, kishte ardhur në shtëpi. I kishte mbështjell­ë mirë e mirë në një çarçaf të bardhë dhe kishte qëndruar gjithë natën pranë tyre pa vënë gjumë në sy. Situata ishte e tillë saqë as duhej të qante me zë. S'duhej ta dinte kush që e kishim gjetur trupin e saj, tregonte ajo. Ashtu në fshehtësi, bashkë me dy- tre të afërt të familjes, e varrosën të nesërmen te Varri i Bamit. Bile as aty nuk i vunë emrin, por veç një shenjë sa për ta dalluar. Vetëm disa vite më vonë, kur u zhvendos kjo varrezë në Tufinë, ia vendosën emrin në varrin e ri. Aty pastaj ija shkonte lirshëm. Vitet që kishin kaluar, me sa duket, kishin fashitur misterin e historisë vrastare. Ishin harruar po ashtu edhe emrat e vrasësve...

 ?? Shpresa Jançe ??
Shpresa Jançe
 ??  ?? HATLIJE TAFANI ME TË ËMËN, NADIREN
HATLIJE TAFANI ME TË ËMËN, NADIREN
 ??  ?? Shpresa Jançe duke folur për “Panorama”
Shpresa Jançe duke folur për “Panorama”
 ??  ??
 ??  ?? Hatlije Tafani
Hatlije Tafani

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania