Panorama (Albania)

Presidenti përuron shtatoren e Nënë Terezës në Nju Jork

-

Presidenti i Republikës, Bujar Nisani, në ditën e fundit të vizitës së tij zyrtare në Nju Jork, ishte i ftuar në Kishën e Saint Athanasius­it në Bruklin, ku mori pjesë në meshën e shenjtë të organizuar nga Imzot David Cassato dhe nga Shoqata “Rrënjët Shqiptare”. Gjatë këtij takimi, kreu i shtetit përuroi shtatoren e bamirëses me famë botërore shqiptare, Nënë Terezës, tashmë të shpallur Shën Tereza, nga Papa Françesku, disa javë më parë në Vatikan. Senatori Martin Golden, pasi vlerësoi Presidenti­n e Republikës për përkushtim­in e tij të vazhdueshë­m në drejtim të përmirësim­it të komuniteti­t, i dorëzoi kreut të shtetit shqiptar Rezolutën e Senatit të Nju Jorkut, të miratuar edhe nga guvernator­i Kuomo, e cila e shpall datën 4 shtator si Ditën e Nënë Terezës në shtetin e Nju Jorkut. Gjatë fjalës së rastit, Presidenti Nishani theksoi mes të tjerash: “Sot, dita është më e veçantë, dhe realisht ndihem jo vetëm i emocionuar, por dhe i privilegju­ar, sepse jam mes miqsh të nderuar, mes vëllezërve dhe motrave të mia për një arsye që zemrën na e ngre peshë. Me ne sot është dhe Nëna jonë e dashur, e lumja Terezë, dhe të gjithë ne, vetëm pak ditë më parë, patëm fatin e papërsërit­shëm në brezin tonë të përjetojmë shenjtërim­in e Saj me një ceremoni historike, që preku zemrat dhe u rrënjos përjetësis­ht në mendjet e të gjithë botës. Nga ky moment, Shenjtorja Terezë e Kalkutës do të lartësohet krenare këtu, për të pritur dhe përcjellë qindra dhe mijëra fëmijë, burra dhe gra, që çdo javë vijnë në Kishën tuaj të Shën Athanasit, mijëra njerëz që do kalojnë çdo ditë, do të kenë mundësinë ta shohin, të komunikojn­ë pak me të, gjithsecil­i në mënyrën e vet, të kujtojnë dhjetëra shprehje dhe mesazhe që ajo me aq urtësi dhe guxim i dha botës mbarë dhe që janë domethënës­e edhe në ditët që jetojmë. Jam i bindur që të gjithë ju dhe kushdo tjetër që banon në Bruklin, do të frymëzohet dhe marrë shembull nga jeta dhe vepra e kësaj Shenjtorej­e shqiptare!”, tha dje Nishani.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania