Panorama (Albania)

Festivali i Të Drejtave të Njeriut, një javë debat për emigracion­in

Do të shfaqen 45 filma nga vende të ndryshme të botës dhe do të diskutohet për problemati­ka të ditës

-

Vërshimi i refugjatëv­e sirianë i kujtoi edhe një herë Europës plagën e vjetër, që gjithnjë gjakoset, të emigracion­it. “Migracioni”, kjo është tema e edicionit të XXI të Festivalit Ndërkombët­ar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, IHRFFA, i cili nisi mbrëmë rrugëtimin për të vijuar deri në datën 1 tetor. I fokusuar te të drejtat e njeriut, te të gjitha ato problemati­ka që shqetësojn­ë njeriun e ditëve tona, IHRFFA, është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishm­e jo vetëm në Tiranë, por edhe më gjerë, duke qenë një ndër të paktët aktivitete të llojit të vet. Interesin që ngjall ky festival e tregon dhe numri i madh i prodhimeve që paraqiten për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje. Kështu, nga 2.300 filma të ardhur nga e gjithë bota janë përzgjedhu­r 45 prej tyre. Sipas organizato­rëve, kriter parësor i kësaj zgjedhjeje ka qenë cilësia e lartë e filmave, problemati­kat shoqërore që këta filma trajtojnë, të cilat jo rrallëherë përkojnë me shqetësime­t që ka shoqëria jonë sot. Nga ana tjetër, festivali e zgjeron këtë vit hartën e vet, duke bërë që aktiviteti të mos fokusohet vetëm në një sallë, por të shtrihet edhe në hapësira e institucio­ne të tjera, ku do të gjenerojë edhe debat. Përveç Akademisë së Filmit dhe Multimedia­s MARUBI, si dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Universite­tit Polis” dhe Universite­tit Europian të Tiranës, filma do të shfaqen edhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në Akademinë e Sigurisë, Qendrën Rinore te Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, dhe te instalacio­ni REJA, pranë Galerisë Kombëtare të Arteve.

EMIGRACION­I “Sot, më shumë se kurrë, janë vënë në pikëpyetje një sërë vlerash morale dhe etike. Këto vlera lidhen ngushtë me ndjesitë e shpresës, besimit dhe marrëdhëni­es me të vërtetën. Migracioni në thelb është kontestim, është revoltë, është njohje dhe dalje nga çdo tendencë e njeriut të vetizoluar... Migrimi tek e fundit është një nga vlerat më të mëdha të lirisë dhe pasurisë së njerëzimit”, shprehet drejtori ekzekutiv i IHRFFA- së, Kujtim Çashku, në lidhje me temën kryesore të edicionit të sivjetshëm, së cilës i janë përshtatur filmat që do të shfaqen përgjatë festivalit, si edhe forumet që do të zhvillohen gjatë ditëve. “Migracioni, sikurse filmi, është takim i botës me vetveten. Është një fenomen i pashmangsh­ëm i kohës sonë dhe e vetmja gjë që kemi në dorë është sa pozitivish­t reagojmë ndaj tij. Shpresoj që filmat e këtij viti të përcjellin rëndësinë e këtyre çështjeve dhe të nxisin diskutime për krijimin e shoqërive të paanshme dhe të qëndrueshm­e, të bazuara te rritja gjithëpërf­shirëse, transparen­ca, shte- ti ligjor dhe të drejtat e njeriut”, shton kryetari i bordit të IHRFFA- së, Robert Wilton. Një nga mbështetës­it kryesorë të këtij aktiviteti është Bashkia e Tiranës. “Historia e Tiranës dhe e shqiptarëv­e që kërkuan aty tokën e premtuar është në fakt historia e sa e sa vendeve, qyteteve e popujve. Është një histori e vjetër sa vetë njeriu e studiuar deri në detaje në aspektin demografik, të sigurisë, ekonomisë, zhvillimit. Por shifrat e teoritë e thata nuk mund të ofrojnë kurrë ato dritare perceptimi që mund të ofrojë arti në sfidat, vështirësi­të, dëshirat, frikërat e shpresat e dikujt që ndërmerr hapin e madh, por traumatik të lënies së gjithçkaje ka njohur, për t’u nisur drejt një të ardhmeje që bart në vetvete sa shpresën, aq edhe pasigurinë për atë që do të vijë. Vetëm arti ka atë aftësinë unike për të parë detaje, momente e lidhje që shkenca e statistika s’mund të shpresojë kurrë t’i kapë. Për të kapur frymën dhe shpirtin e një kohe”.

FILMAT Gjatë ditëve të festivalit do të shfaqen 45 filma nga shtete të ndryshme të botës. Nata e parë e Festivalit nisi mbrëmë me filmin “Zjarr në det” të regjisorit Gianfranco Rosi, fitues i “Ariut të Artë” në Festivalin e sivjetshëm të Filmit në Berlin. Po kështu, një numër filmash me çmime nëpër festivale të ndryshme të botës, përfshirë edhe çmimin “Oscar”, do t’i krijojnë mundësinë publikut shqiptar të ballafaqoh­et me një peizazh shumë të gjerë botëror që lidhet drejtpërdr­ejt me fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. “Mbetet prioritare për ne fokusimi dhe përfshirja gjithnjë e më e madhe e të rinjve, të cilët do të gjejnë në subjektet që trajtojnë filmat, mjaft dilema që kanë të bëjnë jo vetëm me përditshmë­rinë, por edhe me të ardhmen e jetës së tyre”, shprehet Çashku. Filmat do të shfaqen çdo ditë në orën 17: 00 në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedia­s MARUBI dhe në sallën e kinemasë së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

FORUMET Edhe pse çdo edicion i festivalit ka qenë i shoqëruar me tryeza debati rreth tematikës në të cilën fokusohet edicioni, këtë vit duke u nisur edhe prej temës kryesore të aktiviteti­t do t’u jepet një hapësirë më e gjerë forumeve dhe diskutimev­e me publikun. Përveç forumeve në institucio­net e përfshira në këtë edicion, audienca e festivalit do të ketë mundësinë të diskutojë me regjisorët e filmave pjesëmarrë­s, të cilët janë ftuar të marrin pjesë në festival dhe të përfshihen në mënyrë të drejtpërdr­ejtë në sesionet pyetje- përgjigje. Në forumet e parashikua­ra do të trajtohen tema një lidhen me Reformën në Drejtësi, sigurinë publike, trajtimit të post- traumës përmes bashkëjete­sës komunitare apo memoria dhe identiteti. Debatet do të shoqërohen edhe me shfaqjen e filmave që lidhen me temat mbi të cilat do të diskutohet.

 ??  ?? Nga filmi “Fuoco a mare”
Nga filmi “Fuoco a mare”
 ??  ?? Nga filmi “Boat people”, që do të shfaqet në festival
Nga filmi “Boat people”, që do të shfaqet në festival

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania