Panorama (Albania)

Largohen nga Qendra e Azilkërkue­sve 21 sirianë

-

TIRANE - Një grup prej 21 personash nga Siria, të strehuar prej disa javësh në Qendrën e Azilkërkue­sve në Babrru të Tiranës, është larguar mëngjesin e së dielës nga qendra dhe Policia ka nisur kërkimin e tyre. Burime nga Policia e Tiranës thanë se janë lajmëruar për largimin e tyre mbrëmjen e së dielës, nga personeli i Qendrës, të cilët kanë thënë se grupi i sirianëve, pjesa më e madhe e të cilëve janë burra, kishin braktisur në mëngjes ambientet e qendrës së pritjes. Shtetasit e huaj kishin mbërritur në Shqipëri disa javë më parë në rrugë ilegale dhe ishin ndaluar nga forcat e Policisë, më pas ishin strehuar në Qendrën e Pritjes së Azilkërkue­sve që ndodhet në Babrru. Duke qenë se vinin nga një zonë lufte, siç është Siria, ata kanë kërkuar azil në Shqipëri, duke pretenduar se nuk mund të kthehen më në vendin e tyre, pasi u rrezikohet jeta. Për këtë arsye, autoritete­t shqiptare kishin nisur procedurat e azilit për të gjithë këta persona, të cilëve u ishte bërë e qartë se deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesave të tyre, ata nuk duhej të largoheshi­n në asnjë vend pa lajmëruar. Megjithatë, ata kanë arritur të dalin jashtë ambienteve të Qendrës ku ishin strehuar, me pretendimi­n se do bënin një shëtitje dhe do të ktheheshin prapë. Por kanë kaluar disa orë dhe grupi i sirianëve nuk është kthyer më, duke bërë që personeli i Qendrës të lajmërojë shërbimet e Komisariat­it nr. 4. Burime nga Policia thanë dje se aktualisht kanë nisur kërkimet për gjetjen e tyre, kërkime që po bëhen jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera. Nga të dhënat operative të siguruara nga policia, ka dyshime se ata mund të kenë hyrë në bisedime me persona të ndryshëm, që mund t'u kenë premtuar largimin nga Shqipëria. Dyshimet kryesore të Policisë janë se ata mund të kenë udhëtuar në drejtim të Shkodrës, për të kaluar atje kufirin drejt Malit të Zi e nga andej për të shkuar në vendet e Bashkimit Europian. Për këtë arsye Policia po heton për ndonjë grup të mundshëm të trafikimit të qënieve njerëzore.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania