Panorama (Albania)

Stuhia përfshin Zvërnecin, fluturojnë lokalet e pemët

-

VLORE - Banesa të shkatërrua­ra dhe qindra pemë të rrafshuara është bilanci i shkaktuar nga një stuhi e fuqishme, e cila përfshiu bregdetin e Zvërnecit pas mesnatës së të premtes. Cikloni mori para disa lokale që ndodheshin disa metra larg bregut të detit e më pas dëmtoi pemë të shumta në pyllin me pisha. Pronarët e lokaleve treguan dje se nuk kishin qenë më parë dëshmitarë të një stuhie të tillë. Një pjesë e tyre flenë në ambientet që kanë në pronësi dhe thonë se janë tmerruar nga ajo që po përjetonin, duke mos ditur se ku të fshiheshin për të shpëtuar kokën. Njëri prej tyre, Valdir Troqe, shprehet se ka qenë duke fjetur kur ka ndier që të thyheshin të gjithë xhamat e lokalit të tij. "Më pas i gjithë lokali u shkëput nga toka. U plagosa ne kokë dhe në këmbë, por qëndrova në një cep, sepse po të kisha dalë jashtë në atë moment nuk e di se ku do të më kishte çuar era e fuqishme". Perlat Kongjini, një tjetër banor në këtë zonë, tregon se nuk kujton një stuhi kaq të fuqishme në dy dekadat e fundit. "Është fat për ne që qëndruam brenda banesës. Nëse do të dilnim jashtë, një erë e fuqishme që them se ishte më shumë se 200 km/ orë do të na kishte fluturuar kushedi se ku". Veç lokaleve, kryesisht me konstruksi­on të lehtë është dëmtuar edhe transforma­tori i energjisë elektrike. Banorët thonë se edhe varkat kanë fluturuar nga bregu i detit, duke përfunduar në zonën me pisha. Në vend shkoi edhe kryebashki­aku i Vlorës, Dritan Leli, sipas të cilit po punohet për hapjen e rrugës dhe evidentimi­n e dëmeve.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania