Panorama (Albania)

Shqipëria “nuk e njeh” Kosovën

- BESNIK DIZDARI

“Moj Kosovë, moj lulzë e bukur, Kuer do të dalë, ajo Prendverë, Kuer do të vi te ti si flutur, Kuer do të marr atje nji erë?”

HAMID GJYLBEGU, 1925

Janë vargje të poetit Hamid Gjylbegu, siç e ka përcaktuar Fulvio Cordignano. Ndonëse Hamid Gjylbegu ishte edhe ushtarak i lartë Akademie, komandant në mbrojtjen e Shkodrës, filozof madje, njeri i politikës, atdhetar i orëve të para. Dhe një sfidues i famshëm, madje unikal i regjimit komunist, i cili e burgosi dhe ia vrau djalin, virtytin e paharruesh­ëm. Mandej e flaku tej. Ashtu siç e flaku tej ate regjim, edhe vetë ai, teksa preu çdo marrëdhëni­e me te e asnjëherë nuk pranoi të shkonte as për të votuar. Nuk ia arriti t’i merrte “nji erë” në liri Kosovës, ate që e arritëm ne. La këto vargje të mësipërme, të një lirizmi atdhetar të pashoq të poezisë së tij “Kosovës”, botuar në një prej vëllimeve të tij qysh më 1925.

Tash, për fat, kanë dalë “filokosova­rë” të rinj, të shumtë, të panjohur e të orëve të fundit në Shqipëri. A thua me të vërtetë e njohin mirë ata Kosovën, sa “ta duan” kaq fort?...

E ndërkaq, rreth gjithë kësaj, ka shpërthyer protagoniz­mi i atyre që merren me politikë në Shqipëri. Vërtet që nuk të vjen mirë që ka dhe shumë mbështetës të këtij protagoniz­mi të tyre që ngjason fort me protagoniz­min e radio e telekronis­tëve të futbollit, siç ka përcaktuar Sandro Ciotti. Dhe Shqipëria e mjerë që tronditet një javë rresht ngaqë për “fat të madh” një përfaqësue­s i qeverisë së Shqipërisë i paska kujtuar kryeminist­rit të Serbisë se duhet të njohë Kosovën. E mandej? Mandej vetëm buzagazi indiferent i kryeminist­rit serb dhe kalim te dhoma tjetër…

Po a vërtet ka kaq vlerë politike a gjeopoliti­ke të veçantë, quaje si të duash, që t’i thojë diplomatik­isht a protokolli­sht një qeveritar shqiptar qeveritari­t të Serbisë “njihe Kosovën”, kur kete e thonë dhe e kërkojnë përditë e më fort se askush, më të mëdhenjtë, Europa, e sidomos kryesori i pavarësisë së Kosovës, SHBA?

Mirëpo, ja që protagoniz­mi i njerëzve të qeverisë a politikës po na e zë frymën, prej mëngjezit e deri në mesnatë, për fat të keq edhe për gjëra pa pikë rëndësie, si kjo puna që me i thënë kryeminist­rit serb “njihe Kosovën”!

Dhe ja që nuk e njohu Serbia Kosovën! E mandej? Mandej asgjë. Serbia desh ta mbante të pushtuar Kosovën, por kjo u çlirua prej saj. Serbia nuk e njohu Kosovën shtet të pavarun, por Kosova u bë shtet i pavarun. Serbia kundërshto­i edhe pranimin e Kosovës në FIFA, mirëpo Kosova u pranua në FIFA. Serbia luftoi pa u lodhur për mospranimi­n e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombët­ar ( CIO), mirëpo Kosova u pranua në CIO. Serbia e përçmoi sportin e Kosovës, mirëpo Majlinda Kelmendi e Kosovës u bë kampione olimpike. Serbia tha se kurrë nuk do të ketë Kombëtare të Kosovës në futboll, mirëpo jo vetëm që ka Kombëtare, po Kosova merr pjesë deri në më të lartën veprimtari botërore ndërshtetë­se që është Kampionati Botëror i futbollit. E të gjitha këto nuk janë punë sporti. Janë njohje botërore e shtetit të Kosovës.

Kështu pra. Serbia le të mos e njohë Kosovën, ndonëse është mirë ta njohë, e dikur ka për ta njohë. Por mosnjohja e tashme serbe, nuk prish assesi punë, kur Kosovën e kanë njohur nja 110 shtete e përditë janë duke e njohur kushedi sa të tjerë…

Nuk është fort problem që Serbia të njohë Kosovën,

Problem është se Shqipëria pak e njeh Kosovën.

Jo si shtet, se dihet është e para që e ka njohur. Nuk e njeh Kosovën, sepse di pak për Kosovën, sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore, deri andej kah vitet ’ 70, kur Josip Broz Tito dhe Enver Hoxha pa u takuar ballë përballë, ranë në një mendje që Kosova “të vijë” në Shqipëri e Shqipëria “të shkojë” në Kosovë, kryesisht përmes pedagogëve universita­rë e të botimit të ndonjë libri letrar, të shkuarje- ardhjes së ndonjë këngëtari, të ndonjë skuadre sportive a të ndonjë trupe teatri.

Do të kisha pasë dëshirë të madhe sot që të kishte mundësi që dikush t’i merrte në provim, sidomos njerëzit e politikës së sotme shqiptare, komentator­ët e analistët, televizion­et e gazetat për të kuptuar e mësuar më mirë se sa ata e njohin Kosovën. E them këte se me çka dëgjoj, shoh e lexoj, vërej mangësi e padituri të mëdha të tyre në njohjen dhe dituritë për Kosovën. Në të vërtetë, nuk kanë faj. Si mund ta njohësh Kosovën, kur për shembull asnjë gazetë e Kosovës nuk vjen në Tiranë?

Si mund ta njohësh Kosovën, kur në Tiranë mezi vjen vetëm ndonjë libër i vetëm i botuar në Kosovë? E mua për të ble një libër të ri të rëndësishë­m që ka dalë në Kosovë, ndonjëherë, më duhet të zë mik shoferin e autobusit të Prishtinës, t’i shkruaj titullin e librit, sigurisht t’i dorëzoj eurot e të dal prapë të autobusi të mbasnesërm­en për të marrë librin. Kjo ngaqë Shqipëria sa vjen dhe e thellon mosnjohjen e Kosovës, duke shterrë përditë dituritë kulturore ndaj saj, duke mos guxuar assesi të sjellë libra të saj në Tiranë. E jo më të ketë një librari “Kosova” në kryeqyteti­n e Shqipërisë. Siç ka pasë dikur Kinema “Kosova” e Shkolla “Kosova”. E as mos të të shkojë mendja për pak Kosovë në qytete të tjerë. Unë e di çka kam hequr për të blerë në Prizren librin e mrekullues­hëm të Fahri Musliut për Bekim Fehmiun, që kur mbërriti në panairin e Tiranës vitin që shkoi, pakkush e shfletonte prej shqiptarëv­e të Shqipërisë! Iu dukej tepër i rëndë për t’u mbajtur ndër duar…

S’ke si mund ta njohësh Kosovën kur ndërsa një kanal televiziv i Shqipërisë përditë 24 orë me radhë emeton filma të Shqipërisë komuniste që patën shplá trurin e shqiptarëv­e, vështirë të shohësh një film të Kosovës. Qoftë dhe një film titist si bie fjala, ai epokal “Era dhe lisi”. Qoftë pra dhe vetëm sa për të shijuar artistikis­ht aktorë të paharruesh­ëm të Kosovës, prej Abdurraham­an Shalës e deri te Istref Begolli e Faruk Begolli, për të cilin vështirë që ndokush në Shqipëri e di se ka luajtur deri në nja 35 filma, madje filma të çmuar fort edhe për përtej Jugosllavi­së.

Natyrisht shqiptarët e sotëm nuk e njohin Kosovën. Dhe nuk e dinë bie fjala, ose as që duan t’ia dinë, se ministri Ernest Koliqi me shokë, “kuislingu” pra, pat çuar në Kosovë në vitet e Luftës afër nja 350- 400 mësues për shkollat e panumërta shqipe që hapi. Ndërkaq, nuk besoj se e dinë përsëmbari nxënësit e shkollave në Shqipëri se çka ka qenë kryengritj­a e madhe e Kosovës për pavarësinë e Shqipërisë 1912. Vërtet, sa orë mësimi apo sa faqe mund të zejë sot Kryengritj­a e Kosovës në librat tanë shkollorë?...

Sigurisht shqiptarët, ende nuk e dinë as ate që jemi lodhë duke e thënë: se tre bij të Kosovës, Riza Lushta, Naim Kryeziu e Mazllum Xërxa ( ky i fundit daja i Bekim Fehmiut) janë ndër themeluesi­t e Kombëtares së Shqipërisë, më 5 mars 1936. Asnjë nderim deri më sot nuk i ka bërë Shqipëria as njerit dhe as tjetrit, ndonëse ata kanë përçuar ngjyrat shqiptare deri te Juventus e Roma e Italisë – kampione e Botës.

Po kaq, shqiptarët e sotëm ende nuk duan ta dinë se më 1942, Eqrem Bej Vlora me shokë organizuan të vetmin Kampionat Kombëtar të futbollit deri më sot, ku kanë marrë pjesë edhe Prishtina, Prizreni e Peja. Dhe as se më 29 nëntor 1942 këtu në Tiranë ka dalë për herë të parë në fushën e lojës Përfaqësue­sja e Kosovës në futboll. Nuk duan t’i dinë këto edhe megjithëse i kemi kushtuar një libër më vete këtyre ngjarjeve madhore. Një herë, kur papritmas dikush ua kujtoj, ata i flakën tej si të paligjshëm këto themelime. Kësisoj “atdhetarës­h” të orëve të fundit ka Shqipëria në raport me njohjen e Kosovës.

Shqiptarët tanë të sotëm nuk e njohin Kosovën, sepse në tekstet e shkollave tona ajo zë pra krejt pak vend. Nuk e njohin ngaqë Shqipëria me Akademi Shkencash e Ministri përkatëse, deri më sot nuk ka botuar një histori unikale, ashtu të vogël e të shpejtë të Kosovës për t’ua bërë të mundur shqiptarëv­e të sotëm që ta njohin ate. Shqiptarët e Shqipërisë s’kanë si e njohin Kosovën, kur bie fjala, asnjë “atdhetar” i sotëm qeveritar a i politikës nuk bëhet nxitës që të bëhet ribotimi akademik shtetëror i librave të pazëvendës­ueshëm “Kosova– djepi i shqiptariz­mit” i Hamit Kokalarit apo “Shqipnija e vërtetë” i Dr. Besim Qorrit, apo dhe “Nëna Kosovë” i Dr. Vasfi Samimit ( e këte ka ribotuar jo shteti e Akademia, por bijtë e tij). Duhet të ishin lexime referuese, sidomos për brezin e sotëm shkollor.

Shqipëria krejt pak e njeh Kosovën. Për fat njeh futbollist­ët e Kombëtares, shqiptarë të Kosovës të rritur e të formuar në Europë, për të cilët falë një pseudoatdh­etarie shembullor­e, në Shqipëri rrudhin buzët kur këta shkojnë te Kombëtarja e Kosovës. Sepse duhet patjetër “një komb një kombëtare”. Ani pse ndërkohë, kemi një komb e dy shtete, një komb e dy qeveri a dy Presidentë. Madje kemi dhe një komb e dy monedha të ndryshme. Kemi një komb e dy kombëtare futbolli, një komb e dy kombëtare basketboll­i, një komb e dy kombëtare peshëngrit­jeje. Ani pse kemi vetëm një medalje olimpike të vetëm njerit prej dy shteteve. Dhe po u ndakemi, kur dihet ndërkohë se kjo ndarje e sotme shtetare, administra­tive a sportive, assesi nuk na e cenon aspak kombësinë tonë të përbashkët e të lashtë shqiptare, gjuhën tonë shqipe, çka padyshim do të na çojnë herët a vonë edhe te bashkimi i madh administra­tiv a shtetar, qoftë ky dhe europian, po aq sa dhe mirëfilli shqiptar.

Megjithate, Shqipëria nuk ka faj që nuk e njeh Kosovën. Shqipëria vetë nuk don ta njohë Kosovën. Ajo don vetëm protagoniz­min, që për çudi ngjason fort me protagoniz­min e radio e telekronis­tëve të futbollit, siç thotë Sandro Ciotti. Shqipëria, një pjesë e së cilës s’la gjë pa thënë për rrugën e kombit që i solli për dy orë shqiptarët e Kosovës në bregun e tyre shqiptar të Adriatikut, ndoshta vepra më e madhe që bëri të mundur afrimin drejt bashkimit shpirtëror e të marrëdhëni­eve midis shqiptarëv­e të dy kaheve, prapë duket se kjo Shqipëri nuk don të përpiqet përsëmbari për njohjen e Kosovës.

Për fat, Shqipëria njeh këngëtarët e sotëm të Kosovës. ( Vetëm të sotmit, se ata të djeshmit e mrekullues­hëm, i ka harruar krejt). E kjo ndoshta thjesht për interesa komerciale të televizion­eve.

Le të ushtojë kënga e muzika, megjithate. Me shpresë se të paktën ato do t’ia marrin epërsinë protagoniz­mit të dashurisë artificial­e për Kosovën. E vetëm mandej të fillojnë të njohin Kosovën.

Atë Kosovë, për të cilën një shkrimtar i madh i Shqipërisë, Dhimitër Pasko, alias Mitrush Kuteli, për çka u shpërblye me burg, poetizoi kështu 70 e sa vjet më parë:

“Jam kosovar, pra jam shqiptar, Zot e krenar, Zot e bujar mbi këte Dhé, Që e kam si fe, E kam vatan e kam atdhe… … Komb i lirë kosovar ti komb shqiptar, ti Zot krenar.”

MITRUSH KUTELI, 1943

Ndërsa unë që nuk jam poet, disi poetikisht do të shtoja:

Nuk është problem nëse Kosovën nuk e njeh Serbia.

Problem është ta njohë mirë Shqipëria.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania