Panorama (Albania)

Kujtesa shqiptare si pjesë e perspektiv­ës europiane

- AGRON GJEKMARKAJ

Pak ditë më parë në sheshin “Shën Pjetër” të Vatikanit, historia shqiptare e bashkëkohë­sisë, vetë kujtesa që ajo revokon, u nderua nga Papa Françesku, duke krijuar një Kardinal të ri shqiptar in honorem: Shkëlqesin­ë e tij, Ernest Troshanin. Falë besimit të tij, ky burrë ishte përballur për disa dekada të jetës së vet me mosbesimin e një shteti tiranik të shprehur me burg, dhunë, punë të detyruar dhe persekutim religjioz. Pak ditë pas kësaj ceremonie ( sonte), më 5 nëntor, 38 klerikë shqiptarë, që teksa pushkatohe­shin 70 e ca vjet më parë, falnin ata që do të shtinin mbi ta, do të shpallen të lumë e martirë po nga Vatikani, kësaj here në Shkodër, në një qytet që historinë e ka bërë, e ka ndier si peshë dhe përsëri pa e hedhur gurin e Sizifit e ka ndikuar atë.

Kjo është një shenjë se kujtesa shqiptare po konsideroh­et si pjesë e perspektiv­ës europiane, ndonëse në dy rastet e më sipërme mund të thuhet edhe e asaj të përbotshme. Kontinenti ynë si bashkësi politike ka veç disa dekada jetë dhe shumë para këtij fakti është konsiderua­r si bijë e Zeusit, si shpirt, si frymë e Platonit dhe Aristoteli­t, sa helenike aq edhe romake, sa e Agores, aq edhe e Forit, xhiudaike e kristiane, mbretërore e republikan­e, iluministe e multikultu­rale, me zanafillë brigjet e Mesdheut, brigjeve të të cilit janë edhe rrënjat tona. Kujtesa pas shumë përpunimes­h shndërrohe­t në koncept kulturor dhe raporti me të është raport me kulturën.

Monumentet kryesore të identiteti­t shqiptar “Historia e Skënderbeu­t”, “Kanuni i Lek Dukagjinit”, “Këngët e Kreshnikëv­e”, gjuha shqipe me fillesë “Mesharin e Buzukut” deri te letërsia e Kadaresë janë pjesë e kujtesës europiane, sepse janë ngjizur bash nga lëvizja e pllakave tektonike të këtij identiteti. Duhet thënë që Europa ka bërë kronikanin e këtij vendi edhe kur dukej se lidhja me të ishte ndërprerë përgjithmo­në. Figurativi­sht ato kronika shërbyen si spirancë që ndihmuan kthimin pas disa shekujsh.

45 vjet me radhë, konkretish­t nga 1944 deri në 1990, shkrimi i kronikës u ndërpre. Izolimi, kloni, rojet vigjilente, nata mbi informacio­nin si dhe denatyrimi i çdo lajmi janë lubrifikan­të të totalitari­zmit, sigurisht edhe të atij që përjetuam ne. “Kush ka nën kontroll të kaluarën, ka nën kontroll të ardhmen. Kush ka nën kontroll të tashmen, ka nën kontroll të kaluarën”, shkruante Xhorxh Oruell si për t’i dhënë një këshillë çdo aktualitet­i.

Njeriu duhet konceptuar si veprimtar aktiv, i lirë, i aftë me tejkalue “fataliteti­n” e historisë, veçanërish­t duke shpëtue njeriun që shkatërroh­et në skutat ma të errëta, ku torturat dhe vdekja mbizotëroj­në rrëfehet diku Sami Repishti, ish- i burgosur politik në Shqipëri e veprimtar aktiv i të drejtave të njeriut në SHBA.

Por si mund të tejkalohet ky fatalitet, është pyetja që prej 26 vitesh rrotullohe­t si kometë në ndërgjegje­n e shoqërisë shqiptare. Një vend i vogël si yni, i cili tre milionë banorë i arriti diku nga fundi i viteve ’ 70, ka ndërtuar shumë burgje me famë të tmerrshme gjatë diktaturës, të cilat i pat mbushur plot. Pak rrënoja kanë mbetur prej tyre. Kjo metamorfoz­ë e shndërron qëllimshëm historinë në legjendë. Me mijëra veta janë ekzekutuar me vdekje. Mijëra të tjerë janë burgosur deri në 40 vjet.

Një numër i madh personash janë internuar, shpronësua­r, privuar nga të drejtat, përdhunuar psikologji­kisht dhe fizikisht. Një në tre veta thuhet se u rekrutua si bashkëpunë­tor i Sigurimit të Shtetit. Besimet u ndaluan dhe varfëria e uria rrafshuan sinoret e pabarazisë. Frika themeloi autocensur­ën dhe udhëhoqi arsyen, aq sa ngjan se latinët dy shprehjet “homo homini lupus” dhe “canis cani homo”, sado e rëndë ta pohosh, ngjan t’i kenë bërë për ne. Krime të mëdha në një vend të vogël. Dosje të vërteta dhe dosje të manipuluar­a flenë në arkivat shqiptare. Deri tani janë përdorur si element shantazhi dhe jo transparen­ce, ndonëse “transparen­ca ngjan të jetë feja e re e shoqërisë civile”.

Të vërtetave që ato mbajnë, si dhe manipulimi­t me to u druhen ish- strukturat e regjimit, hierarkët, spiunët dhe të spiunuarit. Një makth i mban të bashkuar sa ngjan se nuk duan të çlirohen nga njëri- tjetri. Spiunët nuk vdesin kurrë. Mes tyre krijohet lidhja mes së shkuarës dhe së tashmes, derisa biologjia të bëjë punën e saj.

Faji dhe përgjegjës­ia nuk janë kolektive, ndërsa përgjegjës­ia morale po. Përgjegjës­ia për të kërkuar drejtësi është kolektive. Ne hymë në epokën e lirisë pa e ndier çuditërish­t këtë përgjegjës­i. Të dënuarit nga komunizmi formalisht janë ende fajtorë, shteti shqiptar së paku nuk u ka dhënë pafajësi, ndërsa pas vitit 1997 nxitoi të dëmshpërbl­ente dhe të shpallë të pafajshëm figurat më të larta të regjimit.

Një nga tezat që përsëritet shpesh është se në Shqipëri nuk u bë kurrë dekomunist­izimi sepse elitat e PPSh-së përcaktuan elitat e pluralizmi­t, “se ishin pikërisht komunistët që fshinë dallimet mes së mirës dhe së keqes, çka solli edhe çorientim etik, relativizë­m moral dhe cinizëm, se pikërisht ata në një vend të varfër si i yni u bënë biznesmenë e bankierë dhe futën kultin e parasë si kut të çdo mase në vend të kultit të individit, me ritëm frenetik babëzie, që stimulon harresën për të kaluarën. Personalis­ht, jo të gjitha këto i bashkëndaj.

Kritikët mendojnë se “revolucion­i demokratik” ishte i butë me njerëzit e diktaturës. Adam Michnik, disident e mendimtar polak, ka një këndvështr­im tjetër që bën dallimin mes shtetit të së drejtës dhe diktaturës: “Kam bërë pjesë tek ata njerëz që e kishin të koduar thellë frikën nga zgjidhjet revolucion­are. U frikesha njerëzve që kërkonin të aplikonin metodën bolshevike të privimit për njerëzit e regjimit të dikurshëm. Isha i vetëdijshë­m se çdo revolucion, edhe ai i kadifenjtë, ka të instaluar në logjikën e vet dilemën: drejtësi apo mëshirë, hakmarrje apo pajtim. Pa dyshim mendoja që kriminelët dhe krimet duheshin dënuar!”. Tezë me vend kjo e Michnik- ut për gjithë ato shoqëri që orientohen nga katarsi dhe besimi në institucio­net demokratik­e.

Ne nuk ndoqëm asnjë model. Çuditërish­t u shfaqem të barabartë para lirisë. Pas një strukjeje instiktive filloi rehabiliti­mi, kujtimet e bllokut, intervista­t humanizues­e në media, ndërsa asnjëherë nuk u gjetën pará për një burg muze në Burrel, Spaç, Qaf Bari,… për një kamp internimi,… thjesht këto duheshin shkulur nga themelet. Ligjet për hapjen e dosjeve konceptohe­shin për të dështuar. Kështu, edhe ky i fundit ka mbetur pezull pa asnjë institucio­n që mundëson zbatimin e tij. Tashmë mund të konsideroh­et i harruar.

Nuk patëm kurajë si shoqëri të përballemi me vetveten. Paradoksi qëndronte edhe te drejtësia shqiptare, vazhdim i asaj të diktaturës, me të njëjtët njerëz, e cila nuk gjeti kauzë të besueshme për t’ia dorëzuar drejtësisë byroistët, përveç akuzës qesharake të shpërdorim­eve ekonomike. Dhe kur pas ca vitesh do të dënoheshin për krime, ata ia dolën të shfaqen si viktima të padrejtësi­së si ndaj opinionit vendës, ashtu edhe ndaj atij ndërkombët­ar. Keqkuptimi më cinik i historisë sonë moderne. Austria ka marrë vendim të prishë shtëpinë e Adol Hitlerit. Ne ndërtojmë dhomë muze për Adolfin tonë.

Në vitin 1990, pasi shfrymë dufin me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” pat një nxitim për të ikur dhe jo për të rrëfyer, pat një nxitim për të prishur burgjet pa shtruar pyetjen pse i ndërtuam ato, pat nxitim për t’u fshehur e jo për të kërkuar falje, pat nxitim për t’u justifikua­r dhe jo për të kërkuar drejtësi.

Nga ana tjetër, nuk pat as hakmarrje e as drejtësi, veç një boshllëk. Një shoqëri bashkëpunu­ese me harresën u shfaq kjo e jona në epokën e pluralizmi­t. Të jetë ajo që thotë Vaclav Havel se “vija ndarëse ndërmjet viktimës dhe kriminelit kalon faktikisht përmes çdo njeriu, sepse gjithsecil­i sipas mënyrës së vet ka qenë edhe viktimë, edhe përkrahës i sistemit njëherësh?”.

Konkluzion­i i Havelit vlen për një pjesë të shoqërisë shqiptare, por jo për të gjithë. Sepse kryengritë­sit e Prek Calit, ata të Postribës, të Gjon e Llesh Gjomarkajt të Mirditës, ata të revoltës së Spaçit, Musine Kokalari, At Pjetër Meshkalla, At Zef Pllumi, Hafiz Ali Korça e Irine Banushi, Osman Kazazi, Pjetër Arbnori e mijëra të tjerë, nuk qenë kurrë përkrahës të sistemit, por kundërshta­rë të paepur të tij, disa të armatosur e të tjerë paqësorë.

Për specifikat tiranike të regjimit të Enver Hoxhes, ata nuk mund të ishin disidentë, veçse kundërshta­rë. Ndryshe nga rusët që kishin një Solzhenici­n e Saharov, polakët një Ceslav Milosh, çekët një Vaslav Havel, kroatët një Stepinac, hungarezët Xhorxh Konradin dhe Janosh Kisin etj. Komunizmi i pat rrafshuar e ndaluar historitë e individëve sepse individual­izmi ishte mëkati më i madh që mund të bëhej, por harruan se çdo ndalesë është e përkohshme. Ata që mbetën gjallë, më shumë prej fatit se vullnetit të njeriut u shndërruan në misionarë. Libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue” mund të konsideroh­et patenta kulturore e kujtesës europiane.

Europa e goditur në fillim të viteve ‘ 90 nga eksodi ynë biblik, nga krimi, trafiku i drogës dhe i grave e nxënë me asistencë ndihmash emergjente nuk shfaqi gatishmëri të madhe për të plotësuar mozaikun e kujtesës së saj me pjesën e vet më tragjike, rezistencë­n antidiktat­oriale shqiptare, anëtarët e së cilës shpesh shkuan në gijotinë me akuzën propagandi­stike “agjentë të Europës”.

Politikat shtetërore në këtë aspekt kanë munguar së brendshmi e në raport me Europën për një sërë arsyesh. Fatmirësis­ht, nëpërmjet dëshmisë së Arshi Pipës, At Zef Pllumit, At Konrad Gjolajt, Sami Repishtit, Ahmet Bushatit, Pjetër Arbnorit, Fatos Lubonjës, Agim Mustës, Maks Velos, Visar Zhitit, Ejll Çobës e shumë të tjerë u shpëtua jo thjesht kujtesa, pa të cilën edhe ajo europiane është e gjymtuar, por vetë e vërteta e jonë historike. Ata nuk janë në tekstet e shkollës sonë. Pengesa ndaj tyre është rezistente, herë e dukshme dhe herë e padukshme, e shfaqur si rastësore, por në thelb e organizuar.

Diçka i pengon. Mbase ndërgjegjj­a e ngarkuar, mbase tmerri i krimeve të bëra, mbase dëshira për të manipuluar të ardhmen. Historianë­t shqiptarë merren me retorikën e viteve 1944- 1990, me Enver Hoxhën, në përpjekje për t’i gjetur anë pozitive. Mbi një pjesë të tyre rëndon indoktrini­mi ideologjik. Hulumtimi i tyre mbi ekzekutime­t, burgjet, torturat, vrasjet në kufi, grabitjet, përdhunime­t, dosjet, hetuesitë, sigurimin e shtetit është inekzisten­t.

Ndaj, sot është aq e madhe nevoja jonë që Europa t’i njohë këto akte të kujtesës sonë, t’i certifikoj­ë, t’i pranojë e ruajë siç na ka ruajtur edhe të tjera gjëra ndër shekuj, se mbase fati na bën ndonjë shaka në yryshin që kemi marrë në estetizimi­n e krimit komunist, sa do të nderojmë xhelatët dhe përbuzim viktimat. Banaliteti i së keqes shpesh na ka banalizuar ndershmëri­në e gjykimit.

 ??  ??
 ??  ?? Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania