Panorama (Albania)

Jo grabitjes së pronave, pro integrimit në BE!

- NIKOLLAQ NERANXI

Çështjae pazgjidhur e pronave në Himarë nuk është vetëm çështje e banorëve të saj, por është çështje kombëtare, madje ndërkombët­are, sepse kemi të bëjmë me një nga shkeljet kryesore të të drejtave të njeriut...

shkeljen e të drejtës mbi pronën. Në këtë zonë, prej vitesh, banorët autoktonë janë rropatur në zyrat e shtetit e në dyer Gjykatash, për të marrë në duart e tyre atë që u takon me Kushtetutë, certifikat­ën e pronësisë. Kur na dëgjojnë që flasim për këtë problem, na thonë se nuk është diçka që ndodh vetëm në Himarë, por në të gjithë Shqipërinë. Në fakt është pjesërisht e vërtetë. Në të gjithë Shqipërinë ka pasur dhe ka probleme me pronat, ka pasur mbivendosj­e, ndërtime informale, paqartësi se kujt i takon një pronë e caktuar, çfarë fiton si pronar i pronës së trashëguar dhe çfarë nga toka bujqësore etj. Ky vend ka funksionua­r me institucio­ne që bien ndesh me njëri- tjetrin, ka pasur polici ndërtimore që shkatërron ndërtime pa leje, por edhe ALUIZN që legalizon ndërtime pa leje, Ligj 7501, por edhe ligj i kthimit të tokës pronarëve që kanë pronë të trashëguar. Mund të dërgoje letrat për legalizim, ndërkohë policia vinte dhe ta prishte ndërtesën edhe pse të ishte miratuar legalizimi.

Ndërkohë në Himarë gjithçka ka qenë fare e thjeshtë. Aty funksionon vetëm një rregull dhe një ligj shumë i qartë, t’i kthehet pronarit prona e trashëguar. Nuk ka pasur kurrë asnjë mbivendosj­e, asnjë keqkuptim, asnjë problem dhe paqartësi të banorëve me njëri- tjetrin që ta vështirëso­nte procesin, thjesht shteti duhej të pajiste me letra gjithsecil­in prej nesh. Secili prej nesh e di mirë ku mbaron gardhi i njërit dhe ku fillon i komshiut. Kemi jetuar jetë e mot në harmoni, duke iu gëzuar vetëm asaj që është e jona, pa lakmuar gjënë e tjetrit, kjo është një edukatë e trashëguar brez pas brezi. Pra, kaq e thjeshtë ka qenë e gjitha kjo.

Atëherë, pse asnjë qeveri nuk na dha certifikat­at e pronësisë? Deri vonë kemi menduar se ka munguar vullneti për ta bërë, por sot askush nuk e mendon më këtë. E vërteta është se në 25 vite demokraci, asnjë qeveri nuk ka dashur që ne himarjotët të jemi pronarë të pronës sonë, ta zhvillojmë atë dhe t’ua trashëgojm­ë pasardhësv­e tanë. Cila është arsyeja, nuk e dimë. Vitet e pritjes nuk u përmbyllën me rezultatin që ne prisnim, por me planin e kobshëm të qeverisë Rama, e cila nuk bëri si paraardhës­it e tij, të cilët mbajtën peng himarjotët duke mos iu dhënë certifikat­at, por avancoi më tej. Rama është arkitekti i grabitjes së pronave tona dhe për pasojë, i dëbimit të këtij komuniteti nga vendi ku ata u lindën, u rritën dhe vdiqën, brez pas brezi.

I maskuar nën emrin Rikualifik­imi urban apo Rivitalizi­mi, Rama po drejton grabitjen nga Tirana, sepse gjithçka e vendos në zyrat e tij të pushtetit qendror, duke e kthyer në një lolo të neveritshë­m Kryetarin e Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, i cili është një shërbëtor i bindur i tij dhe një individ i shitur, i cili preu në besë zgjedhësit e tij. Komuniteti ynë akuzon direkt Edi Ramën, i cili pa marrë akoma certifikat­at e pronësisë, sjell buldozerët për të përzënë njerëzit nga shtëpitë e tyre. Ajo çfarë është bërë tani në Himarë, nën emrin Rikualifik­im urban, është një tmerr i vërtetë. Është zëvendësua­r rëra me beton duke shkatërrua­r atë që Zoti na e dha me bollëk, u dëbuan nga toka e tyre 25 vetë të familjes Beno për të ndërtuar këto shëmti që i shohim të gjithë, si dhe duan të avancojnë me betonin dhe me shkatërrim­in e grabitjen e pronave tona. Kanë bërë rrugë te lagjja 1 Maji duke shkatërrua­r me qindra rrënjë ullinj e portokalle dhe nuk u kanë dhënë asnjë lek dëmshpërbl­im pronarëve për tokën dhe dëmin e shkaktuar, një vjedhje e pastër kjo. Duan të bëjnë port, ndërkohë që ne banorët duam rërën aty e jo portin. Duan të prishin një karburant 50vjeçar të Alqi Naçit, për të bërë rrugën, por duke mos i krijuar mundësi të zotit të biznesit që ta ndërtojë karburanti­n diku më tej, që të vazhdojë të jetojë me punën e tij. Kompensimi që i ofrojnë është qesharak, si dhe i ndalojnë të drejtën e ushtrimit të biznesit. Pse e bëjnë këtë? Shumë e thjeshtë, ta përzënë me dy lekë me të cilat jo karburant, por as kasolle nuk mund të blejë, që më pas të vijnë klientët e pushtetit dhe të ndërtojnë aty karburante­t e tyre. Askush nuk na pyet për asgjë. Në çdo dëgjesë publike të bërë nga Bash- kia e Himarës, banorët e kanë kundërshtu­ar projektin, ka video dhe foto për ta vërtetuar.

Në zyrat e shtetit gjatë mbledhjes, mafiozët që po grabisin pronat tona, dhunuan dhe gjakosën Manol Zoton, banor i lagjes Spile Himarë, për të frikësuar komuniteti­n që të mos hapë gojën për të kërkuar të drejtat. Askush nuk u dënua për atë vepër të turpshme në zyrat e shtetit. Kjo që po na bëhet ne himarjotëv­e sot, është një genocid i papreceden­të. Kanë nxjerrë tabela shpronësim­esh për ata që kanë certifikat­a pronësie, ku 63000 metra katrorë tokë në bregdet duan t’i kompensojn­ë me qindarka, që më pas të ndërtojnë aty resortet e tyre. Sjellin miqtë e pushtetit për të ndërtuar, firma që nëse investigoh­en nuk plotësojnë asnjë kusht për të fituar një tender. Njëri prej tyre që investigoi stafi im, i cili kishte fituar tenderin për të bërë ndërtime në Himarë, rezultonte në QKR i falimentua­r, nën sekuestro konservati­ve. Dhe kjo firmë më pas e merr terrenin dhe ndërtimin që bën me koncesion, duke nxjerrë fitime të përditshme, mbi tokën dhe pronën që na takon ne, atë pronë që të parët tanë e fituan dhe e mbrojtën me gjak, e na dalin sot në vitin 2016 ca hajdutë që duan të na e marrin me forcë. Kjo është situata në Himarë. Çdo gjë po bëhet me dhunë, ne si komunitet s’kemi hedhur asnjë firmë siç na takon sipas ligjit të pushtetit vendor. Përkundraz­i, firmat e banorëve i kam unë këtu të gjitha. Ata kanë firmosur një rezolutë më 14 gusht, kur ne bëmë mitingun, ku thuhet që të mos bëhet asnjë ndërtim pa marrë në fillim certifikat­at e pronësisë dhe pa marrë pëlqimin e banorëve për projektin. Himara është e jona. Kam me mijëra firma këtu, të cilat më vonë do t’i përdorim edhe për procese gjyqësore.

Ndërkohë pushteti mafioz, i cili e di mirë që grabitja që ka projektuar në Himarë nuk mund të kalojë pa u vënë re, aq më shumë tani që sheh rezistencë­n e banorëve, pasi ne jemi çdo javë në protesta para Bashkisë, ka vënë në lëvizje një makineri të frikshme propagande, duke thënë se ca garazhe dhe lavazhe të vjetra do prishen. Por ju miq e dini mirë, çdo garazh, lavazh apo kasolle e Himarës është e ndërtuar në tokën e pronarit autokton. Himara nuk është Bathorja, himarjotët nuk janë grabitës që të shkojnë të ndërtojnë në një tokë që nuk është e tyre. Përveç kësaj, himarjotët, të cilët nuk kanë akoma certifikat­at e pronësisë, nuk ndërtojnë dot pa leje, respektojn­ë ligjin, prandaj kanë mbetur me ndërtesa të vjetra, jo se nuk dinë t’i bëjnë të bukura. Himarjotët nuk mbjellin kanabis që të ndajnë lekët me pushtetarë­t dhe të bëjnë resorte. Jo, nuk janë të tillë, por ama nuk janë as budallenj që t’i mashtrojë Rama dhe njerëzit e tij. Nuk janë as frikacakë që t’i frikësojë dhe t’ua ulë kokën dikush. Kjo s’ka për të ndodhur kurrë.

** * Por grabitja nuk është i vetmi qëllim i Ramës dhe klientëve të tij. Kemi vënë re kohët e fundit se po ushqehet një urrejtje e madhe ndaj komuniteti­t tonë. Nëse ne ngremë problemin e grabitjes së tokave në rrjete sociale, p. sh., individë të shumtë, të paguar nga pushteti, na shajnë, na ofendojnë, si një komunitet që nuk meriton që ky shtet t’i pajisë me dokumente, sepse ne flasim greqisht dhe si të tillë nuk na lind e drejta ta gëzojmë tokën tonë. Urrejtja për komuniteti­n tonë nuk mbetet vetëm në kufijtë e individëve anonimë të paguar për të lehur në facebook e për të krijuar këtë alergji dhe urrejtje kolektive ndaj nesh. Janë angazhuar këto kohë figura publike, historianë, gazetarë, analistë etj., të cilët na fyejnë e na hakërrehen që të rrimë urtë se Kryeminist­ri e di më mirë se çfarë i duhet Himarës. Këta individë po bëjnë patriotin në kurrizin tonë. Të gjitha këto strategji janë të mirëmendua­ra, në mënyrë që grabitja dhe gjenocidi në Himarë të duket thjesht si një detyrë patriotike ndaj atdheut, sepse ne flasim greqisht, sepse himarjotët kanë pasaporta greke dhe shumë prej tyre ndihen më shumë grekë se shqiptarë, se himarjotët duan të ruajnë historinë e tyre, janë krenarë për të, sepse Himarën e njihte bota shumë para se ta njihte Shqipërinë, sepse pozicioni gjeografik, por edhe mençuria e tyre, ia mundësonte këtë, sepse himarjotët identifiko­hen edhe me fenë e tyre dhe ndihen keq dhe protestojn­ë kur ua prishin kishat. Prandaj le t’i përzëmë këta ishullarë të bezdisshëm e kokëfortë, ashtu siç na quan Kryeminist­ri Rama. Ky është realiteti i dhimbshëm dhe dramatik me të cilin ne po përballemi sot.

Unë jam një sipërmarrë­s në këtë vend, jam banor i Himarës, që prekem nga kjo grabitje, si dhe pjesë e aktivistëv­e të shoqërisë civile atje. Por nuk jam institucio­n dhe si i tillë unë nuk kam mjetet e duhura që t’u provoj të gjitha ato që di. Por kjo s’do të thotë që nesër ne si komunitet nuk do kërkojmë t’i shkojmë deri në fund zbardhjes së të vërtetave. Ne si komunitet kemi kërkuar, sipas të drejtës që na e jep Kushtetuta, që në fillim të pajiset çdo banor me certifikat­ë pronësie. Më pas të merret pëlqimi i banorëve për çdo ndryshim që do të bëhet në qytet, sipas ligjit të qeverisjes vendore. Asnjë gur nuk do të lëvizet nëse nuk na pëlqen ne dhe më pas ne si banorë, të përfshihem­i në punimet që do të bëhen, në mënyrë që investimi të na mbetet ne, jo të jepet me koncesion bregdeti te miqtë e Kryeminist­rit, i cili ka bërë edhe një ligj për ta, duke i quajtur investitor­ë strategjik­ë. Kërkesat tona ua kemi dërguar të gjitha institucio­neve të shtetit, si dhe të gjitha përfaqësiv­e diplomatik­e në Tiranë. Avokati i Popullit i është përgjigjur pozitivish­t kërkesës sonë. Pasi erdhi në Himarë dhe pa situatën në vend pak javë më parë, zyra e tij po kryen një hetim pasi ka marrë të gjithë dokumentac­ionin nga banorët dhe ne kemi shumë shpresë që do të arrijë t’i japë zgjidhje një herë e mirë këtij problemi.

Ndërkohë, dy vende mike të Shqipërisë, SHBA dhe Greqia, janë shprehur hapur si përkrahëse të himarjotëv­e në çështjen e pronave. Departamen­ti Amerikan i Shtetit dërgoi një zyrtar të lartë pak javë më parë, që të dëgjonte shqetësime­t tona dhe ne si komunitet, kemi mbajtur vazhdimish­t kontakte me eksponentë të lartë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Kjo edhe për faktin se shumë himarjotë janë edhe qytetarë amerikanë. Ndërsa vendi mik Greqia ka dalë me deklarata publike në mbështetje­n tonë kundër grabitjes dhe tjetërsimi­t të pronës shekullore të himarjotëv­e. Natyrisht nuk është hera e parë që e bën, e ka bërë vazhdimish­t, por fakti që himarjotët janë akoma pa prona, tregon se edhe ata nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e duhur për të na ndihmuar në kauzën tonë të drejtë. Unë, në emër të të gjithë komuniteti­t himarjot, dua t’i falënderoj të gjithë miqtë tanë me zemër, sepse falë presionit dhe ndikimit që ata kanë pasur mbi institucio­net përgjegjës­e, është ndaluar shkatërrim­i i Himarës, ose më saktë është pezulluar, sepse akoma mafiozët janë aty, gati për të rinisur, nëse ne nuk do të jemi këmbëngulë­s për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë këtij problemi. Disa nga banorët e Himarës kanë në duart e tyre prej më shumë se një muaji njoftimet e Bashkisë Himarë, e cila i urdhëronte që për 5 ditë të lironin shtëpitë, duke mos u dhënë asnjë qindarkë dhe asnjë zgjidhje. Ato familje nuk janë sot në mes të 4 rrugëve, falë jush, miq të Himarës dhe Shqipërisë, që ngritët zërin ndaj kësaj padrejtësi­e. Faleminder­it me zemër!

Greqia, një vend anëtar i BE- së ku ne aspirojmë të futemi, ka fuqi të lobojë së bashku me shtetet e tjera, që t’i imponohen qeverisë shqiptare, që prona të shkojë tek i zoti jo vetëm në Himarë, por në çdo cep të Shqipërisë. Një vend, ku qytetarët e saj janë gati të flijohen nën rrotat e ekskavator­ëve nëse shteti me forcën e tij do t’u marrë pronën, nuk e meriton të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane. Nëse ky problem nuk zgjidhet, ne jemi thjesht një xhungël, ku ligjin e bën më i forti, por kurrsesi një shtet e aq më pak një shtet europian.

Ne sot kemi nevojë të dëgjojmë zërin e përfaqësue­sve të trupit diplomatik në Tiranë për të na ndihmuar në zgjidhjen përfundimt­are të problemit të pronave në Himarë. Kryeminist­ri Rama citon çfarë është shkruar për Himarën dhe himarjotët, por përzgjedh shkrime të gabuara, që i interesojn­ë atij. Të shkojë t’i thotë dikush Kryeminist­rit që himarjotët do ta mbrojnë tokën dhe historinë e tyre edhe me gjak. Himara është dheu dhe atdheu ynë, ne jemi pasardhësi­t e atyre që luftuan me piratët e detit dhe sot do të luftojmë edhe me piratët e pushtetit. Nuk jemi bastardë, ne i njohim rrënjët tona, jemi aty prej shekujsh me historinë dhe zakonet tona dhe askush nuk do mundet të na zhbëjë.

 ??  ??
 ??  ?? Nga protestat për pronat në Himarë
Nga protestat për pronat në Himarë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania