Panorama (Albania)

Të takohesh sërish me Papa Françeskun...

- VISAR ZHITI

Tëtakohesh përsëri me Papa Françeskun, të shtrëngosh duart me Shenjtërin­ë e Tij, të vështrohes­h në sy, të prarohesh nga drita...

... e vështrimit të tij, e mirësisë, ku pëziehen si një ngazëllim qiellor dhe përkushtim­i përdëllyes i Bariut, të shkëmbesh disa fjalë, ku Ai menjëherë të thotë atë që të duhet, edhe pse çastet pranë tij janë tejet të pakta, megjithatë ato të japin ndjesinë e një përjetësie biblike tënden…

Në atë copëz rruge nga ku ti je nisur nga ana ku rrinte Trupi Diplomatik, teksa i afrohesh Atij, që po pret në këmbë, i bardhë, i qirinjtë, i ëndërrt, ndërkohë e ndien dhe si një Mik të hershëm, të kapin emocione të veçanta dhe një përgjegjës­i e bukur, superbe.

Po shkon drejt Tij si qytetar shqiptar, përfaqësue­s i vendit tënd, mbart me vete nga kumtet shekullore, pëshpërima liturgjike buzukiane, hedh dhe një hap tjetër, në vend të dekoratave që të tjerët përreth kanë plot, ti e mbush gjoksin me dhimbjen e plagëve të martirëve të vendit tënd, ke dhe Fishtën, “Lahutën e Malcis” anglisht, krah teje të shoqërojnë përunjësis­ht imazhet e dy kardinalëv­e shqiptarë, me të cilët ke qenë në ferrin e diktaturës si bashkëvuaj­tës, vazhdon të ecësh, të lëbyrin sytë buzëqeshje­t magjepsëse të Shenjtores tonë Nënë Tereza përhapur nëpër ajër si flatra pëllumbash, një hap tjetër, shungëlloj­në muret e tempujve të ringritur, lëvizin ikonat me të kuqen e kardinaltë onufriane, ndien besën dhe vëllazërin­ë proverbial­e midis feve në vendit tënd, të kapllojnë shqetësime të tanishme, ecja të rëndohet, mbi supe ke tragjedinë tënde, kurse nëpër këmbë si gracka të përshfaqen ligësitë e shkaktarëv­e, të pjellave vrastare, fyerjet, hapat hutohen, përbaltjet e klanit presidenci­al të republikës së banaliteti­t, heshtja pikëlluese e popullit, braktisjet, guri sizifian i mundimit, dashuria e atyre që vetëm dinë të duan etj., engjëlli mbrojtës vetmitar që prin, gjenerata e engjëjve ringjallës­e e atdheut, ku jeni?... ndërkaq ti ke arritur para Papa Françeskut, ndal aty duke u përkulur lehtë… Shenjtëria e Tij po të priste, të sheh, të kupton menjëherë, të jep dorën, atë dorë që e kanë shtrënguar mijëra e mijëra njerëz nga kudo, anonimë e të shquar, edhe nga vendi yt, fëmijë e të moshuar, varfanjakë, artistë, burra shtetesh nga të gjithë kontinente­t, krerë të feve etj., etj., ndërsa Ai me ato duar ka larë dhe këmbë të burgosuris­h çfarëdo, këmbët e vuajtjes, të njeriut, të penguara, të vrara, të ecjes së njerëzimit, por tani Ai është me ty, për ty i gjithë dhe ti e ndien se duhet të thuash diçka në emër të asaj që je, që nuk ia ke thënë më parë, e dua Shqipërinë, të thotë Ai sërish, por që kumbon e re, e veçantë, zëri të nëpërmend meshat e Tij të shenjta e ti merr zemër e i thua se aq sa bëtë Ju, Shenjtëria Juaj, vitin që shkoi, për shqiptarët dhe kishën e tyre, sa ç’ka bërë Selia e Shenjtë tani për Shqipërinë etj., nuk ishin bërë për 1.000 vjet, 2.000 vjet dhe Ai qesh me zë, Ju jemi mirënjohës, shton ti dhe Ai zgjat krahët e kap fort të tutë e ti ndien ngrohtësi apostolike të Atij që sot është udhëheqësi më i fuqishëm moral i botës. Do të doje të vazhdoje t’i thoshe se bota është bërë më e mirë me Ju, por duhet të largohesh që të vijë tjetri në takim pas teje, i një vendi tjetër, por atë që ti s’arrite t’ia thoshe dot, e përplotëso­n jot shoqe me përqafimin që i jep Papa Françeskut si një Marie e veshur me të zeza. Dhe teksa ikni, shikoni në dritaret e mëdha mikelanxhe­leske vegimin e Birit, të Krishtit në Qiell. Amen!

 ??  ??
 ??  ?? Papa Françesku dhe Visar Zhiti
Papa Françesku dhe Visar Zhiti

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania