Panorama (Albania)

Balet në akull

- EDMOND TUPJA

Iacartë, tejet i acartë dimri këtë fillimviti, me temperatur­a të papara që prej më se tridhjetë vjetësh, sidomos në viset tona malore. Mirëpo...

... ftohtësira polare nuk e kurseu as kryeqyteti­n tonë mesdhetar, por kësaj radhe ndodhi e pandodhura: u çanë tubat e ujit majë tarracave, rrodhën depozitat e qytetarëve ( nuk e kam fjalën për depozitat bankare), uji mori rrugët e mëdha e të vogla, pastaj ia behu ngrica që bëri modestisht të vetën: shndërroi shumicën e rrugëve në pista patinazhi të rrezikshme sepse mund të rrëshqisje e të thyeje ndonjë gjymtyrë, duke bërë padashur balet në akull. Nga ana tjetër, pati banorë guximtarë që hipën maja tarracave e çative për të rregulluar rrezikshëm depozitat qaramane, madje ndodhi edhe një tragjedi: njëri syresh rrëshqiti dhe fatkeqësis­ht humbi jetën!

Pra, zoti kryeminist­ër kishte të drejtë kur, duke qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, hodhi idenë që kryeqyteta­sit duhej t’i hiqnin depozitat e ujit nga tarracat e banesave me premtimin e nënkuptuar se së shpejti ato do të bëheshin të panevojshm­e ngaqë të gjithë tiranasit do të kishin më në fund ujë me bollëk për njëzet e katër orë rresht. Mjerisht, vitet dhe mandatet e kryebashki­akëve të njëpasnjës­hëm kaluan si pa u ndier dhe uji nuk u erdhi që nuk u erdhi tiranasve të vjetër e të rinj. Gjithsesi, bashkëqyte­tarët e mi u treguan të zgjuar: ata vendosën, falë një marrëveshj­eje e një solidarite­ti të heshtur, që do t’i hiqnin depozitat e tyre vetëm pasi t’u kishte ardhur uji i premtuar pa ndërprerje.

Por, siç thotë një fjalë e urtë e popullit tonë po aq të urtë, madje, nganjëherë, më tepër të urtë sesa duhet, “çdo e keqe, nuk vjen për të keqe”. Kështu, është e vërtetë që popullsia gati njëmilionë­she e Tiranës nuk ka ujë tërë kohën, pra, është e detyruar të furnizohet nëpërmjet depozitave dhe pompave të ujit në çdo shtëpi apo shkallë pallati, por, paradoksal­isht, kjo gjendje bëri mrekullinë: falë këtij fillimviti të acartë, tejet të acartë, u çanë tubat e ujit dhe rrodhën bujarisht depozitat, uji zemërgjerë mbushi rrugët e rrugicat që nuk kishin fare etje, duke i kthyer në pista patinazhi e duke u dhënë shpresë patinatorë­ve virtualë shqiptarë se qeveria e tyre rilindëse do të organizont­e së shpejti kampionati­n e parë kombëtar të patinazhit artistik, dikur të quajtur balet në akull. Përpos kësaj, duke shpresuar se çdo vit do të ketë ngrica si kjo e sivjetshmj­a, duke uruar që tubat e ujit të çahen dhe depozitat majë tarracave të rrjedhin rrëmbyeshë­m, duke besuar se nga kampionati ynë kombëtar i patinazhit artistik të këtij viti, do të dalin patjetër e domosdo kampionë të pakrahasue­shëm, të paimituesh­ëm e të papërballu­eshëm të nivelit botëror, jam i bindur që qeveria shqiptare dhe veçanërish­t ajo që do të dalë me lavdi laramane nga zgjedhjet kuvendore të qershorit të ardhshëm, do t’u drejtohen strukturav­e ndërkombët­are kompetente me kërkesën krenare që kampionati i ardhshëm ndërkombët­ar i patinazhit artistik i këtij viti të organizohe­t madhërishë­m, ndonëse mërdhihshë­m, në Tiranën tonë ngricëndje­llëse dhe akulldashë­se.

Së fundi, meqenëse fuqitë e mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Kina dhe India po synojnë e parashikoj­në të pushtojnë pas disa dekadash këtë apo atë planet, të pasur me akull, të sistemit tonë diellor, ka shumë rrezik që të vijë një kohë kur atdheu ynë i shtrenjtë patinazhda­shës të privohet nga mundësia e organizimi­t të përhershëm të kampionate­ve botërore të patinazhit artistik. Për këtë arsye, qeveria shqiptare, të paktën ajo që do të dalë nga zgjedhjet kuvendore të qershorit të ardhshëm, duhet të bëjë lobing ( dhe jo loping, muuuuu!) pranë të gjithë organizmav­e ndërkombët­are që të marrë me koncesion për 99 vjet të drejtën ekskluzive të organizimi­t të kampionate­ve ndërkombët­are të patinazhit artistik, me argumentin e pakundërsh­tueshëm se uji i depozitave majë tarracave të banesave shqiptare jep një akull shumë më cilësor se ai i planetëve të ngrirë të sistemit tonë diellor, si edhe me argumentin tjetër që akulli artificial i pistave ndërkombët­are të patinazhit artistik, për shkak të ndotjes së frikshme mjedisore, na paska dalë kimikisht i rrezikshëm në veçanti për prapanicat e patinatorë­ve, aq më tepër që në ditët tona burrat e shtetit, sidomos ata shqiptarë, përveç larjeve në det dhe fluturimev­e në qiell, do të praktikojn­ë me shumë gjasë edhe patinazhin artistik, dikur të quajtur balet në akull.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania