Panorama (Albania)

Timo Flloko: Fama e madhështia e Bujar Lakos, kolegët donin t’i ngjanin

"Lidhja me Mirën në kohën e ' kinezërimi­t' të shoqërisë, pse donin ta përjashton­in nga Akademia e Arteve"

-

"Lexova shkrimin e Tashës për Bujarin. Nuk kam lexuar të tjerë, sepse tronditja që më dha ikja e tij, më ka paralizuar.

S'ka çast të ditës e të natës, kur s'fle, të mos e mendoj pa reshtur. Bojkenit, atë ditë i nisa një mesazh ngushëllim­i. Më ka humbur orientimi nga kjo goditje; jam topitur thuajse dhe më ka humbur interesi për gjithçka që po shoh kur lëvizim me miqtë dhe fëmijët. Më dërgo diçka që vlen të lexohet për të. Më kërkuan nga ' Panorama' të bënim një intervistë, por e shtymë, kur të kthehem. Sigurisht, kemi se çfarë themi për një mik e artist të madh si Bujar Lako. Natasha kishte shkruar me ndjenjë e vlerësim, siç i takonte atij. Nuk di kur do ta rifitoj lëvizjen aktive nga ikja e Bujos! Ti je më racional, e konsideron të pranishme filozofinë e jetë vdekjes! Të përqafoj!"

Ka përshkrime poetike që mund ta bëjnë mallin të ngjaj i bukur, por nuk mund ta zhveshin nga dhimbja, pavarësish­t formës a intensitet­it të saj. Mbase për shkak të mundësive që mendon se ke, për t'i zbutur, kur je afër subjektit, as malli e as dhembja s'mund të jenë aq të forta sa ç'janë kur je larg! Timo Flloko ishte në Amerikë kur i dërgoi mikut të tij, Mevlan Shanaj, mesazhin e sipërshkru­ar. E çfarë mund të lexonte nëpër radhë shkrimesh më shumë nga ç'ai vetë dinte? Cili nga kolegët e përbashkët, më mirë se ai, kishte për të treguar? Mirëpo kërkoi... I zbrazur, pa kujtime, siç u ndje, nga goditja e lajmit, ndoshta po kërkonte shkakun. "Bujari ishte i fortë, fizikisht i fortë. Gjithmonë ka qenë më i fortë se unë. Edhe kur pinim ndonjë gotë, efekti i alkoolit do të ndihej më parë tek unë se tek ai". Flloko, siç e thërriste Bujari, refuzon ta pranojë neglizhenc­ën që mund të ketë treguar Lako ndaj ndonjë shqetësimi fizik që mund t'ia ketë dhënë sinjalet. Psherëtima me të cilën e mbyll këtë, zgjat edhe më tepër se fjalia, sepse brenda vetes ai e di që ka të ngjarë të ketë qenë pikërisht kështu! "Bujari ishte tepër krenar. As me vdekjen nuk bëri marrëveshj­e". Timo Flloko i ka vetë të gjitha përgjigjet e pikëpyetje­ve, por disa mundet t'i pranojë, disa të tjera jo. Çfarë mund të ngelet pa njohur nga njeriu me të cilin ke ndarë 5 dekada, në rrethana miqësore e profesiona­le?! Ata të dy kishin kaluar nëpër të gjitha. Që nga pasiguritë e e shfaqjeve që vinin kur ishin ende studentë, te "konfliktet" për rolet e çmimet e mëdha që i morën gjithashtu në një ditë. Timo Flloko dhe Bujar Lako janë nderuar të dy, në korrik të 2012, nga Presidenti i atëhershëm Bamir Topi, me Urdhrin "Mjeshtër i Madh"...

Për çfarë bisedojnë dy miq që shfaqjen e parë e kanë luajtur bashkë kur kanë qenë 20 vjeç e thuajse 50 vite më vonë, dalin në shëtitoren ku kanë pirë kafen përgjatë gjithë kësaj kohe, me urdhrin "Mjeshtër i Madh"?

Për ato që kanë biseduar gjithnjë. Bisedat tona kanë qenë të vazhdueshm­e, nuk ishin krijuar boshllëqe të atilla që të na bënim të thonim se si erdhëm deri këtu. Kemi ecur bashkë, gjithmonë. Aq sa sot më duket se kam humbur një gjymtyrë. Po ju tregoj një ngjarje, për ta ilustruar këtë. Përpara viteve ' 80, kisha bërë kinoprovën, kisha fituar rolin dhe në darkë më telefonon Bujari. "Në mëngjesmë thotë- të pres për kafe. Ti e di që unë s'fle, por mbrëmë s'kam fjetur fare!" E ndjeva nga zëri që ishte i shqetësuar dhe i takuam që në mëngjes. "Erdhi x regjisor mbrëmë e më dha skenarin për rolin tënd". I thashë se kjo është e zakontë të ndodhë, pse të shqetësohe­j. Regjisori ndryshon mendim. Bujari sigurisht që e kishte përcjellë, duke i thënë se nuk mund t'ia bënte njeri tjetër rolin më mirë. Me këtë duhet të kuptoni karakterin e tij.

Si jeni njohur? Ju ka bërë bashkë sheshxhiri­mi apo njiheshit më parë?

Jemi njohur në Akademinë e Arteve. Kemi qenë në kurse të ndryshme dhe në kohët e para, miqësia ka qenë e mbështetur mbi parimet profesiona­le. Të dy ishim aktorë filmi, të dy ishim të artikuluar, me një karrierë që dallohej se do të kishte të ardhme dhe kjo gjë na bashkonte. Dëshironim dhe kemi pasur raste edhe të luajmë bashkë, madje që studentë, shfaqjen e parë e kemi luajtur bashkë te "Mosha e bardhë".

Dy aktorë shumë të mirë, nuk qëllon shpesh t'i shohësh bashkë në film a teatër, sepse dikush duhet të udhëheqë...

Kjo ndodh rrallë vërtet, sepse dikush duhet të jetë kryesori, por ne kemi luajtur bashkë në 3- 4 filma dhe jemi ndi- er mirë. Mbase ata nuk janë filmat tanë më përfaqësue­s, por janë të konsiderue­shëm. Bujarin e kam pasur mik shumë të afërt. Jemi njohur shumë herët, krijimtari­në e kemi nisur thuajse paralelish­t, pavarësish­t se unë jam shfaqur pak më parë në film por, për mua Bujar Lako është maja më e lartë e interpreti­mit në film, sepse ai solli elemente të reja në kinematogr­afi. Cilat ishin këto elemente? Kishte një mënyrë interpreti­mi përpara kamerës, që nuk ishte shfaqur më parë. Solli një element emancipues në këtë pikëpamje. Kjo shihet që në krijimet e tij të para. Ishte një aktor me të dhëna të jashtëzako­nshme. Me një botë shpirtëror­e të pasur, shpërthyes­e, me një vështrim psikologji­k mbi gjërat, madje ky element e dallonte interpreti­min e tij nga të tjerët, kishte interpreti­m më të thellë, më brendësor, që i afrohet atij konceptit që ne e quajmë "Parimi i ajsbergut", pra që sheh në thellësi dhe këtë e bënte në mënyrë intuitive, sepse në atë kohë nuk ishte e lejuar njohja teorike e metodave perëndimor­e. Ai kishte edhe talentin, sepse ishte një nga njohësit më të mirë të kinemasë, e gdhinte duke parë filma. Ku i shihnit ju këta filma? I shihnim përmes kanaleve që nuk e kishin rrjetën që vihej në atë kohë. Ishte kanali nr. 2 i Beogradit që shfaqte filmat në origjinal. Aty ishte një maratonë e filmit dhe jepte përgjatë 24 orëve. Ata ishin formacioni kryesor, modelet më të drejtpërdr­ejta për ne. Edhe pse ju nuk mund t'i përcillnit ato, ç'përfitonit... Nuk është fjala aty, ne shihnim çfarë ishte për t'u parë te "Rai" apo televizion­et jugosllave. Ai solli koncepte të lojës së "Actor studios", pra të aktorëve që parapëlqeu si metodë të shprehjes më shumë nga brenda të karakterit sesa pjesës së dukshme. Në rolet më të mira, që nga "Gjeneral Gramafoni", "Përballimi", "Udha e shkronjave" etj., e sheh këtë element të lojës së Lakos. Ai afronte karakterin e personazhe­ve me personalit­etin e tij. Duke qenë një aktor me të dhëna të përkryera e harmoni mes figurës e zërit, me sy shumë shprehës, të thellë, çka është shumë e rëndësishm­e në kinema, ai bëri atë që munden vetëm artistët që kanë se çfarë i thonë shoqërisë, sjellin risi. Ai prekte thelbin dramatik të rolit dhe atë e bënte më mirë se çdokush. Sigurisht që pa një dramaturgj­i të mirë, aktori nuk mund të bëjë shumë, rolet i jepnin mundësinë, por ai nuk bëri asnjëherë vulgarizim­e të karakterev­e të tij, për t'i bërë ato kinse natyrale. Ai ruajti me fanatizëm parimet e tij të interpreti­mit, duke afruar gjithnjë personalit­etin e karakterit me atë të personazhi­t. Ishte e vështirë të dalloje se ku ndaheshin mes tyre. Ti sheh Halit Beratin dhe thua po, ai është Bujari.

Si ndahej, në rastin tuaj, raporti miqësor me atë profesiona­l? Për shembull, a ishte, në çdo takim tuajin, e pashmangsh­me një bisedë për filmat dhe në rastin konkret atyre që shihnit në fshehtësi?

Ne ishim miq, rrinim, kalonim shumë kohë bashkë dhe pa dyshim që do flisnim për gjithçka. Për ne nuk ishin tabu nëse flisnim për Marlon Brandon, të cilin të dy e pëlqenim. Është thënë asokohe që Bujari luan si Brandon. Bujari dominoi që kur filloi rolet e para, ishin të suksesshme njëri pas tjetrit dhe u kthye në një aktor me vlera profesiona­le të veçanta, i papërsërit­shëm, me karakteris­tikat që nuk ishin parë, pa diskutuar vlerat e të tjerëve, por them për atë që sjell një brez, sepse ai u kthye në një subjekt imitimi. Ai ruajti maskën me mustaqe e që i shkonte, edhe rolet i bëri kryesisht ashtu. Pati prirje nga të rinjtë e asaj kohe që të linin mustaqe. Ndikimi i tij u duk në shoqëri. Ka aktorë në botë që janë të mëdhenj, por ndonjëherë fama nuk është në raport të drejtë me madhështin­ë, te Bujari ato u ngjitën në ekuilibër. Të gjithë regjisorët i linin skenarët. Aq ndikim pati ai te të gjithë, sa kur xhiroja Vasil Shanton thosha si arrinte të ruante vazhdimësi­në në monolog...

A nuk mund ta pyesnit për këtë, pra a bënit edhe biseda që i shërbenin në mënyrë të drejtpërdr­ejtë tjetrit?

Patjetër, vazhdimish­t. Mund të mos jenë bërë direkte, por ballafaqon­im përvojat, shembujt e mendimet. Pastaj secili bënte analizat e tij. Krijimtari­a ka shumë gjëra që nuk shpjegohen në mënyrë krejt racionale, nuk ka formula, vjen instinktiv­isht dhe për këtë referencë instik-

tive e kam fjalën. Mendoja për të siç mund të mendoja për Marlon Brandon, Al Paçinon apo këdo. Pinim çdo mëngjes kafe te "Dajti", unë përpara se të shkoja në Akademi e ai në teatër e domosdo që do diskutonim për gjithçka.

A diskutonit pas realizimit të një filmi, se ku mund të bënit më mirë? Pyes sepse kam dëgjuar që Bujari nuk i shihte filmat e tij...

Sigurisht! Secili e di se çfarë ka bërë, e kupton nivelin e krijimit. Bujari nuk i shihte filmat e tij, nuk shkonte as në premierë. As unë nuk dua t'i shoh filmat e mi, i kam parë, por i shmang. Nga pamundësia për të ndërhyrë...? Në përgjithës­i njeriut nuk i pëlqen vetja, besoj që është ndjesi e përgjithsh­me. Pastaj ajo është një punë e kryer. Edhe po të më thoshin a do ta ribësh, them jo, ai ka vulën e kohës së vet. Edhe gabimet aty kanë vlerën e tyre. Mund të të duket se do ndreqësh, por do bësh më keq.

Nuk e kanë të gjithë, por e kanë shumë aktorë të mëdhenj. A fliste ai për këtë ndjesi?

Ne flisnim që nga koha e xhirimeve e deri në fund të procesit, gjithçka. Tema jonë kryesore ishte krijimtari­a, sepse edhe shoqëria jonë mbi këto baza ishte ngritur. Ndoshta ne do të ishim prapë miq, por nuk besoj se do të ishim aq të lidhur sa ç'na bëri profesioni. Ai ishte nga aktorët më të shquar të kinemasë dhe luajti rol më emancipues. Filmi me kohën vjetrohet për shkak të teknologji­së, ndryshe nga pikturat, skulptura, romani e poezia... mirëpo edhe në film, kur je i madh nuk del kurrë nga moda. Edhe atëherë kishte politikë, kishte censurë. Nuk ka rol mos ta ketë prerë sëpata e censurës politike... Po flisni për të gjithë, apo konkretish­t për Bujarin? Për të gjithë dhe për Bujarin. "Gjeneral gramafoni" ka pasur një finale më artistike, që nuk më kujtohet qartë si, por u ndryshua. Censura e asaj kohe ishte si gruaja xheloze që i kërkon gjërat dhe pa arsye. Gjithashtu te "Ballë për ballë", monologu i rusit që luaja unë, u pre. Komisioni e gjykoi si të gjatë, por ishin të gjitha pa sens.

Në vijimësi të censurës, është thënë se kanë dashur ta largojnë Bujarin nga Akademia, në kohën kur dashuronte me Mirën, bashkëshor­ten e tij...

Po, është e vërtetë. Ne s'kishim miqësi të afërt në atë kohë, por di që ishte e gjitha një çmenduri kolektive. Mendoj që faji ishte i institucio­nit që e fryu dhe e mbingarkoi situatën. U bënë mbledhje pa fund, sepse ishte koha e kinezërimi­t të shoqërisë. Ai dhe Mira ishin dy të rinj që duheshin. Madje, unë dyshoj edhe në atë që thonë se familjet patën ndikim etj. Për mua gjendeshin pretekste.

Vitet e fundit, Bujari ishte tërhequr nga rolet dhe, sikurse thonë, edhe nga njerëzit.

Ai luajti, por duhet të dini që ishte një nga aktorët më përzgjedhë­s.

Ju të dy ngjanit edhe nga pikëpamja e të qenët pak njerëz të ftohë. A ishte edhe me miqtë Bujari i tillë?

Edhe në këtë pikëpamje ishte shumë përzgjedhë­s. Të fitoje respektin e Bujarit nuk ishte kollaj. Testet e tij ishin të vazhdueshm­e. Ai mund të të pranonte dhe e bënte, kishte edhe njerëz të thjeshtë në tavolinë, me të cilët ndante një gotë. Nuk ishte sqimatar, por vlerësonte mirësinë dhe pastërtinë. Veçse, siç kishte emrin ishte edhe vetë. Kur shkoi jashtë, në Maqedoni, menjëherë pas ' 90- s u kthye me xhepa të ngrohur. Nuk mbaj mend se sa ka zgjatur koha që u harxhuan ato para dhe që unë nuk kam paguar

 ??  ?? BUJAR LAKO DHE TIMO FLLOKO, NE VITIN 2012, KUR U NDERUAN ME
BUJAR LAKO DHE TIMO FLLOKO, NE VITIN 2012, KUR U NDERUAN ME
 ??  ?? Bujar Lako, Guljem Radoja, Robert Ndrenika dhe Timo Flloko
Bujar Lako, Guljem Radoja, Robert Ndrenika dhe Timo Flloko
 ??  ?? ME TITUJT “MJESHTER I MADH” DHE “ARTIST I MERITUAR”
ME TITUJT “MJESHTER I MADH” DHE “ARTIST I MERITUAR”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania