Panorama (Albania)

Përgjigjja “s’ka kohë” si alibi për të vjedhur zgjedhjet!

- PREÇ ZOGAJ

Poe them qysh në krye: nuk jam i sigurt për atë që thotë ky titull. E bëj këtë pohim thjesht për simetri me lehtësinë me të cilën kryeminist­ri pohonte dje nga Singapori se kërkesa e opozitës për të aplikuar votimin elektronik është alibia e re e qeverisë së vjetër në rrugën e një humbjeje tjetër...

Ku e di ai se opozita paska këtë hall? Ai e di po aq sa e di unë se qeveria që refuzon ka hallin të vjedhë votat.

Kjo mënyrë diskutimi me pandehma nuk na çon asgjëkundi.

Sikurse nuk çon asgjëkundi diskutimi degë me degë, ku sekush thotë të veten se çfarë ka parë apo dëgjuar andej- këndej për punën e votimit elektronik, pa sjellë asnjë referencë serioze të mbështetur në një informacio­n të certifikua­r e të gjithëpran­uar.

Koha shtrëngon. Kakofonia si në muhabetet e kafeneve s’bën gjë tjetër veçse ha si Kronosi mitologjik kohën e mbetur.

Por çështja e zgjedhjeve është shumë serioze për të degraduar në pandehma, muhabete dhe lojëra të tilla me kohën.

Çfarë duhet të bëhet? Meqenëse edhe partitë e shumicës, PS dhe LSI janë dakord në parim me votimin elektronik, por nxjerrin si pengesë kohën e pamjaftues­hme deri në zgjedhjet e qershorit, atëherë, që të mos duken se po fshihen dhe po abuzojnë me argumentin e kohës, le të bashkohen pa humbur kohë me opozitën për të eksploruar dhe administru­ar në rrugë institucio­nale kohëzgjatj­en dhe kostot e aplikimit të votimit elektronik në Shqipëri. Kjo mund të bëhet në kuadrin e komisionit parlamenta­r të reformës që mund të angazhojë menjëherë për këtë qëllim njohës dhe ekspertë të fushës, duke konsultuar nga afër përvojën e vendeve të tjera dhe kapacitete­t e sotme të teknologji­së. Teknologji­a në ditët tona evoluon me javë. Në qoftë se para katër vjetësh instalimi i sistemit të votimit elektronik në Shqipëri mund të ketë kërkuar tetëmbëdhj­etë muaj, siç përsërisin pa pushim përfaqësue­sit e shumicës qeveritare, sot, me siguri, mund të bëhet më shpejt e më lirë. Këto dy të dhëna thelbësore për debatin që po zhvillohet, sidomos e dhëna për kohën ( e dhëna për koston është sekondare në raport me rëndësinë e zgjedhjeve), duhet të administro­hen zyrtarisht dhe të pranohen nga të gjitha palët pas eksplorimi­t të lartpërmen­dur. Është qesharake të debatohet në nivel politik për kohën e instalimit të votimit elektronik. Duhet veprim. Asnjë pengesë nuk ka që KQZ të administro­jë në rrugë zyrtare oferta paraprake të kompanive të ndryshme.

Në shënimin e djeshëm të Ramës për këtë temë kishte një pjesë që tregonte një lloj tërheqjeje. “Dua ta bëj shumë të qartë se personalis­ht s’kam asnjë kundërshti­m dhe Partia Socialiste me siguri do të ishte gati ta te- jkalonte pozicionin aktual, për të kërkuar bashkë me forcat e tjera politike, një ekspertizë ndërkombët­are që, me gjasë, do ta faktonte e do ta garantonte mundësinë reale të futjes së elektronik­ës në proces!”. Posaqë ka ardhur në këtë qëndrim, kryeminist­ri mund t’ia kishte kursyer publikut tiradën e gjatë kundër votimit elektronik. Tani gjithë çështja është të mos vazhdohet me vrasjen e kohës për të thënë “s’ka kohë”.

Pasi të kemi të dhënën e saktë për kohën - më realja është ajo që del nga ofertat - politikës i vjen radha të marrë vendimin e duhur. Për shumë e shumë arsye në marrjen e këtij vendimi domosdoshm­ërisht konsensual duhet të dëgjohet e konsideroh­et me përparësi opozita. Ajo ka nevojë për garanci. Opozita është institucio­ni numër një i garancive për zgjedhje të lira e të ndershme. Kudo, e veçanërish­t në Shqipëri ku për faj të qeverive nuk gjejmë dot paqe me zgjedhjet prej dy dekadash.

Kanë shumë probleme zgjedhjet tona. Dy janë shquar si majat më të larta në vargmalin e këtyre problemeve: E para, vetë zgjedhjet dhe pushteti që del prej tyre janë shndërruar në biznes. Nuk garohet për të zbatuar një vizion, por për të bërë pasuri. Kjo shpjegon shqyerjen njëzet e ca vjeçare të zgjedhjeve tona. E dyta, që lidhet me të parën, është shitblerja e votës me para në dorë dhe përmes benefiteve të tjera, përfshirë vendet e punës. Në lidhjen e tyre këto probleme kanë minuar besimin e zgjedhësve në integritet­in e gjithë sistemit, siç nënvizuan vëzhguesit e OSBE/ ODHIR- it për zgjedhjet vendore të vitit 2015 të nesërmen e zhvillimit të tyre. Më rëndë se kaq! Më keq se kaq! Votimi me letër, edhe pse më intim se votimi elektronik, nuk ia ka dalë dhe s’ka gjasa t’ia dalë të ndalojë farsën. Sepse është vrarë besimi i zgjedhësve te vota. Votimi elektronik kuotohet sot ku e ku më lart se votimi me letër dhe shihet si shpresë, sepse rikthen besimin e humbur te vota. Ky votim është e vetmja zgjidhje sipas meje që dekurajon lumin e parave të pista. Para droge, para koncesione­sh, para tenderash pa garë, para informalit­eti, para ryshfeti. Po mblidhet, po bëhet gati qark me qark për t’u lëshuar mbi zgjedhjet. Këmbëngulj­a për të na çuar në zgjedhje pa zgjidhje për shitblerje­n e votave është t’i çosh zgjedhjet si cjapi te kasapi. Është të mos kemi përsëri zgjedhje të lira, pa të cilat nuk ia vlen të jetohet, siç thoshte Izajak Berlin.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania