Panorama (Albania)

Votimi elektronik, Rama: Alibi e re e qeverisë së vjetër

“S’japim dakordësi për një aventurë që do sillte dështimin spektakola­r të zgjedhjeve”

- Kryeminist­ri Rama

Kryeminist­ri Edi Rama e cilëson kërkesën e PD- së për votim dhe numërim elektronik si alibi për humbjen e radhës. Në një reagim të gjatë lidhur me këtë çështje, Rama shpjegon se PD gënjen kur pretendon se ka qenë vetë Partia Socialiste që ka kërkuar votim elektronik. Kreu i qeverisë u është kthyer edhe një herë qëndrimeve që ka mbajtur në kohën kur ishte në opozitë dhe ka deklaruar se kërkesat që ai ka pasur lidheshin me identifiki­min elektronik të zgjedhësve në QV dhe numërimin elektronik të votave. Pavarësish­t se opozita e ka vendosur si kusht votimin elektronik dhe numërimin elektronik për zgjedhjet e 18 qershorit, Rama e ka bërë të qartë se nuk do të marrë përsipër t’i hyj një aventure të tillë për aq kohë sa nuk ka garanci për realizimin e saj. “Qeveria nuk mund të marrë përsipër të japë, në këto kushte, dakordësin­ë për një aventurë së cilës nuk i dihet fundi ose, më saktë, e cila me të dhënat e me mundësitë e sotme ka vetëm një fund: Dështimin e sigurt të procesit zgjedhor”, shkruan Rama.

Ose votim elektronik në zgjedhjet e ardhshme, ose ramë e vdiqëm! Kjo është alibia e re e qeverisë së vjetër në rrugën e një humbjeje tjetër...

Megjithatë, ndër plot të pavërteta që po ripërtypen përditë me sebepin e votimit elektronik, janë tri të tilla domethënës­e që dua t’i veçoj si më poshtë:

E pavërteta e parë: Këtë mënyrë votimi e paskemi kërkuar ne kur ishim në opozitë!

E vërteta është se ne nuk kemi kërkuar asnjëherë votim elektronik. Kemi kërkuar vetëm identifiki­m elektronik të zgjedhësve në QV dhe numërim elektronik të votave. E kjo është lehtësisht e verifikues­hme. Nuk e kemi kërkuar kurrë votimin elektronik, sepse askush, asnjë ekspert apo njohës i praktikave të mira elektorale, nuk na e ka këshilluar asnjëherë. Përkundraz­i, na kanë rekomandua­r të heqim dorë nga kjo ide sa herë kemi pyetur dhe prandaj as nuk e shtruam ndonjëherë si kërkesë votimin elektronik. Ashtu sikundër, nuk na e kanë këshilluar kurrë as identifiki­min elektronik, me plot argumente që nuk është ky vendi për t’i renditur. Nuk po zgjatem këtu edhe me faktin se qeveria e vjetër atëherë ishte kategoriki­sht kundër për identifiki­min elektronik, ashtu siç ishin kundër për hir të së vërtetës edhe ekspertët e OSBE/ ODHIR- it, edhe një pjesë e vetë ekspertëve tanë. Siç e dëshmojnë edhe shënimet e negociatav­e të asaj kohe apo procesverb­alet e diskutimev­e për Reformën Zgjedhore, ne hoqëm dorë shumë herët nga kjo ide dhe u fokusuam vetëm te numërimi elektronik.

E pavërteta e dytë: Numërimi elektronik qenka një kollajllëk i madh dhe vetëm vullnet politik u dashka!

Ja pra që ne e patëm këtë vullnet atëherë, por e vërteta është se me qeverinë e vjetër ramë dakord që të mjaftohesh­im në 2013- n vetëm me dy projekte pilot, një për Tiranën e një për Fierin. Dhe kjo, jo se u tërhoqëm nga ndonjë presion apo se s’kishim fuqi ta vinim si kusht të panegociue­shëm e t’i binim murit me kokë! Por thjesht sepse, pasi dëgjuam edhe për këtë ekspertë e njohës ndërkombët­arë të kësaj fushe, edhe përtej atyre të OSBE/ ODHIR- it që ishin kategoriki­sht kundër, kuptuam se ishte një aventurë shumë e rrezikshme po të bëhej menjëherë në të gjithë Shqipërinë, edhe sikur të pranonte pala tjetër. Por më tutje, nuk këmbëngulë­m më as për dy projektet pilot, sepse testet e bëra nga KQZ-ja dështuan dhe përballë fakteve kokëforta u detyruam të heqim dorë. Pse e si dështuan testet është një histori më vete, e cila vlen sidoqoftë të rianalizoh­et nga ata që sot pretendojn­ë të njëjtën gjë që pretendoni­m ne atëherë. Por fakti është se ne u bindëm që rruga e vetme e sigurt mbetej numërimi tradiciona­l, i cili u lehtësua mjaft në 2013- n me heqjen e hulumtimit të materialev­e zgjedhore nga procesi.

E pavërteta e tretë: Zgjidhjen magjike të elektroniz­imit të procesit zgjedhor nuk e dashkam unë apo Partia Socialiste!

E vërteta është se as unë s’kam dhe s’kam si të kem asnjë problem në parim me gjithë këtë revolucion dixhital, as Partia Socialiste s’ka dhe s’ka si të ketë kundërshti­m për ta mbështetur një revolucion të tillë, nëse do të kishim fakte e garanci të plota se pengesat që nuk u kapërcyen dot në 2013- n, mund të kapërcehen në qershor të këtij viti. Po natyrisht këtë s’mund ta faktojnë e lëre më pastaj ta garantojnë, opinionet e politikanë­ve të cilët ngjajnë si dy pika uji me “qytetarët” dixhitalë, që publikojnë shpifjet e tyre përmes liderit dixhital të PDsë në tabelën e fletërrufe­ve dixhitale të këtij të fundit. Kjo duhet faktuar e garantuar nga ekspertë të padyshimtë ndërkombët­arë të fushës dhe, pa dyshim, OSBE/ ODHIR-i i njohin kush janë dhe i kanë plot ndër këta ekspertë në shërbim të proceseve zgjedhore në mbarë botën.

Nuk çuditem që OSBE/ ODHIR- i po rishpallen armiq nga opozita, pse nuk e përkrahin një aventurë të këtyre përmasave. Por, pa dyshim as shpallja e tyre armiq nuk e bën elektroniz­imin e procesit më realist, as qëndrimi objektiv i OSBE/ ODHIRit për këtë kërkesë të opozitës nuk ka gjasë ta bëjë më realiste këtë të fundit ( sepse opozita nuk ka hallin e zgjidhjes elektronik­e, po hallin e humbjes që s’ka zgjidhje). Megjithatë, ja qëndrimi im për këtë debat:

Qeveria nuk mund të marrë përsipër të japë, në këto kushte, dakordësin­ë për një aventurë së cilës nuk i dihet fundi ose, më saktë, e cila me të dhënat e me mundësitë e sotme, ka vetëm një fund: Dështimin e sigurt të procesit zgjedhor!

Nuk mundemi të jemi dakord, sepse nëse ne do të bëheshim sot pjesë e një konsensusi symbyllas, për t’i hyrë kësaj aventure, duke shpërfillu­r arsyetimin tonë të bazuar tek eksperienc­a dhe, mbi të gjitha, opinionin e OSBE/ ODHIR- it, nesër shqiptarët e ndërkombët­arët bashkë, do të kishin të gjithë të drejtën të na bënin ne, qeverinë e askënd tjetër, përgjegjës të vetëm për dështimin spektakola­r të zgjedhjeve të 18 qershorit. Lëre pastaj opozita që, edhe ajo me plot të drejtë, nuk do të mbetej mbrapa në akuzat e saj për dështim të qëllimshëm të procesit nga ana jonë madje, përkundraz­i, do t’u binte daulleve të fitores kundër qeverisë që dështoi qëllimisht procesin.

Por, thënë kjo, dua ta bëj shumë të qartë se personalis­ht s’kam asnjë kundërshti­m dhe Partia Socialiste me siguri do të ishte gati ta tejkalonte pozicionin aktual, për të kërkuar bashkë me forcat e tjera politike, një ekspertizë ndërkombët­are që, me gjasë, do ta faktonte e do ta garantonte mundësinë reale të futjes së elektronik­ës në proces!

Pra, le ta ndërmarrë menjëherë Komisioni i Reformës Zgjedhore një proces eksplorimi dhe le të thërrasë e të dëgjojë këdo që, mbi bazën e një eksperienc­e të suksesshme në këtë fushë, mund t’i paraqesë Shqipërisë një plan konkret, të faktuar e të garantuar, për të hedhur një hap në këtë drejtim.

E nëse një ofertë serioze i vihet përpara Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe siguron opinionin pozitiv të OSBE/ ODHIR- it ( sepse duam s’duam arbitri i vetëm i standardev­e zgjedhore që njeh bota demokratik­e janë ata), atëherë pse jo!

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania