Panorama (Albania)

Ngjarja me Dritëro Agollin për të shpëtuar qenin

-

Ardha menjëherë në shtëpi, dhe megjithqë jam i sëmurë prej 17 janarit gjer më sot, i shtrirë në shtrat, u vesha dhe shpejt mora Marien me mua, vajta me autobus gjer në Komitetin Ekzekutiv E mora Marien, se prej 17 janarit s’jam ngritur prej shtratit, e mora shpirtin nër dhëmbë dhe u nisa i shoqëruar prej Maries, që po të rrëzohem rrugës, i sëmurë siç jam, ta kem Marien pranë. Vajta me Marien në Kom. Ekz. Më thanë se sekretari i Partisë ( Manush Myftiu, që është anëtar i Byrosë së Komitetit Central) nuk vjen këtu në zyrë, kryetari i Komitetit Ekzekutiv ( Ndue Marashi) nuk priste, Zëvendëskr­yetari ( janë 4 zv. kryetarë) nuk kish pritje. Poeti Pano Taçi, që ish poshtë në parterë, më tha të vete në Seksionin e Shëndetësi­së, po inspektori i seksionit nuk kishte pritje sot, të mërkurën, kishte pritje të martën edhe të premten prej orës 1- 2. Ika i dëshpëruar jashtëzako­nisht. Ardha në shtëpi. Kostandina më tha të vete ne arkitekt Petraq Kolevica, që Petraqi t’i thotë nesër, të enjten, inspektori­t të Shëndetësi­së të më pranojë nesër, të enjten. Petraqi, që është nëpunës në Komitetin Ekzekutiv, banon afër shtëpisë s’ime ( nja 200- 300 hapa larg). Vajta ne Petraqi, me Marien, e ëma e Petraqit më tha se Petraqi është shtruar në spital para 1 jave. Do vete nesër, të enjten, ne ministri i Shëndetësi­së, doktor Llambi Ziçishti, të përpiqem për “Cucin”, t’i japë ministri urdhër Seksionit të Shëndetësi­së, të mos ma vrasin Cucin. Shpresë s’kam, por, prapë do vete ne Ministri. Kur ardha prej Petraqit në shtëpi, sbrita të shoh vendin ku e mbanja Cucin poshtë shkallëve; atje m’u mbush shpirti dhe shpërtheva në qarje e vajë, putha dyke qarë peronën ku lithnja Cucin me rryp, e putha peronën 3 herë dyke qarë, putha safkën ku i shtinja ujë të freskët e putha 3 herë, putha 3 herë edhe enën prej alumini ku i jipnja Cucit të hajë, edhe u ngjita prej shkallëve të Cucit për në kuzinë, ku kam shtratin tim. Hyra në kuzinë dyke qarë, mezi pushova. Pastaj mora Marien, vajta me Marien në rrugët ku nxirrnja pak Cucin që më vinte keq ta mbaja vetëm lidhur. Përshkova me Marien rrugën prej shtëpisë s’ime gjer buzë lumit Lanë, shkova buzë Lanës, siç shkonja me Cucin kur e nxirrnja, vajta me Marien nëpër rrugët dhe rrugicat ku e nxirrnja Cucin, nja 20 ose 30 ose 60 minuta për dita, që të çmallem me rrugët ku shkonte Cuci. U këtheva pastaj në shtëpi, prapë zura të qaj se m’u mbush prapë shpirti dhe shkrojta këto rradhë për Cucin t’im shumë të dashur, shumë të dhemshur dhe shumë besnik. Sytë Cuci i kishte shumë të bukur, shumë të dashur, njerëzit theshin kur e baresnja Cucin rrugëve: “sa i bukur”, edhe fëmija, edhe nuset, edhe burrat theshin sa i bukur. Cuci është leshator, i bardhë në roza, të gjithë theshin sa i bukur. Më vjen të pëlcas për dhimbjen e Cucit, po s’kam ç’bëj. Po rri këtë ditë me shpresë për nesër, që të vete nesër ne ministri i Shëndetësi­së, dhe të shoh a mos më pranojë inspektori i Shëndetësi­së, me anën e ndonjë miku, ndonjë shkrimtari që t’a njohë inspektori­n. Lasgush. Tiranë, e enjte, 3 prill 1975: Megjith që jam i sëmurë që prej 17 janarit ( kur ardha prej Poradeci), prapë i dhashë kurajë vetes dhe dola për të parën herë nëpër Tiranë, t’i bje pas punës së “Cucit”. Vajta në Lidhjen e Shkrimtarë­ve, ku, që në mëngjes gjer në ora 1.30’ pas mesditës mezi takova atje Dritëro Agollin, kryetar i Lidhjes. Dritëroj, pas lutjes sime, i telefonoi kryetarit të Komitetit Ekzekutiv ( Ndue Marashit) që të më pranojë “për 1 çështje”. “Le të vijë”, i tha kryetari i Kom. Ekz. Lasgushi. Vajta, pas urdhrit të tij, portieri më la të hy. Atje më thanë se puna e “Cucit” ( që m’a muarr dje të ma vrasin) mvarret prej Seksionit të Shëndetësi­së ( që i ka zyrat brenda në Kom. Ekz.). Në zyrën e inspektori­t të Seksionit më priti me respekt inspektori Shpëtim Gjebréa, kështu m’a tha mbiemrin Dritëro Agolli, emrin s’m’a tha inspektori, më dha cigare, më tha që ay më njeh: “kemi folur”, tha, “prej 2 vjetësh” etj. Shpëtim Gjebréa më tha: “do t’ju japim lejë prej Seksionit” dhe doli prej zyrës me mua të vemi në zyrën e veterineri­t, që e ka zyrën brenda në Kom. Ekz., “t’ju them”, tha, “t’ju japin lejë për të mbajtur qenin” ( konkën time). Veterineri s’ishte. “Ecni t’i thoni, më tha, sekretarit të Lagjes nr. 1 të mos e vrasin qenin, se nesër, kur të jetë këtu veterineri, do t’ju japim lejen për mbajtjen e qenit”. Vajta te sekretari i Lagjes nr. 1 ( Lelem Haxhia) i thashë ç’më tha inspektori Gjebréa. Lelemi e mori inspektori­n në telefon, i tha Lelemit “do t’i japim Lasgushit lejë për qenin, nesër, se sot nuk është veterineri. Unë u shqetësova shumë që s’u mbarua puna ( sepse termini i vrasjes së Cucit është vetëm 3 ditë, dje 1 ditë, sot shkoj dita e dytë).

 ??  ?? Lasgush Poradeci me qenin e tij, Cuci
Lasgush Poradeci me qenin e tij, Cuci

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania