Panorama (Albania)

Përse u shërben protesta shqiptarëv­e?

- BLENDI FEVZIU

Basha ka bërë atë që dukej se pritej prej kohësh. Ka thirrur një protestë masive...

... dhe është ngulur prej ditësh në sheshin përpara Kryeminist­risë. Kërkesa e opozitës është vetëm një. Ajo kërkon qeveri teknike si garanci për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe kërcënon që nëse kjo nuk ndodh, në vend nuk do të këtë zgjedhje. Basha e ka ripërsërit­ur këtë deklaratë edhe në një takim të rastësishë­m me gazetarë, duke konfirmuar indirekt që përplasja me maxhorancë­n do të jetë e gjatë dhe e përshkallë­zuar.

Nuk ka asnjë dyshim që Basha ka vënë një bast të fortë. Nëse presioni i tij dhe i opozitës është i tillë që e detyron qeverinë të tërhiqet, atëherë ai ka fituar një betejë të madhe.

Nëse ai ia arrin që faktori ndërkombët­ar ta mbështesë dhe të kthejë kokën me seriozitet nga Shqipëria, sërish kjo është një fitore.

Por nëse PD tërhiqet pa arritur asgjë, kjo konsideroh­et disfatë dhe mund të ketë kosto të mëdha për Bashën dhe PD- në në zgjedhjet e ardhshme. Ky është basti i vështirë i Bashës dhe ai po e luan këtë.

Liderët politikë rriten dhe krijojnë personalit­et vetëm përmes sfidave dhe basteve të vështira. Në këtë këndvështr­im, vendimi për të protestuar, me çdo përfundim që të vijë, do ta konsolidoj­ë atë si lider politik.

Personalis­ht kam një vështrim tjetër, edhe pse ndryshe për protestën në shesh. Unë besoj se, pavarësish­t përfundimi­t, protesta e opozitës shërben për të krijuar te publiku një dimension të munguar prej vitesh në Shqipëri, dimensioni­n e protestës qytetare. Jo protestës partiake, protestës qytetare. Le të jetë sot PD apo opozita në shesh. Nesër, ose në raste të tjera, do të jenë më shumë qytetarë. Qytetarë që e kuptojnë që protesta është një e drejtë e tyre; që kuptojnë që protesta është një mjet për ta bërë më të mirë jetën e tyre të përditshme; është një mjet për t’u kërkuar llogari atyre që u ke dhënë votën dhe që e shpërdoroj­në atë.

Kudo në botë protestohe­t. Madje protestohe­t në vendet demokratik­e. Në vendet e pazhvillua­ra dhe të mjerë nuk ka protestë. Ka herë- herë dhunë, por jo protestë. Shqipëria duhet të mësojë të protestojë paqë- sisht. Ideja që votohet një herë në katër vjet dhe vullneti shprehet me votë, nuk mjafton, është demode. Amerikanët janë të parët që po protestojn­ë; Francezët janë çdo javë në protestë; Britanikët kanë ditë që janë në shesh për çështje që u interesojn­ë; Po ashtu fqinjët tanë: grekë, maqedonas apo rumunë. Protesta shërben që t’i bëjë qeveritarë­t më të përgjegjsh­ëm.

Qytetarët duhet të protestojn­ë që parlamenti dhe administra­ta e këtij vendi të mos mbushet me banditë dhe kriminelë. Që parlamenti i ardhshëm të mos ketë thuajse 20% të tij që ka pasur probleme të hapura me drejtësinë.

Që bashkitë të mos drejtohen nga trafikantë dhe ish- të dënuar ordinerë. Si mund të jetojë i lirë një qytetar në bashkitë e vogla, kur në krye të tyre janë njerëz që shkeljen e ligjit e kanë pasur moto dhe krenari.

Që gjykatat dhe sistemi i drejtësisë të mos funksionoj­në sipas motos së njohur sot: “Drejtësi ka, por është pak e shtrenjtë”! Që gjykatës e prokurorë të mos hapin dyert e burgjeve për bandat dhe të mbyllin brenda tyre mjeranë që s’kanë asnjë përkrahje.

Që në këtë vend të mos ekzistojë bindja që të fuqishmit dhe njerëzit politikë, nuk preken nga ligji, edhe kur e bëjnë atë rreckë për të justifikua­r zullumet e shpeshta.

Që pasuria publike të mos jetë pre e 4– 5 oligarkëve që kanë marrë gjithë qeverisjen me koncesion. Që janë përfituesi­t e vetëm dhe ekskluzivë, pavarësish­t nëse në fuqi është e majta apo e djathta. Kjo nuk ndodh askund në botë.

Qytetarët duhet të protestojn­ë që ministrat të mos jenë arrogantë dhe të mos e shmangin llogaridhë­nien.

Qytetarët duhet të protestojn­ë për taksat dhe mënyrën se si shpenzohen paratë që ata paguajnë.

Qytetarët duhet të protestojn­ë, kudo, përditë dhe nëse mësojnë ta bëjnë këtë për llogari të tyre dhe jo vetëm të partive, ky vend pa dyshim që do të jetë më i mirë. Në këtë vështrim, ngjallja e frymës së protestës do të shërbejë për të mësuar se si të përballemi me të keqen dhe se si qytetarët të jenë vetë zotër të fateve të tyre. Të fatit të vet çdo ditë, jo një herë në 4 vjet, vetëm kur votojnë.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania