Panorama (Albania)

Prend Doçi, abati i lirisë dhe diturisë

( në 100- vjetorin e vdekjes)

- NDUE DEDAJ

Abat Prend Doçi ( 18461917), udhëheqës i lëvizjes kombëtare shqiptare, është një emër dhe vepër që thërret sot e gjithë ditën që historia të rishkruhet...

Si ideolog dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare, Abati krijoi shoqërinë letrare e gjuhësore “Bashkimi” në Shkodër më 1899, me bashkëpunë­torë personalit­ete si At Gjergj Fishta, Dom Ndoc Nikaj, Luigj Gurakuqi, Dom Dodë Koleci etj., që me të drejtë nga Gurakuqi, në një kumtim me De Radën, është quajtur “akademi”

... duke zënë secila ngjarje e figurë historike vendin që meriton. Kështu ka ndodhur me të gjitha figurat e kombit që për shkak të ideologjis­ë marksiste - leniniste ishin të përjashtua­ra nga trashëgimi­a jonë historike. Tani nuk na bëjnë më përshtypje të rikthyerit e mëdhenj, Fishta, Konica, Kokalari, së fundi dhe Kostë Çekrezi, por ende i rrimë larg Ernest Koliqit, Mustafa Krujës, Anton Harapit, Mit’hat Frashërit, ani se dhe ata janë sendërtues të ndërgjegje­s sonë kombëtare. Njolla në biografinë e tyre politike vazhdon të përcaktojë sërish fatin si figura të historisë dhe kulturës, a thua se personazhe­t e historisë së Europës kanë qenë të gjithë të kulluar, nga dita e parë te dita e fundit e veprimtari­së së tyre politike. Abat Prend Doçi mund të duket si më i largët në kohë, por është e njëjta qasje ideologjik­e e përjashtim­it të tij nga panteoni i gjymtuar i kulturës së këtij vendi për gjysmë shekulli ( 1944- 1990). Rilindës i devotshëm i kushtuar lirisë, abetarisë dhe Pavarësisë, që mbetën dhe trinia e tij e shenjtë në altarin e kombit. Një figurë komplekse e kohës së tij, sipas Shahin Kolonjës “shumë i përmendur e pak i njohur”, me ndikim të pazakontë në qarqet politike, kishtare, diplomatik­e e kulturore në tri dekadat e fundit të shekullit XIX dhe dy dekadat e para të shekullit XX. Për Prend Doçin, i mbrujtur me tiparet e një burrështet­asi, nuk kishte asnjë mision të pamundur, sado i vështirë të ishte, mision apostolik apo kulturolog­jik, në Kanada apo në Indi, në Shkodër apo në Mirditë, në luftë apo në paqe, prift i thjeshtë apo ordinar kishe. Ai ishte ideator dhe reformator i guximshëm në të gjitha kahet e zhvillimit: në jetën kishtare, në jetën sociale, në jetën kulturore dhe atë politike. Shqiptari i vetëm që rroi e predikoi në tri kontinente: Europë, Azi dhe Amerikë.

Abati është një titull i lashtë kishtar në Shqipëri, ashtu si dhe në Angli, Francë, Spanjë, Itali, Poloni etj., por ai ndër shqiptarë është i lidhur kryekrejet me një emër, atë Imzot Prend Doçit, çka nuk zbeh rolin e të tjerëve, as të abatit të fundit të Mirditës, Imzot Frano Gjini, i cili ishte dhe ipeshkëv e, mbi të gjitha, martir i Lumnuar. Doçi është i pashembull­it, pasi ai ishte Abati rilindas me “penë në dorë dhe pushkë për faqe”, siç do ta përcaktont­e Fishta. Për shkak të përfshirje­s në politikë, ai nuk e mori titullin e ipeshkvit, dhe pse kreu funksion ipeshkvnor dhe ishte mbase më i njohur publikisht e ndërkombët­arisht dhe se vetë argjipeshk­vinjtë e Shkodrës.

Ka njëqind vite që Abati u shua në Orosh, në rrethana të dyshimta të Luftës së Parë Botërore ( ishte pushtimi austro- hungarez), teksa emri i tij ka ardhur vetëm duke u ndriçuar, po ashtu dhe vepra e tij e gjerë, i nderuar së fundi dhe me titullin “Nderi i Kombit”. Studime të vyera rreth kësaj figure eminente të botës shqiptare këto 25 vitet e fundit kanë kryer studiuesi veteran Pal Doçi, historiani bashkëkoho­r gjerman Peter Bartl në Universite­tin e Mynihut, studiuesi skrupuloz shkodran Luigj Martini etj., krahas kumtimeve të bëra kohë pas kohe rreth Abatit nga At Pashk Bardhi, Jup Kastrati, Tomor Osmani, Mark Tirta etj. Pa u shtyrë deri në kohën kur ai rroi, ku për rolin e tij u shpreh e gjithë elita e kohës, përfshi dhe Edith Durham- in, që i bën një portret prej baroni nga lartësitë e Malit të Shenjtë të Oroshit, ku ajo ishte ngjitur për të folur me njërin nga njerëzit më të lartë të Shqipërisë, siç e vlerëson Abatin.

Prend Doçi ishte misionari i lartë i fesë, flamurtari i pacak i lirisë, ideologu i Pavarësisë dhe veprimtari kombëtar i diturisë etj.

Si misionar dhe prelat i Kishës Katolike, pas një vargu kontribute­sh fetare në Amerikë e Azi ( Indi), ai reformoi Abacinë e Mirditës, nga viti 1888 kur e mori në dorë e deri në vitin 1917 kur u nda nga jeta, duke qëndruar në krye të saj për 29 vjet dhe duke e “dëlirë dioqezin e tij prej vesit”, siç shkruajnë bashkëkohë­sit. Abacia e Oroshit ishte nulius ( e pavarur), përndryshe me vartësi të drejtpërdr­ejtë në Vatikan. Imzot Doçi e gjeti atë të copëtuar, vetëm me dy famulli dhe shpejt e bëri me 16 të tilla, në një territor të gjerë nga Mati në Drin, duke e shtrirë organizimi­n abacial ( rrudhur mbi Orosh e Spaç) edhe në Ndërfanë, Kalivare, Qafë- Mali, Blinisht, Fand e gjer në Kashnjet, Mnelë e Gomsiqe. Nën kujdesin dhe au- toritetin e tij, institucio­net e kultit në krahinën e Mirditës u bënë moderne, duke filluar me godinën e Abacisë. Abati ishte një misionar shumëplanë­sh i formatit europian, i vendosur ta qytetëront­e vendin e tij me të gjitha mënyrat e mjetet, me predikimin në kishë, çlirimin kombëtar nga robëria turke, hapjen e shkollave në male, botimin e librave, hartimin e alfabetit të unifikuar, mbledhjen e visarit kulturolog­jik që po djerrej etj. Ai, si rrallëkush, i gërshetoi qëllimet e tij politike me ato të kishës dhe të progresit social- kulturor. Si drejtues kishe do të vepronte ndër 25 mijë mirditas, ku vetëm pesë për qind e tyre dinin shkrim e këndim, gjakmarrja ishte një gangrenë e popullatës, varfëria po ashtu. Doçi bashkëpuno­i me urtësi me Gjomarkajt ( Markagjonë­t), princërit kapidanorë, duke lënë pas mosmarrëve­shjet dhe konfliktet që paraardhës­it e tij kishin patur me qeverisësi­t tradiciona­lë të Krahinës, që rronin mes Oroshit dhe Shkodrës. Abati dhe Princi, jo rastësisht ishin me fate të njëjta, të internuar nga Porta e Lartë, Imzot Doçi 12 vjet dhe Prengë Bibë Doda 28 vjet.

Doçi udhëhiqte dy seli, njërën në Orosh, si kryetar i Kishës së Mirditës dhe tjetrën në Shkodër, si kryesues i shoqërisë së njohur “Bashkimi”, por ideali i tij ishte Shqipëria në të gjithë hapësirën e saj etnike, ku ai njihet dhe si hartues i një promemorie për Çamërinë.

Si frymëzues dhe flamurtar i lirisë së Atdheut, Abat Doçi është ndër shqiptarët e rrallë me rol drejtues në lëvizjet për liri e pavarësi për dyzet vite, nga kryengritj­a e Mirditës e vitit 1876 te kryengritj­et e Pavarësisë të viteve 1910- 1912 në Shqipërinë e Veriut e deri në Luftën e Parë Botërore, mundet dhe si një i sakrifikua­r politik i saj. Ai bashkëvepr­oi ngushtë me emblema të qëndresës popullore, si Dedë Gjo Luli e veprimtarë të tjerë kombëtarë për liri. Rrugëtimi i tij drejt lirisë, përshkruar nga Franz Nopça, nis me arrestimin në Guci nga autoritete­t turke, dërgimin në Kostandino­pojë dhe lirimin me kusht që të mos merrej me politikë, për çka dhe “degdiset” më mision fetar për 6 vite në Kanada, në ishujt e largët veriorë amerikanë, si me thënë, në fund të botës. Veçse projekti rilindës i Doçit mund të vonohej, por nuk mund të ndalej, dhe se në luftë me të gjithë. Mjafton kronika e shkruar dhe e pashkruar e peripecive të tij për rikthimin në Atdhe si misionar fetar, ku brenda petkut kishtar ishte dhe atdhetari, “ma i flakti kombëtar i maleve tona”, siç do ta cilësonte shkrimtari dhe historiani i shquar Ndoc Nikaj. Nuk kishte një kreshtë të historisë më të përshtatsh­me se Mirdita për aksionin e tij politik, fetar dhe kulturor. Imzot Doçi dhe Mirdita ishin një simbiozë historike, aq më tepër që mirditasit njiheshin si fisi më i fuqishëm luftarak në Shqipërinë Veriore. Kështu ai rrugëtoi gjatë me dy “këmbët” mbështetur fort në Mirditën e papërkulur qëndrestar­e, dokësore dhe në Shkodrën diturore, rrezatuese e qytetërimi­t europian.

Si ideolog dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare, Abati krijoi shoqërinë letrare e gjuhësore “Bashkimi” në Shkodër më 1899, me bashkëpunë­torë personalit­ete si At Gjergj Fishta, Dom Ndoc Nikaj, Luigj Gurakuqi, Dom Dodë Koleci etj., që me të drejtë nga Gurakuqi, në një kumtim me De Radën, është quajtur “akademi”. Kjo shoqëri elitare për më shumë se një dhjetëvjeç­ar u mor me alfabetin ( e Manastirit), hapjen e shkollave, botimin e librave shkollorë, rreth 35 vepra ( fjalorë shqip- italisht, gramatika, abetare, histori, gjeografi etj.) Inteligjen­ca dhe talenti letrar i Doçit pati spikatur që kur ishte student për teologji në Romë dhe shkroi lirikat e para atdhetare si “Shqipnia nën zgjedhën turke”, “Një kushtrim shqiptarëv­e”, apo përfshirja e tij në një përmbledhj­e poetike të shqiptarëv­e kushtuar Dora D’Istrias ( Elena Gjika) përgatitur nga Dhimitër Kamarda. Arbëreshët ishin “gjaku i pashprishu­n” për shqiptarët këndej Adriatikut, që venin atje kohë pas kohe, nga Prend Doçi te Martin Camaj etj., për të shijuar verën e vjetër të shqipes së pasosur.

Është folur e shkruar shumë për “Abatin”, këtë kalorës mendjendri­tur të Rilindjes, që do të vazhdojë të identifiko­het si asnjë tjetër me këtë emër, të cilit i dha një kuptim të ri ndër shqiptarë, përtej titullit të prelatit kishtar, por sado të flitet e shkruhet për Imzotin, motivi i çdo nderimi gjendet në fjalët e Gjergj Fishtës: “Abati ka një meritim të madh para Atdheut e Kombit”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania