Panorama (Albania)

"Masakra e Çoles", familjarët: Duam drejtësi, prokurori po mbron autorët

-

VLORË - Familjarët e dy prej viktimave të masakrës së ndodhur në "Çole" të Vlorës, në prill të vitit 2015, i kanë dërguar një letër Presidenti­t Bujar Nishani dhe kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Në ngjarjen e rreth dy viteve më parë, mbetën të vrarë Haki Rakipi, Ardi Velaj dhe Albi Limaj, të cilët u ekzekutuan në një lokal. Në letrën që mban firmën e Bilbil Rakipit dhe Inajete Velajt, kërkohet zbardhja e plotë e ngjarjes dhe vendosja e autorëve para drejtësisë. Për ngjarjen, Gjykata e Apelit Vlorë dha vendim për dënimin me burgim të përjetshëm të autorit Aleksandër Llanaj, ndërsa ndaj dy bashkëpunë­torëve të tij, Bertil Allia dhe Ani Begaj, u dha një dënim me 35 vite burg. Çështja u dërgua për rekurs në Gjykatën e Lartë nga ana e Prokuroris­ë së Apelit Vlorë. Familjarët e dy prej viktimave akuzojnë për korrupsion në Gjykatën e Lartë pas mbajtjes së seancës së parë. "Nga dita e rekursit, pra 01.11.2016 dhe deri më 12.02.2017, që u zhvillua seanca e parë në Gjykatën e Lartë është një kohë jashtëzako­nisht e shkurtër për të kaluar letrat dhe bie era e një korrupsion­i masiv", shkruajnë ata. Nga ana tjetër, ata theksojnë se pjesë e trupës që do të marrë vendimin më 23 shkurt do të jetë i njëjti që mori vendimin për zëvendësim­in e masës së sigurisë për dy të akuzuarit që janë dënuar në mungesë. "Ne mendojmë që i njëjti trup gjykues nuk duhet të gjykojë të njëjtën çështje dy herë", thonë familjarët. Përveç këtij fakti, ata akuzojnë dhe vetë prokurorin e çështjes, Artur Selmani, që sipas tyre po merr në mbrojtje autorët e masakrës. "Vetë gjyqtarët u habitën me mbrojtjen që prokurori u bëri të dënuarve për krimin makabër. Jemi të shqetësuar se akoma nuk po kuptojmë si familje pse ndodhi gjithë kjo masakër. Nuk del në asnjë shprehje pse u ekzekutuan djemtë që askujt nuk i kishin bërë dëm. E dimë që jemi të vonuar në kohë, por gjithsesi ne presim nga drejtësia dhe sidomos tek organi i akuzës të cilin ju drejtoni", përfundon letra drejtuar Nishanit.

 ??  ?? Faksimile e letrës drejtuar Nishanit
Faksimile e letrës drejtuar Nishanit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania