Panorama (Albania)

Kalaja e Dodës, “paradhoma” turistike e Korabit

- NDUE DEDAJ

Kalaja e Dodës është qua jtur porta hyrëse e Korabit, por dhe një nga stacionet e lakmueshme të turizmit alpin. Ishim atje në fundjavë për t’u njohur me atë malësi...

blegtorësh në zë dhe turizmi në perspektiv­ë. Rrënojat e kalasë gjenden diku në fshatin Ceren, por ajo ngjan më shumë një kala natyrore se arkeologji­ke. Pyesim për ndonjë gojëdhënë që mund të lidhej me toponiminë e saj, por askush nuk di të na thotë diçka për Dodën e kahershëm, ndërtuesin apo poseduesin e kalasë. “Ka të bëjë me kohën kur këto vende ishin të krishtera”, na thotë një burrë rreth të 60- ve. Nuk e kërkojmë më tej “Dodën”, thuajse mitik, pasi nuk është kohë legjendash dhe të flasësh sot për heronjtë duket “arkaike”, edhe pse lapidarët e qëndresës dibrane nëpër kodra të krijojnë emocion. Por të ikim nga rrënojat e pamirëmbaj­tura të historisë për të kundruar të sotmen jo të mirëbërë. Korabi olimpik, kaluar mbi kreshta, ka nxjerrë një pjesë të tijën sipër Radomirës, fshatit që nis nga bregu shkëmbbard­hë i lumit e ngjitet lagje- lagje deri në lartësitë e borta, por që nuk është urbanizuar pikë së pari për një fille asfalt. Mund të mungojë asfalti diku tjetër, por jo në ato 5 km rrugë që të afrojnë më shumë me Korabin, kryemalin shqiptar, por dhe ballkanik, 2751 metra i lartë. Dikur nëpër Korab vente Udha e Pazarit, pasi drithi blihej në Gostivar, kurse për kurbetqarë­t ajo zgjatej dhe më larg, deri në Shkup, Selanik e Stamboll a Misir. Muranat e dikurshme të “heronjve” të kësaj rrugë prehen nën dëborën e trashë të dimrit, që as në verë nuk hiqet, vetëm sa i tëhollohet shtresa.

Kalaja e Dodës, që shtrihet në një territor prej afro 8000 ha, mes Bushtricës së Kukësit e Sllovës, me 9 fshatra malorë si Ploshtan, Shullà, Kullas, Ujëmirë, Terzë etj., ka qenë tretur pas “nëntë malesh” deri para disa vitesh kur rruga e hapur pas Luftës së Dytë me aksion, u rikonstruk­tua dhe u asfaltua, duke krijuar mundësi dhe për shfrytëzim­in e burimeve hidrike, me plot ujëvara si shtojzoval­le. “Mos rrini pa shkuar në Radomirë”, na thonë, dhe ne marrim udhën për atje, duke u kthyer 10 kilometra mbrapsht, ngaqë nuk kishte një tabelë që të na tregonte drejtimin, por vetëm ndonjë mbishkrim me bojë gjysmë i lexueshëm nëpër muret mbajtës të rrugës. Në Radomirë, në lokalin “Korabi”, pimë një kafe në shoqërinë e burrit më të vjetër të atyre anëve, Feim Ahmati, që dhe për dy “viza” ( vite), siç thotë ai, mbush 100 vjeç. Nëse nuk ta tregon vetë moshën, nuk mund ta besosh se mbi supet e tij lëviz një shekull jetë, por uji i kulluar, ajri i pastër, ushqimi bio janë sekreti i kësaj jetëgjatës­ie. “Mixha” ka qenë partizan në Brigadën VI Sulmuese dhe kujton episode nga luftimet në Veri, shtatëdhje­të vite më parë, por biseda me të priret më tepër nga e sotmja. Të gjithë ata që shkelin në këto vende të epërme, iu thonë vendësve mos ikni, e keni këtu parajsën, Korabi do të jetë përherë e më i kërkuar nga turistët. A nuk ishin dje këtu një grup alpinistës­h, që shtegtonin për në lartësitë madhështor­e plot më dëborë? I mëshojnë turizmit alpin të Kalasë së Dodës jo vetëm bashkia, qeveria, deputetët, shoqatat, mediat, ne e të tjerë, vendas e të huaj, mirëpo tash për tash kjo duket më shumë një dëshirë e mirë se një realitet. Është infrastruk­tura, ajo copë udhë e pashtruar me asfalt, mungesa e investimev­e, kredive të favorshme, por dhe e guidave, hartave turistike etj. Kalaja e Dodës është në gjysmën e rrugës prej 70 e ca kilometras­h nga Kukësi në Peshkopi, rrugë që nuk ka një sinjalisti­kë për të qenë, ku ti si vizitor duhet të ndalohesh herë pas here e të pyesësh, o një burrë që shkon mbi kalë, o një mullicak, o një fëmijë që luan ndanë rrugës, se në cilin fshat ndodhesh e nga po mban. Le pastaj të ketë emërtime më të imëta për objektet e rralla turistike, muzeale, monumental­e. Ndryshe është pjesa tjetër e rrugës nga Peshkopia në Bulqizë.

Radomira, si një bujtinë alpine në rrëzë të Korabit, është në pritje të projekteve të zhvillimit për t’u bërë “Zvicër”. Po kur? Mbase kur politika e Tiranës, e mbarsur me shumë konflikt artificial partiak, të ketë dalë nga gjerizet e veta e të jetë ngjitur në bjeshkë për t’i lartësuar ato si europianët e jo për t’i gllabëruar. Megjithatë, perla e Korabit nuk rri duarkryq, vetëm diku pritur nga lart. Ka banorë që kanë investuar vetë me sa kanë mundur në hotele të vogla, apo kanë skali- tur me gurë të kuq si mermer kullat e të parëve në harmoni me kërkesat e arkitektur­ës moderne. Madje njëfarësoj ky është lajmi. Nuk ka progres ekonomik e social nëse lokomotiva e tij nuk është njeriu vendas, të cilit i dhemb çdo pëllëmbë tokë, krua e fije bari. Në Radomirë një vogëlushe ka zgjedhur të kolovitet në litarin e lidhur mbi pemë, dhe pse jo aq e sigurt lodra e saj, ndërsa dikush nga bashkudhët­arët kujton atë këngën e dikurshme “Vajza e Radomirës”. Ku janë sot djemtë dhe vajzat e kësaj zone? Në të vërtetë banorët janë përgjysmua­r. Dikur Radomira kishte 300 shtëpi e sot i ka apo jo 300 frymë. Shumë prej familjeve janë vendosur në Tiranë, në zonën e Paskuqanit etj., kurse djemtë janë në Angli emigrantë. Pa dyshim që Anglia është e lakmuar për standardin e arritur, por zor se ka vende më të bukura se Korabi, që nga mungesa e zhvillimit rural, djemtë e tij janë shtrënguar ta lënë. Blegtoria është tradita baritore e njerëzve të Kalasë së Dodës, që njihen dhe si shtegtarë të tufave të tyre në fushat bregdetare gjatë dimrit. Baca Feim, personazhi ynë simpatik, na tregon se djali i tij ka një tufë me dyqind krerë dele. Aty në qendër është dhe një baxho për përpunimin e qumështit dhe prodhimin e bulmetit, pasi në verë ka një dyndje të tufave. Ndërkohë që toka është e paktë, e rrethuar me mure guri dhe prodhon patate, misër, fasule etj. Por këto nuk kanë mjaftuar për ta bërë të pasur Kalanë e Dodës dhe Radomirën e hijshme.

Kaladodasi­t janë sfiduesit e motit të keq dhe dimrave të ashpër. Atje dimri mund të rrijë dhe 6 muaj si në shtëpinë e tij dhe ata dinë ta përballojn­ë, siç dinë të shijojnë dhe festat verore që organizojn­ë mes kaltërsisë, freskisë dhe diellit të pashoq bjeshkëtar. Njerëzit dhe mali janë të lidhur në rituale mes tyre, si ai i Darkës së Djathit etj., që tani nuk praktikohe­n më, dhe pse turizmi kulturor mbase do t’i rikthejë. Kemi kaluar dhe në dhjetor kësaj rruge kur ishte dëborë dhe mjetet me zinxhir i përpinin me uturimë kthesat e forta. Rruga ngrihet e ulet nga toka në “qiell” e nga “qielli” në tokë, pasi i tillë është terreni i thyer, i pjerrët, ku faqja e malit ngrihet nga brigjet e ulëta të përrenjve deri në 1500 metra lartësi, teksa Korabi “i pashkelur” ngrihet në dy mijë metra e lart.

P. S. Shkruajmë shpesh për qytetërimi­n e maleve dhe rrallë marrim kënaqësi, pasi themi kush na dëgjon? Por disa njerëz që kishin parë fotografit­ë e shpërndara në rrjetet sociale nga “grupi” ynë turistik, kishin komentuar se qenka me interes për t’i vizituar ato vende. Ndihemi mirë, se ky është dhe qëllimi, të ndikojmë sadopak në zgjimin e interesit publik për “rivierën” tonë alpine, kësaj here atë të Korabit, që, gjithsesi, na vjen përherë e më pranë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania