Panorama (Albania)

Gomonia me 1.2 tonë drogë, kufomë në det afër Sazanit

Identifiko­het peshkatari, dyshohet si i përfshirë në trafik

- VLORE

Trupi i pajetë i një 57vjeçari u gjet nga peshkatarë­t të premten rreth një milje në afërsi të ishullit të Sazanit.

Pas sinjalizim­it të dhënë, në drejtim të ishullit të Sazanit, në pjesën veriore të tij ku edhe u gjet kufoma, u nisën efektivë të Policisë dhe rojës bregdetare. Ata bënë të mundur nxjerrjen e trupit nga uji dhe transporti­min për në morgun e qytetit. Gjatë ekspertizë­s për identifiki­min e viktimës, të afërmit e tij e kanë dalluar atë nga rrobat që mbante veshur, të cilët konfirmuan se bëhej fjalë për Numan Lazajn. 57- vjeçari Lazaj nga Kanina e Vlorës rezulton se punonte gjithashtu si peshkatar. Ai ishte baba i tre fëmijëve. Do të jetë ekspertiza mjekoligjo­re ajo që do të përcaktojë edhe më tej shkaqet e vdekjes së Lazajt. Paraprakis­ht dyshohet se ai ndodhej në gomonen që u gjet e braktisur në afërsi të ishullit të Sazanit, më datë 12 mars, me një sasi të konsiderue­shme lënde narkotike, rreth 1.2 tonë. Gomonia u gjet e përplasur në shkëmbinjt­ë e ishullit, ndërsa për shkak të motit të keq dhe përplasjes nga mjeti lundrues, në det kishin përfunduar edhe disa pako kanabis. Gjithashtu, rezultoi se gomonia kishte humbur edhe një nga motorët. Pas operacioni­t, Policia ngriti dyshime për zhdukjen e dy personave që kishin qenë në bordin e saj gjatë tentativës për trafikimin e drogës drejt Italisë. Gjetja e kufomës gjatë ditës së djeshme dyshohet se i përket pikërisht një prej personave që ndodheshin në gomonen me 1.2 tonë kanabis, ndërsa ende nuk dihet fati i personit të dytë. Por, mbi këtë hipotezë pritet të hedhë dritë ekspertiza mjekoligjo­re, e cila do të përcaktojë edhe shkaqet e vdekjes që mund te kenë ardhur si shkak i rrëzimit nga mjeti lundrues dhe të jetë mbytur në det, apo nëse ka plagë në trup, të cilat mund të çojnë në një tjetër version të hetimeve. Policia e Vlorës konfirmon se ka pasur gjatë kësaj periudhe deklarime dhe denoncime nga persona të ndryshëm, për familjarë të zhdukur. Dyshohet që mes denoncimev­e të bëra, të kemi raste të personave të cilët mund të jenë mbytur edhe gjatë tentativës për trafik të lëndëve narkotike drejt Italisë. Rastet janë rreth 14 deri më tani në Policinë e Vlorës, ndërsa emrat nuk bëhen të ditur nga uniformat blu, pikërisht për shkak të hetimeve që janë duke u zhvilluar nga Policia. Viktima e djeshme është pikasur nga peshkatarë të tjerë, të cilët kanë parë trupin teksa pluskonte në det.

 ??  ?? Trupi i viktimës në det
Trupi i viktimës në det

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania