Panorama (Albania)

Rama: Si me ata, si pa ata ne do votojmë e do fitojmë më 18 qershor

-

Kryeminist­ri Edi Rama nga qyteti i Vlorës, gjatë një takimi me të rinjtë që votojnë për herë të parë, deklaroi dje se zgjedhjet e 18 qershorit nuk do të shtyhen. Rama tha se më 18 qershor do të votohet si me opozitën, dhe në qoftë se ata nuk marrin pjesë në zgjedhje. Kreu i qeverisë u shpreh se opozita i ka hapur luftë Europës, Gjermanisë dhe Amerikës. “Si mund të jemi njësoj ne me ata! Ne me ata kemi vetëm një gjë të përbashkët: ata janë shqiptarë, ne jemi shqiptarë. Ndërkohë që ne kemi të përbashkët me shumë prej njerëzve të zakonshëm demokratë në këtë vend dashurinë për Shqipërinë, që ata në çadër nuk e kanë. Ata në çadër janë gati ta ndajnë Shqipërinë prapë për së gjalli nga Europa. I kanë hapur luftë Europës. I kanë hapur luftë Gjermanisë. I kanë hapur luftë Amerikës. I kanë hapur luftë gjithë botës, sepse nuk duan të lëshojnë gjykatësit e prokurorët e korruptuar. Ne duam që shteti ynë, shteti shqiptar të jetë një shtet dinjitoz me të gjithë fqinjët dhe përballë të gjithë miqve e partnerëve europianë. Duam ta ulim Shqipërinë në tryezën e negociatav­e për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ata bllokojnë rrugët, ndërkohë që ne duam të hapim njëherë e mirë rrugën e të ardhmes. Ata le të bëjnë çfarë të duan, Partinë Socialiste të Shqipërisë nuk ka forcë që e ndalon. Ata le të bëjnë çfarë të duan, votuesit e parë të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë nuk ka forcë që i ndalon. Ata le të bëjnë çfarë të duan, fuqinë e dashurisë sonë për Shqipërinë dhe betejën tonë për Shqipërinë që duam nuk ka forcë që e zmbraps. Kështu që, më 18 qershor, si me ata, si pa ata, ne do të votojmë. Më 18 qershor, si me ata, si pa ata, ne do të fitojmë!”, tha Rama

PREMTIMI Kreu i qeverisë tha se në Vlorë ka shumë të pakënaqur, madje dhe persona që e shajnë për vonesat për ndërtimin e Lungomares. Por Rama tha se në Vlorë do të ndërtohet një aeroport i rëndësishë­m. “Unë e di që shumë nga ju më kanë sharë për Lungomaren që vonohet. Unë e di që shumë nga ju dhe shumë nga prindërit tuaj duan që të gjitha gjërat që nuk janë bërë në çereksheku­lli të bëhen sa hap e mbyll shumë. Ju keni të drejtë, por unë ju siguroj se, kur kjo fazë e parë investimes­h të mbarojë për Vlorën, për Himarën, për Sarandën, për Finiqin, për Delvinën, për Konispolin dhe Selenicën, i gjithë ky qark do të ketë hyrë në një fazë të re të zhvillimit. Unë ëndërroj dhe jam i bindur që do ta realizojmë të ndërtojmë një aeroport për Vlorën. Të ndërtojmë jo një pistë turistike, por një aeroport rajonal, një aeroport për njerëzit dhe për mallrat, një pol zhvillimi ekonomie, punësimi, që do ta bëjë Vlorën një nga qytetet më të vizituara të Mesdheut dhe që do ta bëjë gjithë bregdetin e Jonit një nga zonat më turistike të Mesdheut, dhe që do t’u mundësojë të gjithë banorëve të Jugut që të mos shkojnë deri në Tiranë për të marrë avionin”, u shpreh ai.

 ??  ??
 ??  ?? Rama dje në Vlorë
Rama dje në Vlorë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania