Luftëtari Ibra: Unë luaj edhe me një këmbë
"Nuk tërhiqem". Zërave kontradiktorë që lindën pas dëmtimit të Zlatan Ibrahimoviçit në gju kundër Anderlehtit, sulmuesi suedez u ka dhënë fund personalisht, duke ndërhyrë përmes një mesazhi në profilin e tij në "Instagram". "Para së gjithash, dua t'ju falënderoj të gjithëve për të gjithë mbështetjen dhe dashurinë", shkroi bomberi i "djajve". "Nuk është një lajm fakti që u dëmtova dhe do të qëndroj larg futbollit për pak kohë. Por unë do ta kaloj këtë ashtu si gjithçka tjetër dhe do të rikthehem edhe më i fortë. Deri tani kam luajtur me një këmbë, kështu që nuk do të ketë ndonjë problem. Një gjë është e sigurt, që do ta vendos unë kur të tërhiqem dhe askush tjetër. Dorëzimi nuk është një alternativë. Shihemi së shpejti", shkruante legjenda në rrjetin social. Së bashku me Rohon ( edhe ai u dëmtua në gju), Ibra do operohet të mërkurën nga kirurgu ortoped në Pitsburg të SHBA- ve, Dr. Fredi H Fu, i cili është më i miri në fushën e rindërtimit anatomik të ligamentit të kruciatës anteriore.