Panorama (Albania)

Trump sulmon mediat për hetimin e dhëndrit

-

U raportua se Kushner ka kërkuar kanal sekret komunikimi me rusët

Presidenti amerikan, Donald Trump, është kthyer në Uashington, pas turneut në Lindjen e Mesme dhe në Europë, duke e quajtur atë një sukses historik, dhe menjëherë pas kësaj u është turrur me zemërim mediave amerikane që kanë publikuar një lajm mbi kontaktet sekrete të dhëndrit të tij, Jared Kushner, me rusët. Kushner është këshilltar në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Trump tha se shumë nga publikimet e dala janë lajme të rreme. Në artikuj nëpër mediat amerikane tri ditë më parë shkruhej se dhëndri i tij kishte tentuar të krijonte një kanal sekret të komunikimi­t me Moskën tri herë, gjatë dhe pas fushatës elektorale, e ishte takuar fshehtas edhe me ambasadori­n rus. Publikimet iu referuan burimeve të mediave nga shërbimet e sigurisë dhe inteligjen­cës. Tani shkruhet se Kushner është nën hetim nga FBI. Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë pas një udhëtimi nëntëditor në Lindje të Mesme dhe në Europë, për t'u përballur me pyetjet rreth komunikime­ve të dyshuara të dhëndrit të tij Jared Kushner dhe ambasadori­t rus në Uashington. "Mendoj se shumë nga publikimet janë gënjeshtra të sajuara të bëra nga mediat e lajmeve të rreme", ka shkruar Trump në "Twitter". Kushner është i martuar me vajzën e Trump, Ivanka, dhe sipas mediave amerikane, kishte pasur kontakte me Moskën në dhjetor të vitit të kaluar, në lidhje me hapjen e një kanali sekret të komunikimi­t. Ndërkohë "Washington Post", "New York Times", "Reuters" dhe media të tjera kanë raportuar se Trump po shqyrton krijimin e një "dhome lufte" për t'u marrë me një numër në rritje të pyetjeve për fushatën e tij presidenci­ale dhe përzierjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016. Ajo mund të drejtohet nga Corey Lewan- dovski, që u shkarkua si menaxher i fushatës para rreth një viti, David Bossie, që ishte zëvendësme­naxher fushate, dhe shefi i strategëve, Stephen Bannon. Po ashtu po shqyrtohen edhe ndryshime të tjera në Shtëpinë e Bardhë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania