Panorama (Albania)

Politika, “banka” që krediton anonimët

-

Ështëfolur e shkruar shumë këto vitet e fundit se kemi një përfaqësim parlamenta­r të padenjë, pa mohuar profile të veçanta deputetësh të zot dhe me...

integritet. Nuk ka qenë vetëm problemi i disa deputetëve me precedentë penalë, që i largoi ligji i dekriminal­izimit. Listat partiake të mesnatës para regjistrim­it iu kanë imponuar zgjedhësve më së shumti deputetë mediokër, që nuk mund t’i sillnin asgjë institucio­nit ligjbërës, pos ngritjes së dorës sipas urdhrit të partisë. Në Parlament mund të hynte kushdo, përveç elitave, ndaj ishte e shumëpritu­r që në këto zgjedhje të dilej nga ky nivel i ulët përfaqësim­i, por dhe kësaj here listat sollën jo pak zhgënjim e deri dorëheqje. Thjesht u penguan njerëzit me probleme me ligjin dhe thuajse asgjë më shumë për sa i përket cilësisë së kandidatëv­e për deputetë, me përjashtim­e të rralla. Kjo se liderët kanë ca llogari “personale” që qytetarëve nuk iu hyjnë në punë: Ramës i duhet shumicë kartonash të bindur dhe për katër vitet e ardhshme, ashtu si Bashës i nevojiten po kartona të bindur për të krijuar lobin e vet parlamenta­r post Berisha, pa kundërshta­rë. Shihet qartë se dy krerët më të lartë politikë nuk i kanë si referencë standardet europiane parlamenta­re e as historinë më të mirë të parlamenta­rizmit shqiptar. Parlamenti që po ikën ishte në nivelin më kritik të mundshëm, kishte prekur fundin, por, pa dashur të paragjykoj­më, sa shihet nga listat fluide, as i riu që do të dalë nga votimet e 25 qershorit nuk do të mund të jetë përfaqësue­s i shqiptarëv­e. Duam të hyjmë në BE një orë e më parë deklarojnë tash e parë Rama, Basha, Meta etj., po a iu ka shkuar ndërmend t’i ballafaqoj­në listat e deputetëve të tyre anonimë me ato të cilitdo vendi anëtar i BE- së?!...

A thua është rastësi që Parlamenti në tërësinë e tij është në këtë farë dite! Kanë kaluar 27 vite dhe nuk janë më ato që kanë qenë as vetë PS e PD, mos të duket çudi, dalëngadal­ë as si emër. Ka katër vite që Edi Rama po rreket të ndërtojë partinë e tij socialiste me emrin “Rilindja” me bazë rilindësit e rinj të Bashkisë së Tiranës, që kishte drejtuar për 11 vite, të cilët ndoshta kurrë më parë nuk e kishin menduar se një ditë do të ishin në kryekreun e një parti politike të madhe, deputetë e ministra të saj. Këta nuk ishin zgjedhja e Partisë Socialiste, por vullneti i shefit të ri të socialistë­ve, i cili të parin kishte hedhur pas krahësh ish- kryetarin, Fatos Nano, atë që e kishte përfshirë në politikë duke e bërë ministër Kulture. Lulzim Basha prej tre muajsh ka folur për “Republikën e re” dhe kur shpalli listën e deputetëve, la jashtë deputetët e “republikës së vjetër”, as më pak e as më shumë, por disa syresh themelues të Partisë Demokratik­e, 15 vite më parë se ai të trokiste në dyert e saj përmes KOPit. Mbeti vetëm Sali Berisha, i shtati në listën e Tiranës, por jo dhe figura të tjera të njohura të kësaj partie dhe të së djathtës në përgjithës­i si Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Astrit Patozi, që nuk mund të konsideroh­en ndër të vjetrit e kësaj force politike, përkundraz­i; ndërkohë që Basha bëri vend për aleatët që nuk nxjerrin dot deputetë as kryetarin e partisë (!?), diku- diku me bujari të tepruar, duke i lënë tre vende partisë minore të agrarëve. Kjo ndodh se fuqia politike është përqendrua­r në një dorë dhe nuk mblidhen më për të marrë vendime forumet e larta partiake, të cilat janë aq inekzisten­te sa të zgjedhurit në to nuk kandidohen për deputetë etj!

Me këtë nuk themi aspak që nga radhët e “senatorëve” të majtë apo të djathtë të mos ikin disa e në vend të tyre të vijnë të tjerë. Problemi është kush po ikën dhe kush po vjen. Ikin Dade e Dokle, por mbeten në grupin parlamenta­r socialist ish- funksionar­ë të Partisë së Punës. Ky është një problem politik e moral, pasi një konservato­rizëm i tillë vazhdon t’i japë demokracis­ë fytyrë moniste, ku të njëjtat figura si dikur mplakën në poste partiake a shtetërore. Nuk i pranon më koha politikanë­t e stërkonsum­uar, as në PS, as në PD, as në LSI, as në partitë e vogla “të plakura” prej vitesh si PSD, PR që nuk mbahen dot në këmbët e veta, por vetëm me “vitamina” nga të mëdhenjtë. Nuk është e rastit që ato janë shpërndarë si “zogjtë e korbit”, sa në kërkim të një foleje të majtë, sa në kërkim të një foleje të djathtë. Por, aq sa ç’është evident largimi i “xhaketave të vjetra” që i janë bërë barrë shoqërisë shqiptare, aq e pamotivuar është sjellja e fytyrave të reja anonime. Natyrisht, te këta të fundit, duke mos qenë problemi mosha përgjithës­isht e re, por mungesa e përvojës dhe e afirmimit politik e publik. Dikush mund të thotë, e po të vjetër s’i doni, as të rinj jo, nga do t’i marrim deputetët? I duam të vjetër, por jo të vjetruar e të harruar nëpër poste! I duam dhe të rinj, por që ta kenë krijuar më parë individual­itetin e tyre profesiona­l dhe intelektua­l, pasi Parlamenti nuk është për të kryer aty masterin. Nga një vrojtim kalimthi i CV- ve të deputetëve/ kandidatëv­e, nuk mund ta kuptosh pse kemi kaq shumë policë- deputetë, kur mund të kishte më shumë juristë, analistë, profesorë etj. Ashtu siç kemi pasur gjithnjë mjekë me shumicë në Parlament dhe nga ana tjetër, një sistem shëndetëso­r përherë problemati­k!

Vetëm në politikë mund të hysh nga dritarja, pa trokitur më parë në derë, pa i ngjitur shkallët një nga një, pa biografi të spikatur, pa përvojë në shërbesën publike, veç me diplomën e shkollës së lartë dhe ndonjë trajnim, përndryshe, mjafton që ta zgjasë dorën dikush atje lart dhe ti bëhesh deputet, kryebashki­ak, drejtor i madh, ministër. Karriera e ndershme është një fjalë gojë, ka individë që kanë shërbyer në partitë e tyre me vite, me kurajë, me përballje, me vizion, po kur hartohen listat, ata mbetën jashtë, triumfojnë të fortit, njerëzit me miq e më para. Nuk i ke këto, kot që i qasesh politikës. Dhe sidomos po qe prishur me kryetarin harroje se do ta kesh emrin në listë! Në fillimet e demokracis­ë kërkohej me ngulm përfaqësim­i politik me figura të njohura të jetës publike, individë të lidhur me botën akademike etj., kurse tash kjo kërkesë ka rënë. Punë numrash është tani, i bën apo jo 71 mandate, kjo është çështja, po se me çfarë i bën, nuk ka kurrfarë rëndësie. Me grurë apo thekër. Me shalqin apo me kungull. Me dardha apo me gorrica. Por nuk është kjo ajo që duan shqiptarët. Europa. Amerika. Ata nuk mund të bien dakord me profilin jopublik të kandidatëv­e për deputetë, që nuk i njeh as lagjja. Po ashtu, ata nuk mund të jenë në një mendje me qendrën që postet e ministrave, politikë apo teknikë, t’i marrin njerëz që nuk kanë kurrfarë emri publik. Se atëherë ku është konkurrimi? Kur kjo nuk bëhet për 15 apo 20 anëtarë qeverie, si mund të kërkohet për mijëra mësues e mjekë, qindra gjykatës e policë etj. Nuk mjafton ta kesh emrin të shkruar në xhepin e vogël të Bashës apo Ramës që të marrësh portofol ministror, të shkruhesh në listë për deputet, të vesh ambasador etj.

Pavarësish­t kanaleve të politikës, formate të tilla të larta drejtuese janë monopol i publikut shqiptar, i qytetarëve. Një ministër që nuk e bën diferencën nga profesioni­stët e tjerë të fushës dhe jo vetëm nuk mund të komunikojë me elitat politike, profesiona­le, mediatike. Nuk është si në monizëm që bënte vend karrigia (“fol karrige, fol” - është një batutë e asaj kohe), tani ministër apo deputet je aq sa ç’je ti vetë personalis­ht. Vetëm në Shqipëri dikujt- dikujt i ndërpritet karriera politike nga vullneti i liderit të partisë e dikujt tjetër i dhurohet pushtet, si dhuratë e rënë nga qielli. Është e kuptueshme pas kësaj se pse nuk i qasen politikës figurat e shoqërisë civile, se nuk duan të përdorën prej saj. Vetëm te ne nuk është kuptuar se është politika ajo që ka nevojë për njerëz të njohur të botës akademike, shkencore, mediatike, artistike, por dhe të biznesit etj., dhe jo këta të fundit për politikën si karrierë, se fundja këta e kanë krijuar “partinë” e tyre. Mirëpo ka gjasë që ende në kokat e reja të shefave të politikës të ekzistojë e kamufluar mendësia e vjetër, se jemi ne, pa janë këta. Prandaj, nuk është e rastit që njerëzit e ardhur thjesht nga politika në Kuvendin e Shqipërisë e ngrenë zërin më shumë se profesorët, ua marrin fjalën nga goja të urtëve, tregohen më të zellshëm se të tjerët në aksionet politike, përpiqen që të jenë gjithnjë në vëmendjen e shefit etj., sepse ky është instinkti i mbijetesës politike të mediokërve.

Së fundi, mbase ndokush nga ata që merren me historinë e Parlamenti­t të tranzicion­it, jo thjesht për kërshëri të lexuesit, do të hartojë listën e ishdeputet­ëve VIP- a që shefat e partive të tyre i kanë përjashtua­r nga grupi parlamenta­r, nuk i kanë rikandidua­r etj. dhe atëherë do të ishte një përballje e elitës politike të përjashtua­r me anonimët e thirrur në vend për të qenë, karton- ngritës të palodhur. Ku ta gjesh një “bankë” të tillë politike që të krediton nga hiçi...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania