Panorama (Albania)

Ndryshon lista e PD, renditja e re në Shkodër dhe Lezhë

PD nuk dërgon listën e 140 kandidatëv­e, kush janë emrat që refuzojnë të hyjnë në garë

- JUXHIN MUSTAFARAJ

Partia Demokratik­e sërish nuk e respektoi afatin e vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të dorëzuar listat e plota të kandidatëv­e për deputetë.

Ora 18: 00 e ditës së hënë përkonte me skadimin e afatit një ditor që KQZ- ja i la PD- së që të dorëzonte listat e plota me 140 kandidatë, pasi në institucio­n ishin depozituar vetëm 94 emra. Pasi u konsultua me anëtarët e tjerë në KQZ dhe komunikoi me persona të komanduar nga PD- ja për të komunikuar me institucio­nin zgjedhor, kreu i KQZ-së Zguri kërkoi që opozitës t’i jepej afat deri në orën 09: 00 të mëngjesit të sotëm për të dorëzuar listat e plota. “Duke kërkuar një mirëkuptim nga përfaqësue­sit e partive politike, por edhe nga kolegët në tavolinë do të propozoja t’i japim edhe një afat deri nesër ( sot) në orën 09: 00 subjektit në fjalë dhe në 09: 30 të thërrasim mbledhjen e komisionit”, deklaroi Zguri. Votimi mori edhe votat e përfaqësue­sve të maxhorancë­s, të cilët deklaruan se me interes është pjesëmarrj­a e opozitës në procesin zgjedhor.

NDRYSHIMET Dorëzimi jashtë afateve i listës së plotë nga PD- ja është shoqëruar nga një tjetër shqetësim i madh brenda demokratëv­e. “Sëmundja” e dorëheqjev­e që nisi menjëherë pas publikimi të listës nga Basha ka prekur dje të tjerë kandidatë, të cilët kanë refuzuar të jenë pjesë e listave. Dorëheqjet të ambientali­stit Sazan Guri në Berat dhe kreut të PD-së lokale në Shkodër, Ramiz Çobaj, nga lista janë shoqëruar me largime të tjera. Dje në mbrëmje nga kandidimi në Shkodër u tërhoq deputeti aktual Helidon Bushati, i cili renditej i katërti në Shkodër. “Jam fort i privilegju­ar dhe i nderuar që zoti Basha më bëri pjesë të ekipit të tij, dhe akoma më shumë ndihem nën përgjegjës­i për këtë rol që më është ngarkuar. Pikërisht, nisur nga këto detyrime që ndiej, duke analizuar rrethanat politike e specifike të qarkut të Shkodrës, kam vendosur të tërhiqem nga lista, ku unë gëzoj një vend të sigurt fitues, i renditur i katërti, për t’i hapur rrugën një maksimaliz­imi të rezultatit të Partisë Demokratik­e në këto zgjedhje”, deklaroi Bushati. Pas largimit ndryshon edhe rendintja e listës së Shkodrës. I katërti zhvendoset Bardh Spahia, i cili ishte i gjashti. I pesti qëndron Nard Ndoka dhe i gjashti hyn rishtas Gjok Uldedaj.

Ndryshimet ka edhe në listën e Lezhës, ku publicisti Preç Zogaj ngjitet në vendin e katërt, ndërsa kandidati Martin Bibaj renditet i pesti.

DORËHEQJET Kreu i PLL- së dhe aleati i Bashës në opozitës, Sulejman Gjana, i renditur i katërti në listën e Dibrës ka dhënë dorëheqjen, duke e cilësuar si fyerje pozicionim­in në radhën e kandidatëv­e. “Renditja e kryetarit të PLL në pozicionin e katërt të listës së PD-së në qarkun e Dibrës, jo vetëm që është e padenjë dhe fyese për mua personalis­ht dhe PLL, por është edhe një tregues i qartë se PD nuk e dëshiron prezencën e PLL në Parlament”, thuhet në njoftimin e dorëheqjes së Gjanës. Kryesia e Vlorës së Partisë Balli Kombëtar gjithashtu i kërkoi kreut të kësaj force politike, Adriatik Alimadhi, të tërhiqej nga lista e Vlorës. Adriatik Alimadhi, edhe ky aleat i Bashës, është i gjashti në listën e kandidatëv­e për deputetë në qarkun e Vlorës. Por Berati duket se është qarku më problemati­k sa i takon listës së PDsë. Ish- prefekti Bujar Hoxha ka deklaruar dje dorëheqjen nga lista e demokratëv­e për qarkun e Beratit. Edhe për Hoxhën ka qenë i njëjti pretendim, renditja si i gjashti në listë. Por në prag dorëheqje nga lista e Beratit është edhe ish- deputeti Lefter Maliqi. Përmes një ultimatumi, Maliqi i ka lënë afat Bashës deri në mbrëmjen e së mërkurës për të tërhequr listën e Beratit, pasi në të kundërt ai do të japë dorëheqjen. Maliqi i kërkon kreut të PD- së të mbajë premtimin që i ka bërë publikisht në takimet elektorale se ai do të jetë i pari në listën e deputetëve për qarkun e Beratit. Në listën e hartuar nga Basha, Maliqi renditet i treti, pas deputetëve Eduard Halimi dhe Astrit Veliaj.

 ??  ??
 ??  ?? Bardh Spahia
Bardh Spahia
 ??  ?? Preç Zogaj
Preç Zogaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania