Panorama (Albania)

Idrizi: Qeveris me atë parti që mendon si ne

“Donim të garonim të vetëm në zgjedhje, jemi parti e madhe”

-

Kreu i PDIU- së, Shpëtim Idrizi, tha dje se pas zgjedhjeve do qeverisë me atë forcë politike që mendon si partia që ai udhëheq.

“PDIU nuk është si partitë e tjera që flasin për kauza, por sa vijnë në pushtet bëjnë pauza. Do qeverisim me atë forcë politike që mendon si ne, veç për një atdhe. Politika shqiptare i ka lënë pa shpresë dhe mendojnë të ikin, por unë mendoj se ky vend ka shpresë”, tha Idrizi gjatë takimit elektoral në Pallatin e Sportit të qytetit të Elbasanit. Kreu i PDIU tha se partia e tij nuk ka kandidatë të importuar, por ka njerëz që janë pranë halleve dhe probleme të qytetarëve. “PDIU nuk ka kandidatë të importuar, por ka qytetarë të Elbasanit që janë çdo ditë pranë halleve të qytetarëve. Ata janë njerëz që u kanë dalë për zot familjes së tyre dhe qytetarëve të këtij qyteti. Entuziazmi juaj është një obligim për ne. Ne kemi parë për 27 vjet politikën shqiptare, ku thonë se duhet të reformojmë Shqipërinë. Ne u themi që në radhë të parë duhet të reformojnë veten. Ne kërkuam që të garonim të gjithë më vete, në korsinë tonë. Korsia e PDIU është e atyre që e duan vatanin. Ne donim të garonim të vetëm në zgjedhje dhe prania juaj na bën optimistë më shumë se kurrë, pasi PDIU nuk është një parti e vogël, por parti e madhe”, tha Idrizi. Duke përsëritur sloganin e kësaj partie, Idrizi tha se përfaqëson interesat e të gjithë shqiptarëv­e nga Dibra në Çamëri. “Ne të gjithë që jemi këtu, të gjithë ata që do të na votojnë më shumë se kurrë në 25 qershor na bashkon kjo ide, ky program:

Veç një Atdhe! Të njëjtë e shohim Atdheun tonë si në Dibër, Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Berat, Korçë, Konispol. Atdheu është një dhe i vetëm, kudo në Preshevë, Kosovë, Iliridë, Shqipëri, Malin e Zi, Diasporë dhe pa dyshim sot më shumë se kurrë tek e shtrenjta Çamëri. Ky është Atdheu ynë, edhe më i madh se kaq, por neve na ra detyra ta ribëjmë, ta rifitojmë, ta rimarrim”, tha Idrizi. Sipas tij, çështja çame është e njohur tashmë dhe nga Brukseli. “Dhe, siç e premtuam, Brukseli njeh që Çështja Çame është një çështje e pazgjidhur mes dy vendeve, jo se ne që jemi sot këtu nuk e dinim, por sepse tani nuk del dot njeri ta thotë aq lehtë që nuk ekziston. Nuk e mohon dot më njeri Çështjen Çame! Nuk ka më njeri në Greqi apo kudo qoftë që të thotë se Çamëria nuk ekziston!”, tha Idrizi.

 ??  ?? Kreu i PDIU- së, Idrizi
Kreu i PDIU- së, Idrizi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania