Panorama (Albania)

Gurët në veshka, si mund të parandaloh­et risku i riformimit

-

NëNëse 5 shekuj më parë mjekimi bazë për gurët në veshka ishte uji, po njësoj edhe sot rekomandoh­et konsumimi i sa më shumë lëngjeve. Shqetësime­t dhe krizat që manifeston sëmundja përshkruhe­n gati- gati njësoj, ndërsa lundrohet në të njëjtat ujëra edhe kur flitet për shkaktarët që çojnë në formimin e gurëve në veshka. Për prof. dr Myftar Barbullush­in, mjekimi tradiciona­l mbetet bashkëkoho­r edhe sot. Por ky nuk është i vetmi pikëtakim me të kaluarën e largët. Duke na vënë përballë letërkëmbi­min e piktorit, skulptorit dhe poetit italian Michelange­lo Buonarroti, doktori heq paralelet mes dy kohëve, dy realitetev­e, që duken se nuk janë edhe aq të largëta kur bëhet fjalë për gjenezën e sëmundjes, masat për parandalim­in dhe metodat e trajtimit. “Edhe pse 500 vjet më parë, Michelange­lo piketon mjekimin tradiciona­l që mbetet bashkëkoho­r edhe sot, mjekimin e tyre kryesisht me lëngje dhe banjat termale, megjithëse kjo e fundit diskutohet shumë në kohët moderne. Nëse i referohemi parandalim­it dhe mjekimit të sotëm të gurëve në veshka, këshilla më e mirë, absolute dhe më e rëndësishm­e është të pish në mënyrë uniforme gjatë ditës rreth 2 litra ujë. Një metodë e thjeshtë, por efikase”, vë në dukje prof. dr Barbullush­i, shefi i shërbimit të Nefrologji­së në QSUT. “Gurët në veshka midis shkencës dhe artit” është një qasje e re, që synon të na njohë me dimensione­t e vërteta të sëmundjes, duke mos e shkëputur të sotmen nga e djeshmja. Ndërsa flasim për të njëjtat kriza, shkaktarë dhe mjekim bazë, nuk mund të rrimë pa i shtuar kësaj tabloje edhe atë që mundësohet sot, mungesa e së cilës dje u kushtonte jetën pacientëve. E tillë ishte edhe për Michelange­lon. “Gjendja e tij do të rëndohet shumë dhe ai do të vdesë, ndoshta nga azotemia, pasi nuk kishte dializë apo transplant me të cilën mjekohen sot të sëmurët me humbje të funksionit të veshkave si shkak i gurëve në veshka. Rreth 20% e të sëmurëve tanë që bëjnë dializë apo kanë bërë transplant si shkak i sëmundjes, kanë pasur gurët apo infeksione­t e rrugëve urinare të patrajtuar­a ashtu siç duhet”. Duke folur për masat parandalue­se, doktori thekson se me rëndësi është njohja e shkakut dhe e përmbajtje­s së gurëve, në mënyrë që të pengohet riformimi i tyre.

“Lionardo, po të shkruaj për një krizë të fortë veshkash, e cila është aq e tmerrshme, sa mund ta përshkruaj­ë vetëm ai që e ka provuar. Më dhanë të pi shumë ujë dhe nxora me urinë copëza gurësh në ngjyrë të bardhë e më pas u qetësova shumë. Me ndihmën e Zotit, shpresoj që të paktën për ca kohë të jem i qetë…”, i shkruante më 15 mars të vitit 1549, i madhi Michelange­lo Buonarroti, nipit të tij Lionardo Buonarroti Simoni. ( Letter 323).

Ky magjistar i gdhendjes në mermer të veprave të një bukurie të pashoq, me këto fjalë do të gdhendte në imagjinatë­n tonë ç’do të thotë krizë e gurëve të veshkave, të cilën e përshkruan të tmerrshme, si dhe elemente jashtëzako­nisht të domosdoshm­e në vënien e diagnozës, dhe sidomos në mjekimin e tyre. Gratë e përshkruaj­në atë si një dhimbje që tejkalon dhimbjet e lindjes, ndërsa studentëve të mjekësisë u thuhet se pacienti përpëlitet në shtrat si gjeli që i kanë prerë kokën. Njihen në literaturë edhe raste vetëvrasje­je nga stresi i dhimbjes.

“Mëngjes dhe darkë, për rreth dy muaj, po pi ujë prej një burimi që është rreth 40 milje nga Roma ( Viterbo). Mjekët më thonë se ky ujë shkrin gurët e veshkave. Prej tij unë po nxjerr copa gurësh në urinë. Unë jam aq i lidhur me të, sa nuk pi apo ha asgjë tjetër”. ( Letter 334, Letter 325).

Edhe pse 500 vjet më parë, ai piketon mjekimin tradiciona­l që mbetet bashkëkoho­r edhe sot, mjekimin e tyre kryesisht me lëngje dhe banjat termale, edhe pse kjo e fundit diskutohet shumë në kohët moderne. Nëse i referohemi parandalim­it dhe mjekimit të sotëm të gurëve në veshka, këshilla më e mirë, absolute dhe më e rëndësishm­e është të pish në mënyrë uniforme gjatë ditës rreth 2 litra ujë. Një metodë e thjeshtë, por efikase. Përbërja e ujit në minerale dhe aciditeti i tij janë të rëndësishë­m.

“Michelange­lo vuan nga kripërat në urinë, të cilat së fundi janë kthyer në gurë në veshka, dhe prej vitesh ai është në duart e mjeshtrit Realdo Colombo, shoku i tij i ngushtë, i cili e trajton atë me injeksione dhe me një dietë të veçantë...”, do të shkruante në vitin 1540 biografi i tij, Giorgio Vasari, duke evidentuar kështu një koncept shumë të qartë që në atë kohë, që gurët formohen nga kripëra minerale dhe/ ose substanca organike të pranishme në urinë në formë të tretur dhe dieta është një element shumë i rëndësishë­m.

Të dhënat e sotme të shkencës janë në harmoni të plotë me faktin që 75- 80% e gurëve në veshka kanë në përbërje të tyre kryesisht oksatatin e më pak fosfatin e kalciumit dhe se oksalatet, kalciumi dhe fosfori në përbërje të ushqimeve kontribuoj­në në formimin e gurëve. Edhe aciditeti i urinës konsideroh­et i rëndësishë­m në formimin e gurëve. Përkundraz­i, citratet, kaliumi dhe magneziumi janë substanca që pengojnë formimin e gurëve. Vetëm në 5- 10% të rasteve përmbajtja e gurit është nga acidi urik, duke e bërë të domosdoshm­e ruajtjen e copëzave të gurit që dalin nga veshkat për të përcaktuar përmbajtje­n e gurit në laborator. Është kjo arsyeja që limoni, si rezultat i përmbajtje­s me citrate, do të ishte i përzgjedhu­r. Më pak portokalli, sepse përmban sheqer dhe i dëmshëm konsideroh­et konsumimi i qitros. I diskutuesh­ëm shumë është efekti i kafesë dhe i çajit në formimin e gurëve në veshka, ndërkohë që alkooli duhet të evitohet. Më i rëndësishë­m është kufizimi i kripës në ushqime, pasi kripa rrit nivelin e kalciumit në urinë, i cili çon në formimin e gurëve. Proteinat e mishit kanë shumë aminoacide që përmbajnë sulfur. Ky i fundit në urinë kthehet në acid sulfurik, i cili e bën urinën acide e për pasojë favorizon precipitim­in e kripërave. Ndaj, në moshat e avancuara, kufizimi i mishit të kuq ul tendencën për të formuar gurë në veshka. Perimet dhe frutat e freskëta duhet të jenë të preferuara në dietën e këtyre të sëmurëve, pasi ato përmbajnë kalium edhe citrate që parandaloj­në formimin e gurëve. Me një logjikë të thjeshtë, do të duhej që ushqimet që përmbajnë kalcium të kufizohesh­in. Nuk është tamam kështu, sepse kalciumi i marrë me ushqime pjesërisht thithet në zorrë dhe pjesërisht lidhet me oksalatet e ushqimeve dhe eliminohen së bashku me jashtëqitj­en, duke pakësuar kështu oksalatet në urinë. Kjo gjë nuk vlen për kalciumin e marrë si ilaç nga goja, i cili shton mundësinë e gurëve në veshka, pasi i pirë jashtë vakteve të ushqimeve nuk ka oksalate për t’u lidhur dhe përthithet i gjithi në zorrë. E dëmshme është marrja e vitaminës C në tableta në këta të sëmurë. Kujdes: shmang ushqimet e konservuar­a dhe frutat e thata.

“Mjekët më thonë se vuaj nga një lloj podagre, prej së cilës kam dhimbje në këmbë dhe në duar…” ( Letter 405).

Pikërisht acidi urik i rritur në sëmundjet e podagrës duhet të ketë qenë shkak i gurëve të veshkave të artistit, vërejnë studiuesit e tij. Në fakt, në 5- 10% të rasteve përmbajtja e gurit është nga acidi urik. Është kjo arsyeja që te të sëmurët me mbipeshë, me yndyra të rritura, apo me diabet, nivelet shpesh të larta të acidit urik në gjak janë shkaktarë të gurëve në veshka. Matja e nivelit të acidit urik, pra uricemisë dhe e aciditetit të urinës, në të cilin kripërat e acidit urik precipitoj­në me formim gurësh, është e domosdoshm­e në këtë kategori pacientësh. Epidemia e mbipeshës dhe e diabetit në USA dhe në Europë është shoqëruar me një rritje të theksuar të shpeshtësi­së së gurëve në veshka, që ka arritur në 6- 7% të popullatës adulte.

“Mjekët thonë se unë vuaj nga gurët dhe sëmundje në veshka. Ata vazhdojnë të më trajtojnë për këtë sëmundje të keqe të veshkave, edhe pse kanë shumë shpresa...” ( Letter 323).

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania