Panorama (Albania)

Vrau qenin që kafshoi shtatzënën, 2 vjet burg

Denis Lala akuzohet se qëlloi pitbullin me kallashnik­ov

- ARMAND BAJRAMI

Gjykata e Tiranës ka dënuar me burg një 30- vjeçar të akuzuar si autorin e vrasjes me një armë kallashnik­ov të një qeni pitbull. Ngjarja ka ndodhur në prill të vitit të kaluar, në një nga lagjet e kryeqyteti­t.

Sipas vendimit të Gjykatës, i riu ka qëlluar me armë ndaj kafshës, me pretendimi­n se më herët ai i kishte kafshuar të fejuarën shtatzënë. I akuzuari si autor i kësaj ngjarjeje është Denis Lala. Ai u deklarua fajtor për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “shkatërrim­it të pronës me mjete të tjera”. Referuar vendimit të shpallur disa ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, Lala u dënua me 2 vjet heqje lirie. Ai është gjykuar në mungesë në Gjykatën e Tiranës. Gjatë gjykimit, avokatët e tij mbrojtës kanë pretenduar se ngjarja ka ardhur për shkak të gjendjes së rëndë psikologji­ke të të pandehurit. Mbrojtja i ka kërkuar Gjykatës dënimin e tij nën minimumin e parashikua­r nga ligji dhe pezullimin e ekzekutimi­t të dënimit me burg, duke e lënë atë në liri me kusht. “I pandehuri Denis Lala në komunikimi­n që kemi pasur me të ka shprehur pendim të thellë për veprimin e kryer dhe ka mbajtur qëndrim pohues ndaj akuzës. Siç ka rezultuar dhe ngjatë shqyrtimit gjyqësor, nga aktet dhe provat e administru­ara, arsyeja për të cilën ka ndodhur ngjarja, ka qenë fakti se qeni i racës pitbull i ka kafshuar të fejuarën, për të cilën sapo kishte mësuar që ishte shtatzënë dhe nga tronditja ka rrezikuar fëmijën. Kjo ngjarje ka shkaktuar tronditje të rëndë te Denis Lala”, citohej pretendimi i mbrojtjes në vendimin e Gjykatës.

NGJARJA Referuar vendimit të Gjykatës, më datë 24.04.2016, rreth orës 13: 30, në rrugën “Sitki Cico”, në afërsi të një shkolle, në Tiranë, në një rrugicë pa dalje është afruar një automjet tip veturë e markës “BMW”. Drejtues i saj ka qenë shtetasi Denis Lala dhe pasagjerë në të njëjtin mjet kanë qenë shtetasit G. Ago, J. Fejzullah dhe E. Llagami. Pasi kanë marrë kontakt me shtetasin R. Cela, e kanë pyetur nëse kishte apo jo ndonjë qen të racës pitbull. Ky shtetas, duke kujtuar se këta persona po interesohe­shin për qenin, ose donin të blinin ndonjë këlysh të këtij qeni race, e ka nxjerrë jashtë shtëpisë për t’ua treguar dhe po e mbante pranë vetes duke e përkëdhelu­r. Në këtë moment shtetasi Denis Lala ka marrë në pjesën e pasme të automjetit me të cilin kishte ardhur së bashku dhe me personat e sipërcitua­r, një armë automatike model 56, me të cilën ka shtënë disa herë me breshëri në drejtim të qenit, duke e lënë të vrarë përtokë në rrugicë. Po ashtu ka marrë dëmtim të lehtë në pjesën e këmbës së djathtë, poshtë kërcirit, shtetasi V. Rrjolli, si dhe dëmtime të papërfills­hme, një gërvishtje të lehtë shtetasi F. Koço. Pasi ka kryer këtë veprim, shtetasi Denis Lala së bashku me personat e tjerë është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, me mjetin e tij së bashku me J. Fejzullën, kurse dy të tjerët G. Ago dhe E. Llagani janë larguar në këmbë, me vrap, në dy drejtime të ndryshme. Sipas vendimit, në vendin e ngjarjes u gjetën dhe u sekuestrua­n në cilësinë e provës 12 gëzhoja të modelit 56. ARSYETIMI I GJYKATËS

Trupi gjykues i çështjes ka vlerësuar se i pandehuri ka konsumuar plotësisht elemente të veprës penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe atë të “shkatërrim­it të pronës me mjete të tjera”, duke theksuar se shkaku i kryerjes së veprës penale është tronditja e thellë e të pandehurit. “Fajësia e të pandehurit në kryerjen e veprës penale që i atribuohen rezultoi e provuar plotësisht nga të gjitha provat e administru­ara nga gjykata në seancë gjyqësore dhe këtë fakt e ka pohuar edhe vetë i pandehuri në aktet e hetimit të çështjes dhe në gjykim. Motivet nuk kanë rëndësi, por mbahen parasysh nga gjykata në caktimin e llojit dhe masës së dënimit”, shprehej gjykata në vendim.

 ??  ?? Gjykata e Tiranës
Gjykata e Tiranës
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania