Panorama (Albania)

Porositësi­t e vrasjes në kërkim, Daka: E vërteta për Mikel Shallarin

Bujar Daka mohon porosinë për ekzekutimi­n e “hasmit” Artan Cuku: Vrasësin e kam parë vetëm në televizor

- SHKODER/

Bujar Daka, i dyshuar nga Policia e Shtetit si porositësi i vrasjes së komisarit Artan Cuku, mohon çdo mundësi të implikimit të tij në këtë ngjarje.

Ai hedh poshtë dyshimet që çojnë tek emri i tij si porositës i krimit që i mori jetën ish- zyrtarit të policisë. Ndonëse i shpallur në kërkim, Bujar Daka vijon të qëndrojë në shtëpi, duke mos bërë asnjë tentativë arratisjej­e. Dje ai ndodhej në shtëpinë e tij në lagjen “Tre heronjtë”, në vendin e quajtur shinat e trenit, teksa ishte duke punuar bashkë me babain e tij Prelë Daka. I riu mohoi njohjen me Mikel Shallarin, i arrestuar tri ditë më parë nga Policia e Tiranës për vrasjen e Artan Cukut. Policia ka dyshime se Shallari dhe Bujar Daka janë njohur në burgun e Zvicrës, ku ata kanë qenë të dënuar për drogë. Vetë Daka pranon se ka qenë i dënuar në Zvicër, por se nuk ka pasur njohje me Mikel Shallarin. Ai mohon çdo lidhje me këtë të fundit dhe njëkohësis­ht me ngjarjen, për të cilën akuzohet Shallari.

Bujar, policia vijon të ketë dyshime se ju keni lidhje me vrasjen e komisariat Artan Cuku. Keni një koment për këtë?

Unë nuk kam asnjë lidhje me vrasjen e Artan Cukut. E kam dëgjuar vetëm në televizor kur ka ndodhur krimi. Më vjen keq që e kanë vrarë. Ne nuk jemi autorët dhe siç e shikoni jam duke punuar në shtëpi.

Policia ju ka shpallur në kërkim juve dhe vëllain tuaj, Florinin. Ka ardhur për t’ju ndaluar?

Jo, policia nuk ka ardhur kësaj radhe për të më ndaluar sepse ata e dinë që unë nuk kam asnjë lidhje me vrasjen e Artan Cukut. Herën e parë kur më kanë shoqëruar i kam sqaruar se nuk kam asnjë lidhje dhe që familja jonë e ka mbyllur këtë ngjarje para shumë vitesh. Ne e kemi sqaruar se kjo është mbyllur me benë që na ka bërë Artan Cuku dhe ne si familje jemi të distancuar nga ajo që ka ndodhur.

A e njihni ju Mikel Shallarin, i arrestuar si ekzekutori i Artan Cukut?

Nuk e njoh dhe nuk e kam parë asnjëherë. Për herë të parë e kam parë në televizion kur e arrestoi policia. S’kam asnjë lidhje me Mikel Shallarin dhe nuk kam pasur kurrë me të.

Policia thotë që keni qenë në burg në Zvicër. A është e vërtetë?

Po, kam bërë para disa viteve burg në Zvicër. Kjo është e vërtetë, por kjo nuk mund të lidhet me ngjarjen që ka ndodhur.

Në të njëjtin burg me ju rezulton të ketë qenë edhe Mikel Shallari... Nuk ju ka rastisur ta keni njohur atje si dy shqiptarë në të njëjtin burg?

Jo, nuk e kam njohur. Në burg kam qenë, por s’kam lidhje me Mikel Shallarin. Unë nuk e di se ku ka qenë dhe çfarë ka bërë ai dhe për herë të parë e kam parë kur e arrestoi policia. Nuk e di pse lidhet emri i tij me mua, sepse nuk kemi asnjë njohje dhe as miq të përbashkët dhe asgjë tjetër.

Policia dyshon se ju jeni porositësi i kësaj vrasjeje.

Asgjë nuk është e vërtetë. S’kam asnjë lidhje me vrasjen e Artan Cukut dhe nuk jam unë as autori e as porositësi siç mund të mendojë policia, apo dikush tjetër. Ne me zor jetojmë e jo më të kemi para për të paguar për një vrasje. Ju po e shikoni që ne jemi duke punuar këtu te shtëpia. Kemi jetesë të vështirë e jo më të paguajmë para. Prindërit janë të moshuar dhe unë mundohem të punoj ndopak sa për të mbajtur familjen.

Si mendoni, cila është arsyeja që policia dyshon sërish te ju?

Unë nuk e di këtë gjë, por di të them që është e papranuesh­me. Edhe babai im e ka sqaruar dhe e ka thënë se me familjen Cuku e kemi mbyllur çështjen dhe s’kemi asnjë lidhje me vrasjen e tij.

As unë, as vëllai im, as babai dhe asnjë nga familja jonë s’kemi lidhje me vrasjen e Artan Cukut. As nuk jemi ne autorët dhe as nuk kemi paguar për një gjë të tillë. Jemi të gjithë të lirë. Me familjen Cuku e kemi mbyllur para shumë vitesh, ndërsa dhe në polici kam dëshmuar herën e parë, duke treguar të gjitha këto. Po të ishte ndryshe do të më kishin arrestuar, por të gjithë janë të qartë se s’kemi asnjë lidhje.

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania