Panorama (Albania)

Vrasja e Cukut, kërkohet ndihmësi i Mikel Shallarit

Komisari u qëllua nga armë të dy kalibrave, s’janë gjetur

-

Katër ditë pas arrestimit të 24vjeçarit Mikel Shallari me akuzën e vrasjes së komisarit Artan Cuku, motivi i atentatit mbetet i papërcaktu­ar.

Për këtë arsye, grupi i hetimit me anëtarë nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vazhduar kryerjen e veprimeve hetimore me qëllim zbardhjen e provave të reja që mund të hedhin dritë mbi krimin e rëndë. Hetuesit u janë rikthyer edhe një herë të gjithë provave nga vendi i ngjarjes, përfshi dëshmitë, pamjet filmike dhe gjurmët e dokumentua­ra pas krimit të rëndë që ndodhi mbrëmjen e 8 prillit 2017. Qëllimi i veprimeve që po kryhen nga ana e policisë është zbulimi i personave që kanë qenë bashkëpunë­torë apo urdhërues të vrasjes së komisarit Artan Cuku, bashkë me të dyshuarin Mikel Shallari. Para dhe pas arrestimit të të riut nga Kuçova, nuk është arritur që të gjendet arma e krimit, ndërsa ekspertiza në vendin ku u vra Artan Cuku, gjeti se kishin qenë dy armë që kishin qëlluar komisarin e policisë. Dyshimet bazuar në ekspertizë­n e kryer në vendin e krimit brenda në pallatin ku banonte Artan Cuku, ishin se autori apo autorët përdorën një armë të madhe automatike dhe një pistoletë. Por në ditët teksa hetohej e gjurmohej Mikel Shallari, apo edhe pas arrestimit të tij, nuk është arritur të gjendet arma që ka qëlluar mbi komisarin e ndjerë. Në anën tjetër, edhe Mikel Shallai pas arrestimit, nuk i ka ndihmuar hetuesit, pasi ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzën deri ditën e djeshme. Gjithsesi, grupi i hetimit ka dyshime se ka pasur persona të tjerë që e kanë ndihmuar autorin e vrasjes qoftë në skenën e krimit, ashtu edhe në largimin nga vendi i ngjarjes.

PISTAT E HETIMIT

Pavarësish­t regjistrim­it të dosjes në hetim tek Krimet e Rënda për "vrasje për gjak- marrje", hetimi mësohet se po vazhdon në të gjitha pistat. Mësohet se verifikime po kryhen në Fier dhe në Vlorë, por edhe në Berat, për pistën e vrasjes së komisarit Artan Cuku për shkak të detyrës që ka mbajtur 16 vjet më radhë në Policinë e Shtetit. Në këtë pistë, grupi i hetimit është duke verifikuar disa të dhëna që kanë të bëjnë me një seri vrasjesh të zbardhura nga Policia e Vlorës në vitet 20122013, por edhe çështje të trafiqeve të drogës të hetuara nga policia gjatë kohës që Artan Cuku ka ushtruar detyrën e tij në policitë e Beratit, Fierit, por në fund edhe si drejtor qarku në Vlorë. Në këtë qytet gjatë detyrës së tij, Artan Cuku ka pasur edhe kërcënime për shkak të detyrës gjatë kohës që ishte drejtor i Policisë. Në atë kohë, pavarësish­t se kërcënimet u bënë publike, Cuku i tejkaloi ato duke vazhduar detyrën pa pasur probleme më tej në vazhdim. Nga ana tjetër, në hetim por pa prova bindëse është vrasja për hakmarrje në lidhje me incidentin e ndodhur në zyrën e komisarit në vitin 2005, por edhe pista e konkurrenc­ës për shkak se viktima drejtonte një polici private prej disa vitesh.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania