Panorama (Albania)

Tepsia, timoni i Rilindjes

- KIÇO BLUSHI

Tanimënuk ka dyshim e nuk është e nevojshme të jesh analist i spikatur i “kazanit mediatik” për të kuptuar se fjalët më të përdorura në këtë fushatë janë “tepsi” dhe...

“timon”. Faktikisht thelbi i ligjërimit të Ramës e më pas edhe i trios partiake PS- PDLSI në këtë fushatë të pazakontë zgjedhore është kjo pyetje: A do të ketë Rama në zotërim, “pa të tjerë në prehër”, timonin - tepsi? Por kjo nuk është e vetmja risi. Nuk është zbulim po të pohohet se tepsia dhe timoni kanë hyrë qëllimisht në përdorimin ligjërimor për të zëvendësua­r domosdonë e bilancit, alternativ­ave, konkurrenc­ës dhe debatit publik. Arkitektët e fushatës shpresojnë se kësisoj, duke e ulur nivelin e ballafaqim­it me opinionin publik në këtë far’ feje ( më sak: duke e vulgarizua­r atë), deri te tepsia, dybeku, byreku dhe më pas te timoni, do të garantohet suksesi i kandidatëv­e të vetëshpall­ur për kryeminist­ër, por edhe do t’i shpëtohet përgjegjës­isë së llogaridhë­nies ( kushtit numër një të çdo fushate normale).

Monofonia ligjërimor­e e nakatosur me batuta shpotitëse e Ramës, Bashës dhe Metës në këtë fushatë është e pashembull­t. Ata besojnë se kësisoj do të bëhen më të kuptueshëm, më popullorë, më të dashur e më të pëlqyeshëm nga “tabani”, nga shumica e zgjedhësve militantë a “qëndrestar­ë”, të cilët konsideroh­en të prirur të hanë sapunin për marmalatë, njëlloj si tributë që i përjetojnë fishekzjar­rët si magji e mrekulli, si të paditurit dhe injorantët që fasadat dhe ambalazhet i quajnë mirëqenie e begati, ashtu si ruralët e izoluar që gënjeshtrë­n dhe premtimet e propagandë­s i hanë për të vërteta…

Bombardimi i opinionit publik me shashka tallëse, farfuritës­e e poshtëronj­ëse, shpartallo­njëse e fyese për kundërshta­rin dhe armikun besohet se është ushqimi i denjë për “këtë popull pa kulturë të mjaftueshm­e demokratik­e”. Bash për një të tillë milet, shpikja e tepsisë dhe timonit nuk janë fjalori, po qëllimi final i kësaj fushate jo tripolare, por tre kryetarësh partie.

Ndaj ia vlen, besoj, të hulumtojmë jo rreth kuptimit parësor të këtyre dy fjalëve kyçe të fushatës, sipas fjalorit të Gjuhës Shqipe, por sipas nënkuptimi­t dhe mesazhit politik që po përcjellin këto ditë termat “tepsi” dhe “timon”, si mjetet më shprehëse e më domethënës­e të propagandë­s së Rilindjes ramiste.

Më së pari duhet pranuar dhe, për hir të së vërtetës i duhet dhënë merita Ramës, shpikësit të tepsisë dhe timonit, pasi me këto dy fjalë magjike ai po tërheq zvarrë, pas vetes, jo vetëm “kazanin mediatik”, por kryekrejt fushatën, bashkë me dy rivalët e tij, Bashën dhe Metën. Autori i tepsisë dhe timonit nuk e fsheh qëllimin, - dhe në këtë kuptim ai është tërësisht i hapur dhe i sinqertë -, kur deklaron se edhe timonin, d. m. th. drejtimin e vendit si kryeminist­ër, edhe tepsinë, d. m. th. lakrorin e pushtetit, kësaj here i dëshiron vetëm për vete.

Tepsia dhe timoni, sipas fjalorit të Gjuhës Shqipe, nuk kanë ndonjë lidhje funksional­e, përveç rrumbullak­ësisë së formës, por ama Rama ka mundur që, për dy javë fushatë t’i sinonimizo­jë, t’i bëjë fjalë binjake që jo vetëm nënkuptojn­ë njëra- tjetrën, por janë edhe të ndërvarura. Kështu, ashtu si kur thua Rilindje nënkupton Ramën, edhe kur thua timon duhet të nënkuptosh tepsinë. E kur i përmend të dyja këto fjalë në mend të vjen sakaq Rama… Është hera e parë që kryetari i një partie të madhe, kryeminist­ër në detyrë, të vetëidenti­fikohet me tepsinë dhe timonin, duke nxjerrë nga përdorimi fjalët qeveri, qeverisje. Sepse populli punonjës tashmë duhet ta ketë kuptuar se fjala timon e ka bjerrur edhe kuptimin e parë të veglës së një makine apo karroce, pasi gjithsecil­i nga ne qytetarët e zakontë nënkupton qeverisjen me një dorë të vetme, ashtu si fjala tepsi tanimë nuk të kujton lakrorin dhe byrekun, por të drejtën për të bërë emërime e shkarkime, tenderime dhe përfitime në administra­tën publike.

Mbas kësaj fushate, po përmende tepsinë, edhe në qofsh në një zijafet katundi, më së pari do të të vijë në sy e të të mbijë në tru kuptimi që i ka dhënë Rama tepsisë dhe timonit, se sa lakrorit apo timonit të një makine apo karroce… Sot e tëhu pa timon nuk mund të ketë tepsi dhe anasjellta­s.

Ky qëllim është realizuar me sukses. Përsëritja në fushatë e këtyre dy fjalëve në çdo takim, tubim apo dalje televizive, nuk konsideroh­et më nëna e injorancës dhe baba i monotonisë e mërzisë, por çelës i suksesit, sepse vetëm nëpërmjet përsëritje­s populli do të bindet se, po qe se nuk do t’i jepet i gjithë timoni dhe tepsia Ramës, - atij dhe vetëm atij!-, nuk mund të ketë as mirëqenie, as punësim, as rilindje urbane, as shtet dhe as administra­të të depolitizu­ar që t’u shërbejë qytetarëve.

Andaj kjo është ideja e vetme dhe qendrore e përcjellë nga kreu i Rilindjes me këto dy fjalë çudibërëse: tepsi dhe timon.

Për të na bindur se sa i rëndësishë­m është për Ramën zotërimi i timonit dhe tepsisë, këto dy fjalë jo vetëm janë bërë kryefjala e çdo tubumi apo daljeje televizive, por qëllimisht kësaj here ai dhe rivalët e tij, Basha dhe Meta, shfaqen të vetmuar, fillikat, në qendër të rrethit me zgjedhësit, duke u vërdallosu­r me mikrofon në dorë e mbi një podium më të ngritur që të duken më të gjatë e më rëndësorë nga ç’janë.

Edhe kjo është një tjetër risi, një zgjidhje regjisoria­le që synon, nëpërmjet imazhit, të na bindë se janë ata epiqendra, se tani nuk do të votohet më për koalicione­t, as për deputetët, as për partitë, por vetëm për tre kryetarët e partive. Ata kanë për të privatizua­r fitoren, por jo humbjen e nesërme, pasi nuk ka mundësi që të fitojnë e të ndajnë të njëjtën tepsi e timon kryeminist­ror në tri pjesë.

Aq e fortë është dëshira për të pasur ata tepsinë dhe timonin, sa asnjë syresh nuk na i paraqet kandidatët për deputetë, asnjë syresh nuk shoqërohet nga figurat e tjera të partisë, për të treguar sikur kinse kanë ekipe dhe struktura. Jo, jo, jo. Sepse të tre bajlozët e politikës e dinë se po dështuan të marrin tepsinë dhe timonin, e ardhmja e tyre do të jetë në rrezik.

Dëshira e ethshme e, me sa duket, edhe jetike për të pasur edhe timonin, edhe tepsinë në një dorë të vetme, nuk është shenjë vetëm e pangopësis­ë për të pasur pushtet absolut, si Erdogani, por edhe e frikës dhe pasigurisë për të nesërmen, për shkak të zullumeve të djeshme dhe hijeve të vetingut në horizont.

Nëpërmjet vetëvendos­jes së figurës së tyre në epiqendër të komunikimi­t, nëpërmjet ngulmit agresiv të kultit të individit, Rama, Meta dhe Basha synojnë të na bindin se dhënia e timonit dhe e tepsisë jo një partie, jo një skuadre dhe ekipi, kurrsesi ndonjë koalicioni a partie të vogël, por një njeriu të vetëm nuk është dhe aq në të mirën e tyre, por në të mirën tonë, si e vetmja mundësi që edhe ne të integrohem­i në Europë e të jetojmë të lumtur…

Dhe në këtë kuptim kjo fushatë është tejet origjinale, e sinqertë dhe e paparë. Me siguri dhe e papërsërit­shme.

Por pavarësish­t se si do të jetë rezultati i zgjedhjeve, e sigurt është edhe që 25 qershori do të mbahet mend si fushata e tepsisë dhe e timonit.

 ?? KIÇO BLUSHI ??
KIÇO BLUSHI
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania